Skënder Minxhozi shkruan se qeveria po gabon në politikën e ndjekur ndaj Iranit dhe se është ironike që i ashtuquajturi bord i paqes e nis me luftë.
“Duket ironi therëse fakti që një president që themelon një OKB paralele “për të zgjidhur konfliktet”, që ka garuar në zgjedhjet e fundit presidenciale me devizën “Presidenti i Paqes” dhe që kërkon nga mëngjesi në darkë çmimin Nobel për paqen, të ndodhet sot në krye të një sulmi të armatosur të kësaj shkalle, me pasoja thellësisht të rrezikshme për të gjithë globin. Bordi i Paqes e nisi aktivitetin me një akt lufte” – shkruan Minxhozi.
Por në shkrimin e tij, Minxhozi aludon se Trump e ka nisur luftën të tërheqë vëmendjen nga dosja Epstein.
“…Nuk ndihmon në këtë aspekt as qëndrimi zyrtar i shtetit shqiptar në këto orë. Pasi kemi dhënë të gjithë ndihmën tonë modeste duke strehuar kundërshtarët e regjimit iranian vite më parë, ne si shtet kemi mbajtur edhe politikisht, edhe verbalisht pozicione të ashpra ndaj Teheranit.
Përzumë ambasadën e tyre në Tiranë në vitin 2022 pas ndërprerjes së marrëdhënieve dypalëshe, u kthyem në një shënjestër masive sulmesh elektronike nga hakerat iranianë të cilët bllokuan sistemet tona digjitale duke nxjerrë në shesh rrogat, adresat e targat e shqiptarëve të thjeshtë.
Qeveria shqiptare ka mbajtur një qëndrim më shumë amerikan e izraelit ndaj Iranit, sesa një pozicion evropian. Edhe këto orë, ndërkohë që Evropa shpejtoi të deklarojë se nuk do të përfshihet në konflikt, deklaratat zyrtare të Tiranës ishin edhe një herë tjetër më të ashprat.
Mbetet të shihet çfarë do të prodhojë kjo politikë e avancuar dhe e shkujdesur ndaj një konflikti i cili nuk është i yni dhe që nuk na përket si shtet.
Pjesëmarrja e kryeministrit Rama në Bordin e Paqes dhe vizita e tij në Tel Aviv po vijojnë të pasohen me një qëndrim të ashpër ndaj ngjarjeve në Iran, megjithëse brenda vetë Amerikës dhe Izraelit një pjesë e madhe opinionit publik mendon se kjo luftë bëhet për të devijuar vëmendjen nga dosjet Epstein që lidhen me presidentin Trump dhe akuzat për korrupsion që lidhen me kryeministrin Netanjahu.
Konflikti aktual ka më shumë se një hije dyshimi mbi qëllimet strategjike dhe shkaqet reale…”, shkruan ai.



