19.5 C
Tirana
E shtunë, 19 Prill, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    ANALIZA: Gjirokastra, bunkeri socialist përforcohet me makinerinë e ish-LSI

    Gjirokastra është qarku i dytë më i vogël në Shqipëri, i cili, falë disa makinacioneve ekstraligjore të socialistëve, u dha atyre tre nga katër mandate në zgjedhjet e vitit 2021. Këto makinacione duket se nuk janë më të nevojshme kësaj here për shkak se ish-deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo tashmë është kryebashkiak për socialistët në Himarë. Gjithsesi, rezultati nuk është tërësisht i sigurt për shkak se Gjirokastra ka numër çift mandatesh, gjë që matematikisht favorizon barazimin.

    Qytetarët e qarkut Gjirokastër pritet të votojnë më 11 maj për zgjedhjet parlamentare dhe vota e tyre do të prodhojë katër mandate deputetësh, ndërsa historiku i zgjedhjeve sugjeron se socialistët do ta kenë jo fort të vështirë që të fitojnë shumicën e tyre. Qarku ka qenë gjithmonë me prirje nga Partia Socialiste, ku rezultati më i mirë për demokratët shënohet në vitin e largët 2009, kur arriti të marrë 2 nga 5 mandate, ndonëse rezultati në përqindje ishte 56% për socialistët dhe koalicionin e tyre në atë kohë dhe 40% për demokratët dhe aleatët e tyre. Në ato zgjedhje, LSI garonte me një koalicion tjetër, por votat që ajo mori në ato zgjedhje ishin më pak se 2 mijë dhe nuk patën efekt në rezultat.

    Në zgjedhjet pasuese, Lëvizja Socialiste për Integrim, e përfaqësuar në këtë zonë nga deputeti i shumë mandateve, Vangjel Tavo, ndërhyri duke gërryer vota më së shumti nga Partia Demokratike, dhe arriti të fitojë mandat në vitet 2013 dhe 2017, mandat që u humb nga demokratët. Socialistët arritën të ruajnë tre mandatet pasi përmirësuan rezultatin e tyre në zgjedhjet e vitit 2013 dhe 2017.

    Rritja e tyre në vitin 2017, kur morën 27 mijë vota ose 50%, është edhe më domethënëse nëse merret parasysh se popullsia banuese në qark ka ardhur në rënie të vazhdueshme dhe se për rrjedhojë, ka më pak vota që mund të fitohen.

    Që nga zgjedhjet e vitit 2021, qarku i Gjirokastër ka katër mandate, me një mandat të humbur për shkak të rënies demografike.

    ANALIZA: Gjirokastra, bunkeri socialist përforcohet me makinerinë e

    Ndryshimi i Gjirokastrës në qark me numër mandatesh çift e bën veçanërisht të vështirë fitimin e tre mandateve, por socialistët gjithsesi ia dolën për shkak se LSI dhe PD garuan veçmas, ndërsa një vendim kontrovers i qeverisë javën para zgjedhjeve mbylli kufirin me Greqinë, nën argumentin e pandemisë Covid-19, gjë që i hoqi LSI-së dhe kandidatit të saj Vangjel Tavo një burim të rëndësishëm votash. Pjesërisht si pasojë e mbylljes së kufirit, socialistët arritën të marrin 54% të votave dhe fituan tre mandate, ndërsa PD në opozitë fitoi 30% të votave dhe një mandat, ndërsa LSI me 13% të votave mori zero mandate. Në rast se LSI dhe PD do të kishin garuar bashkë, pavarësisht se socialistët fituan 54% të votave, rezultati në mandate do të ishte barazim 2 me 2.

    ANALIZA: Gjirokastra, bunkeri socialist përforcohet me makinerinë e

    Aktualisht Vangjel Tavo mbështet socialistët dhe vitin e kaluar u bë kryebashkiak i Himarës për ta. Dhe zgjedhjet e pushtetit vendor të vitit 2023 tregojnë se në shtatë bashkitë e qarkut, kandidatët socialistë për kryetar bashkie fituan 67% të votave. Nëse ky rezultat ruhet në zgjedhjet e 11 majit, socialistët do të marrin sërish tre mandate dhe me tepri votash. Në mënyrë që kjo të ndryshojë, do të duhet që opozita të marrë më shumë se 40% të votave dhe maxhoranca të bjerë në më pak se 60%, me kushtin që votat e opozitës të mos jenë të përçara. Nga njëra anë kjo do të thotë që aleanca opozitare do të duhet të realizojë rezultatin e vet më të mirë në histori në qark, ndërsa socialistët janë në gjendje më komode për ta mbyllur qarkun me rezultatin 3 me 1. Ky rezultat për socialistët nuk është i pamundur, por gjithsesi, ndarje të tilla të thella në preferencat politike nuk janë fort të zakonshme në Shqipëri. Për shembull, rezultati veçanërisht i thellë në zgjedhjet e vitit 2023 ishte pjesërisht si pasojë e pjesëmarrjes shumë të ulët në votime.

    Pjesëmarrja në zgjedhje në qarkun Gjirokastër ka qenë vazhdimisht në rënie gjatë zgjedhjeve të fundit, ku zgjedhjet për pushtetin vendor 2023 shënuan minimumin historik me 36%. Këtë herë, situata mund të ndryshojë pasi rreth 8,500 qytetarë të qarkut janë regjistruar për të votuar në distancë. Kjo përbën gati 7% të të gjithë votuesve të regjistruar dhe 17% të votave të hedhura në zgjedhjet e vitit 2021. Rrjedhimisht, rritja e pjesëmarrjes nga emigrimi pritet të ketë efekt jo të paktë në rezultat.

    ANALIZA: Gjirokastra, bunkeri socialist përforcohet me makinerinë e

    Profili demografik e social

    Qarku i Gjirokastrës shtrihet në një terren kodrinor dhe malor në Shqipërinë e jugut dhe është një nga qarqet më të prekura nga emigrimi dhe nga rënia demografike në Shqipëri. Në censin e vitit 2023, popullsia e qarkut ishte 60 mijë banorë rezidentë me rënie 13% kundrejt vitit 2011 dhe rënie 47% kundrejt vitit 2001. Qarku ka aktualisht një densitet popullsie prej 20 banorësh për kilometër katrorë. Qyteti i Gjirokastrës aktualisht numëron 16 mijë banorë nga 20 mijë që kishte në vitin 2011, ndërsa qytezat e tjera, Përmeti, Tepelena, Memaliaj e Libohova kanë pësuar tkurrje popullsie në shkallë edhe më të madhe. Afërsisht gjysma e popullsisë jeton në zonat urbane dhe gjysma në zonat rurale.

    Gjashtë nga shtatë bashkitë e qarkut kontrollohen nga Partia Socialiste, ku Gjirokastra dhe Tepelena kanë pasur vazhdimisht kryebashkiak socialist, ndërsa Përmeti dhe Memaliaj kanë pasur rezultat më të përzierë. Memaliaj është aktualisht një nga pesë bashkitë e vetme të vendit të qeverisura nga demokratët në opozitë.

    Kandidatët

    Mirela Kumbaro, ministrja aktuale e Mjedisit dhe Turizmit dhe deputete që nga viti 2013 është në listën e mbyllur të Partisë Socialiste për Qarkun Gjirokastër, ndërsa për Partinë Demokratike gjendet Tritan Shehu, gjithashtu deputet prej shumë mandatesh në Gjirokastër, gjithmonë i pari dhe i vetmi i partisë së tij.

    Në listat e hapura, socialistët garojnë me kryebashkiakun e dorëhequr të Tepelenës, Tërmet Peçi, i cili i ka gjasat të bëhet deputet pasi ka qeverisur qytezën e Tepelenës që nga viti 2011. Tre kandidatët e tjerë janë: Piro Dhima, një ekonomist, drejtor i një hoteli privat në Gjirokastër, Anila Dhimitri, punonjëse e OSHEE në Përmet, dhe Shyqyri Hysi, profesor në universitetin e Gjirokastrës.

    Nga radhët e opozitës garon Arben Ristani, ish-kryetar i KQZ-së, Maklent Dervishi, banor i fshatit Krahës i angazhuar në biznes privat dhe nënkryetar i Bashkisë Memaliaj, dhe Alma Kore, jetëshkrimi i të cilës nuk është i lexueshëm.

    BIRN

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit