Procedura e tenderit për ndërtimin e portit të ri tregtar në Porto Romano është anuluar, pasi kompania e vetme që kishte mbetur në garë nuk paraqiti ofertë financiare.
Bëhet fjalë për kompaninë Archirodon, e cila nuk dorëzoi ofertën financiare brenda afatit të përcaktuar, më 9 mars, duke bërë që procesi i prokurimit të ndërpritet.
Tenderi kishte një vlerë të përllogaritur prej rreth 400 milionë eurosh dhe synonte ndërtimin e portit të ri tregtar në zonën e Porto Romanos.
Po ashtu mësohet se Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) po heton lidhur me proceduren e tenderit.
Vendimi për pezullimin vjen pas kërkesës dhe instimit të vazhdueshëm të SHBA-ve.
Kreu i Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë, Grant Van Cleeve, pak ditë më parë adresoi një letër publike për Edi Ramën dhe titullarë të lartë qeveritarë, në lidhje me tenderin e Porto Romanos.
Van Cleeve e konsideron këtë projekt si një vendim që merret një herë në 100 vjet dhe kërkon shtyrjen e garës pasi sipas tij projekti ekzistues i heq Shqipërisë shansin të jetë konkurruese në rajon.
Sipas Dhomës Amerikane të Tregtisë, vendimi i planifikuar për tenderin e Porto Romanos përfaqëson një moment strategjik që mund të përcaktojë pozicionin ekonomik dhe gjeopolitik të Shqipërisë në Evropën Juglindore për dekada.
Van Cleeve argumenton se projekti aktual i portit është shumë i vogël, me rreth 400 metra mur moli dhe një sipërfaqe portuale prej 38 hektarësh, kapacitete që nuk mund të konkurrojnë me portet e mëdha rajonale.
Ai paralajmëron se në këto kushte Korridori 8 mund të dështojë të zhvillohet si bosht i rëndësishëm logjistik lindje-perëndim, ndërsa flukset e mallrave do të vazhdojnë të përqendrohen në portet e Pireu dhe Selanik.
Sipas tij, një zhvillim strategjik i Porto Romanos duhet të synojë një port me ujëra të thella deri në 18 metra, me kapacitet mbi 2 milion TEU për kontejnerë, zona të mëdha logjistike dhe zona të lira tregtare, si dhe terminale për transport RoRo dhe energji, përfshirë edhe LNG nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në përfundim, ai kërkon që tenderi të shtyhet dhe projekti të rishikohet në përputhje me kërkesat strategjike të Korridorit 8 dhe NATO-s. Sipas tij, projekti mund të zhvillohet brenda këtij viti me financim të përbashkët nga partnerë nga SHBA dhe Italia, si dhe me përfshirjen e kompanive inxhinierike nga SHBA, Italia, Holanda dhe Turqia.



