11.5 C
Tirana
E hënë, 16 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Anila, Xhesika, Zenepe, Danjela, Sibora: Kush po i vret vajzat shqiptare?

    Anila, Jessica, Zenepe, Danjela, janë gra e vajza shqiptare, viktima të krimit në familjet në Itali.

    E fundit është Sibora, familja e së cilës jeton në Itali por trupi i saj pas 9 vitesh e zhdukur u gjet pak orë më parë, e murosur në banesën ku kish jetuar me të fejuarin e saj italian.

    Ministria e Brendshme italiane publikon çdo javë raportin mbi fenomenin e feminicidios e ai fundit me të dhëna prej 1 janarit 2023 deri më 5 qershor 2023 ka dokumentuar 49 gra viktima, 41 prej të cilave të vrara në ambiente familjare e 24 nga dora e një partneri o ish partneri.

    Danjela Neza 28 vjeç u vra në Savona natën mes 5 e 6 majit 2023. U godit me pistoletë në kokë nga ish i fejuari i saj Safayou Sow me origjinë nga Guinea. Punonin në një klub nautik në Darsena të Savonës. Danjela ishte kameriere e Safayou ndihmës kuzhinier. Historia e dashurisë mes tyre kishte zgjatur vetëm disa muaj.

    Natën e krimit, Danjela e Safayou ishin takuar për t’u sqaruar me kërkesë të ish partnerit të saj e pas një sherri verbal ai e ka goditur me pistoletë në kokë.

    Anila Ruci, 38 vjeçe, punonte si kujdestare familjesh në qytezën e Scaldasole në provincën e Pavias. Ajo u godit disa herë me thikë natën e 19 prillit 2023. Autori i krimit është shqiptari Osman Bylyku 31 vjeç, me të cilin jetonte me të një të njëjtën banesë.

    Pas krimit ai inskenoi një histori të trilluar sikur persona të panjohur kishin hyrë në banesë e kishin goditur për vdekje Anilën e kishin goditur dhe atë. Osman Bylyku kishte disa plagë në trup, por pa rrezik për jetën. Pas hetimeve të kryera nga Policia italiane, në banesën e dy shqiptarëve nuk kishte hyrë asnjë person tjetër atë natë e gjithçka është dokumentuar nga video kamerat e sigurisë. Sipas prokurorëve autori krimit Osman Bylyku ishte vetëgoditur me thikë për të shpëtuar nga akuza e vrasjes.

    Jessica Malaj është një dramë e fortë familjare. Jessica ishte 16 vjeçe e u godit me thikë nga babai Taulant Malaj, ndërsa ai tentonte të vriste nënën e saj e bashkëshorten e tij Tefta Malaj, 39 vjeçe. Pak minuta më parë Taulanti kishte goditur për vdekje dhe 51- vjeçarin italian Massimo De Santis për të cilin dyshonte se kishte lidhje me bashkëshorten e tij.

    Jessica 16 vjeçe mbeti e vrarë, ndërsa u përpoq të mbronte nënën e saj, e cila pas plagëve në trup, sot është jashtë rrezikut për jetën. Ngjarja ka ndodhur më 7 maj 2023 në komunën e Torremaggiore në provincën e Foggias.

    Zenepe Uruci 56 vjeçe u godit 5 herë me thikë nga bashkëshorti i saj Xhafer Uruci 62 vjeç në banesën e tyre në Terni. Xhelozia e posesiviteti i bashkëshortit ishte motivi i këtij krimi i regjistruar më 30 mars 2023. Një ditë pas arrestimit, Xhafer Uruci u gjet i vetëvarur me çarçaf në burgun e Ternit.

    Krime të forta, drama familjare me viktimë jo vetëm vajza e gra, por dhe fëmijët e familjarët e tyre.

    Një tjetër rast i rëndë që ka tronditur opinionin publik në Itali, Spanjë e Shqipëri është rasti i Sibora Gaganit.

    Sibora Gagani trupi i saj u gjet i murosur në banesën ku ajo ka jetuar me të fejuarin e saj, italianin Marco Romeutorio, i cili është dhe autori i këtij krimi. Shqiptarja prej vitit 2014 ishte shpallur e zhdukur, pasi ishte transferuar nga Nettuno në qytezën e Torremolinos në provincën e Malago së Spanjës me të fejuarin e saj, Trupi u gjet nga Policia spanjolle në murin ndarës mes dy dhomave ku ata kishin banuar në atë kohë.

    Sibora e Marco ishin njohur 15 vite më parë kur ajo ishte 22 vjeç. Vëmendja ndaj shqiptares të zhdukur prej 2014 nisi më 17 maj të 2023 kur Marco Romeo ish-i fejuari i saj u arrestua me akuzën e vrasjes së të ish-fejuarës së tij spanjollen Paula me të cilën kishte dhe një fëmijë. Paula ndërroi jetë pas 14 goditje thike në trup nga Marco Romeo.

    Ka qenë Marco, i cili gjatë marrjes në pyetje ka rrëfyer dhe se është autori i vrasjes së Siborës, të cilën e kishte murosur, version që më pas e kishte mohuar. Por, Policia Spanjolle hapi çështjen hetimore deri sa pak orë më parë ka bërë dhe zbulimin makabër të trupit të murosur prej 9 vitesh, Beta Shahini, nëna e Sibora Gaganit, ka thënë për mediat italiane se Marco Romeo është një serial killer. Si Sibora e Paula ngjanin shumë sikur të ishin motra, të dyja brune, të holla e sipas saj “Marco i zgjedh partneret e viktimat e tij për karakteristikat fizike, e më pas i vret”.

    Sipas saj, ai ka vrarë dhe vajza të tjera. Fenomeni i feminicidios mbetet një nga problemet më dramatike të shoqërisë italiane e pak orë më parë një tjetër ngjarje e rëndë ku viktima është italiane ka tronditur publikun.

    Në Milano një 27-vjeçar ka vrarë partneren shtatzënë 7-muajshe me fëmijën e tij e pasi ka tentuar ta djeg në vaskën e banjës e ka hedhur trupin, duke e fshehur disa metra larg banesë.

    Autori i viktimës është Alessandro Impagnatello e viktima Giulia Tramontana. Një peticion prej mbi 75 mijë firma po firmoset gjatë këtyre orëve në rrjetet sociale për të kërkuar burgim të përjetshëm për çdo autor të krimit të feminicidios e një drejtësi që nuk duhet të pranoj falje apo dënime të reduktuara.

    “Parandalim, mbrojtje e dënim ligjor i fortë”, janë tre pilastrat thelbësore ku do të bazohet puna e qeverisë italiane kundër këtij fenomeni, ka deklaruar Kryeministrja italiane Giorga Meloni e cila ka kujtuar se ndaj kësaj drame nuk ka ngjyra politike, e të gjithë duhet të jenë pjesë e një skuadre për të punuar kundër një tragjedie që ka shkaktuar më 2022 104 viktima” Ndërsa, Presidenti Mattarella ka apeluar për ti dhënë fund dhunës ndaj grave.

    “Denoncimi, tha ai është një akt kurajoz. Një veprim efektiv për çrrënjosjen e këtij fenomeni, duhet të bazohet në parandalimin e shkaqeve strukturore të fenomenit dhe në një kulturë respekti që investon tek të rinjtë përmes edukimit për barazi e refuzimit të çdo forme abuzimi”.

    Për të qenë më efikas në këtë fenomen dramatik të shoqërisë së sotme, Komisioni i Çështjeve Kushtetuese në Parlamentin Italian ka aprovuar një mocion për ngritjen e një Komisioni Hetimor Dydhomësh, i cili impenjon qeverinë italiane në vazhdimësinë e politikave për të luftuar dhunën në familje.

    E për këtë kërkohet zgjerimi i Fondit të politikave të mundësisë e barazisë gjinore, si dhe ngritja e një Fondi për viktimat e krimeve të dhunshme ndërkombëtare. E po ashtu një fushatë ndërgjegjësuese te burrat”. Nga fillimi i vitit deri më 5 qershor 2023 ,në Itali janë regjistruar 138 vrasje e 49 prej viktimave janë gra.

    Ora

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit