21.5 C
Tirana
E hënë, 17 Nëntor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    ANALIZA: Qimi, Andi, Mandela dhe turma

    Rreth dy vjet më parë, disa portale ngritën një tymnajë të madhe rreth një skandali të supozuar që përfshinte ish-drejtorin e Autoritetit Rrugor Shqiptar, Ervis Berberin, bashkëshorten e tij Adela Ruko dhe emra të tjerë publikë. U fol për mesazhe të gjetura në një celular, për pagesa prej qindra mijëra eurosh dhe për dhurata të shtrenjta ku u përmend madje edhe kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci. Sipas mediave, telefoni përdorej për “punë të pista”. Tituj të fortë, insinuata, zëra anonimë.

    Që atëherë ka kaluar një kohë e gjatë. Asnjë provë nuk është publikuar. Asnjë dokument nuk është bërë publik. As SPAK, as ndonjë institucion tjetër nuk ka konfirmuar apo detajuar asnjë të dhënë. As vetë të akuzuarit nuk janë çuar në gjykatë. Megjithatë, në mendjet e qytetarëve kanë mbetur ende lajmet e para, ato që i hodhën vrullshëm Lapsi dhe Syri. Pjesa tjetër u harrua.

    Ky është një shembull i pastër i mënyrës se si media, që prej vitesh, ndikon turmat duke prodhuar jo informacion, por iluzione. Fenomeni ngjan me atë që njihet si Efekti Mandela: njerëzit kujtojnë si të vërteta ngjarje që nuk kanë ndodhur kurrë, vetëm sepse janë ekspozuar ndaj tyre në formë të përsëritur.

    Në Shqipëri, krahas abuzimeve reale që duhen hetuar, kemi edhe një industri të tërë që prodhon dyshime, jo fakte.

    Portale të etura për klikime marrin një thashethem, e paketojnë si “dosje”, e fryjnë si “skandal”, dhe ia servirin publikut si realitet. Opinioni publik, i lodhur dhe i irrituar nga korrupsioni i përditshëm, e gëlltit menjëherë çdo akuzë që përfshin shifra të mëdha e njerëz me pushtet. Në këtë pike, e vërteta nuk ka më rëndësi. Rëndësi ka ndjesia: “diçka ka pasur”.

    Në këtë kaos informacioni, shpifja shpesh merr statusin e faktit. Madje edhe kur koha provon të kundërtën, imazhi publik mbetet i dëmtuar. Ndryshe nga vendet me demokraci të konsoliduar, ku media përballem me pasojë ligjore dhe morale, në Shqipëri shpifja shpesh vesh petkun e investigimit, dhe një titull i bujshëm vlen më shumë se një provë konkrete.

    Ky është problemi thelbësor: media jonë nuk pasqyron gjithmonë realitetin — shpesh e prodhon atë. Në vend të analizës, kemi insinuatë. Në vend të dokumenteve, kemi “burime konfidenciale”. Në vend të verifikimit, kemi thirrjen e përhershme: “më shumë detaje në orët në vijim”.

    Ndërkohë, publiku mbetet viktima kryesore e kësaj loje. Pa kohë dhe pa mjete për të verifikuar, ai ndëshkohet nga një bombardim lajmesh që krijojnë konfuzion, dyshim dhe perceptim të shtrembëruar të realitetit. Në fund, kujtesa kolektive kthehet në një ekran të mbushur me tituj, jo me fakte.

    Rasti i celularit të harruar nuk është i vetmi. Por është një dëshmi e qartë e mënyrës se si në Shqipëri një histori e paqenë mund të bëhet e vërtetë në sytë e turmës. Kjo është arsyeja pse gazetaria e përgjegjshme është sot më e nevojshme se kurrë: jo për të krijuar realitet të ri, por për të mbrojtur të vërtetën nga zhurma.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit