Andi Bushati shkruan se gazetarët që thanë se SPAK ka prova të reja për Erion Veliajn, ndaj e lanë në burg, kanë dalë bllof.
Sipas tij, përgjimet e publikuar ditët e fundit tregojnë se s’ka asnjë provë të re.
Shkrimi i Bushatit
Publikimi i bisedave të përgjuara të Veliajt në burg, na tregoi përpos të tjerave, se SPAK, poashtu si partitë politike, apo edhe vetë kryebashkiaku në detyrë i Tiranës, ka në dispozicion një makineri të fortë mediatike. Po të kthejmë pak filmin pas, në ditët kur Erion Veliaj do dilte para gjykatës së apelit për të vlerësuar masën e arrestit me burg ndaj tij, në publik shpërtheu një fortunë e vërtetë. Thelbi i saj konsistonte në ato që u quajtën provat e reja, të cilat do e gozhdonin në burg të arrestuarin më të famshëm të politikës shqiptare.
Nga kangjellat e SPAK-ut shfaqeshin reporterë që transmetonin live tmerret e këtyre përgjimeve. Në titujt e televizioneve dhe gazetave kjo fabul u mor si e mirqenë duke iu kushtuar një hapsirë përtej normales. Në një farë mënyre, viktima të kësaj atmosfere të përgjithshme ramë edhe ne tek Lapsi.al, duke folur për këto fakte të reja që mund ta linin Veliajn në burg, ndonëse nuk kishim parë, prekur apo lexuar asnjërin prej tyre.
Sot kur bisedat e “Lalit” me gruan dhe të vëllain po zbardhen njëra pas tjetrës e vërteta po rezulton ndryshe nga ç’u shit në 11, 12 apo 13 mars. Në komunikimet e bëra publike vërtet shihet një tendencë për të ushtruar presion politik dhe mediatik mbi gjykatësit apo prokurorët, por aty përpos vizatimit të karakterit perverso-qesharak të stërnjohur të Veliajt, nuk vërehet ndonjë provë flagrante. Edhe më e fortë bëhet kjo bindje po të qëmtosh me kujdes dialogjet. Aty edhe vetë i burgosuri edhe familjarët e tij që gjenden jashtë, tregojnë që janë në djeni të faktit se ndodhen në përgjim. Pra ata nuk do i falnin me duart e tyre as SPAK-ut, as GJKKO dhuratën që do i zgjaste arrestin.
Tani kur situata është më e qartë dhe ne jemi njohur pak a shumë me përmbajtjen e bisedave të përgjuara, natyrshëm mund të ngrejmë pyetjen: pse u fry dhe u zmadhua pesha e tyre? Si ndodhi që u pranua të flitet për “prova gozhduese”, pa i lexuar ato? Cilët qenë ata reporterë që raportuan nga parvazi i SPAK “faktet tronditësë”, që nuk paskan qenë aspak të tilla?
Të tëra këto pikpyetje të shpien tek konkluzioni që u tha që në fjalinë e parë të këtij shkrimi: atë të ekzistencës së një makinerie të fuqishme propagandistike që përdoret nga SPAK.
Ky organizëm ka reporterët e vet që kanë ekzkluzivitetin e të vërtetave, por që pranojnë edhe të hedhin në treg “fake news-e” në favor të tij. Ai ka së dyti, armatën e opinionbërësve që komentojnë dhe fryjnë në studiot televizive “faktet” e raportuara nga të parët. Po ti shtosh këtyre edhe mbështetësit e partive politike që përkrahin, pa kaluar në filtrin e dyshimit, ç’do lloj akuze që qarkullon për rivalët e tyre, mekanizmi manipulativ bëhet i plotë. Pak a shumë me të njëjtat karakteristika si në rastin e Veliajt, ai është vënë në veprim për çdo goditje të rangut të lartë. Po njësoj ka ndodhur kur duhej arsyetuar izolimi i dyshimtë i Sali Berishës. E njëjta teknologji ka vepruar për të përligjur arrestimin e Ilir Metës.
Por efikasiteti më pervers i kësaj makinerie oruelliane shkelqeu me tërë kapacitetin e vet në rastin goditjes së kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri. Kur dikush ngrinte pikëpyetjen për mungesën e provave, dilte gjithmonë një tjetër që i përgjigjej që të mos nxitohej se më pas do të dilnin gjëma të papara. Kur të parët flisnin për urdhër politik ndaj SPAK-ut, të dytët përgjigjeshin menjëherë me klishenë e antishqiptarit që kish përdhosur flamurin me shqiponjë dhe donte ti jepte Vorio Epirin Greqisë.
Në të gjitha rastet motoja ka qenë e njëjtë: duhet mbarsur opinioni se SPAK ka të drejtë, duhet luajtur me emocionet për të heshtur zërat e atyre që kanë dyshime mbi thellësinë dhe saktësinë e provave të siguruara nga prokurorët e posaçëm.
Në këto kushte, kur tashmë është provuar se SPAK ka nxjerrë në fushën e lojës armatën e propagandistëve dhe manipulatorëve të vet, ngrihet pyetja se sa legjitime është kjo dhe çfarë pasojash afatgjata prodhon.
Një mendim i atypëratyshëm të çon të arsyetosh se SPAK është në të drejtën e tij. Se në një fushë loje, ku pothuajse mungojnë krejtësisht zërat e ftohtë, të pavarur dhe të arsyeshëm, pra në këtë arenë që dominohet nga manipulatorët dhe zëdhënësit faktikë të partive të mëdha edhe Prokurorisë Speciale do ti duhej të hidhte në betejë ushtarët e saj. Përndryshe, pa këtë lojë perverse atë do ta masakronin publikisht.
Pra kur i duhet të përballet me berishistët që kërkojnë ta ruajnë të pacënuar imazhin e liderit të tyre, apo me rilindasit që nuk i pranojnë mëkatet e Tahirit, Beqes, apo Veliajt, edhe SPAK duhet të përdorë të njëjtat armë si ata. Në vendet perendimore nuk janë tabu betejat që prokurorët e çështjeve të mëdha kanë bërë edhe në skenën mediatike përveçse në sallën e gjyqit. E shpesh kjo i ka ndihmuar ti fitonin çështjet. Pak a shumë këtë ka bërë edhe SPAk këtu tek ne e kjo është një nga arsyet që e mban atë lart në sondazhet e besueshmërisë, sado të dyshimta të jenë ato.
Por, kjo lloj strategjie kur shndërrohet në normë prodhon një problem. Sepse ndryshe nga partitë politike që kanë në dispozicion taborët e tyre të protagonistëve, synimi i drejtësisë nuk matet me votat apo pëlqyeshmërinë, por me aftësinë për të zbuluar fakte dhe për ti shkuar të vërtetës deri në fund. Pra SPAK nuk është ngritur për ti përkundur njerëzit me iluzione, por për të prodhuar, prova dhe rezultate në të mirë të tyre.
Duke e vënë theksin më shumë tek e para, në dëm të së dytës, duket se SPAK po prekeket nga “Lalëi-zimi”. Ai po i përshtatet devizës të viktimës të tij më spektakolare, se rëndësi nuk ka puna që bën, por mënyra se si e shet atë në sytë e njerëzve. Dhe mbështetja tek kjo mendësi përmban riskun e prokurorëve gjithnjë e më të dobët profesionalisht: sa më të pafaktuara dosjet, aq më të forta ulërimat e llapaqenëve që ulërasin nëpër studio, për provat e rënda që gjenden në to, sa me e pabazuar akuza, aq me fortë zhurma mediatike.
Pikërisht kjo fabul duket se është përsëritur edhe me “skandalin” e përgjimeve të Lalit, që para procesit të tij në apel, u shit për atë që nuk ishte. Prandaj dhe kjo po i dha mundësinë mbështetësve të rekrutuar prej tij të përforcojnë alibinë se atë po e mbajnë brenda pa prova.