Arben Ahmetaj është marrë zyrtarisht nën hetim nga Prokuroria e Posaçme.
Burime për Euronews Albania bëjnë me dije se emri i ish-zëvendëskryeministrit është shënuar në regjistrin e personit ndaj të cilit zhvillohen hetime për tre vepra pena si “Shpërdorim detyre”, “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale”.
Në dokument bëhet me dije se shtetasja e Erjola Hoxha nuk ka lidhje me hetimin që po bëhet nga prokuroria. Sipas SPAK kontrolli në banesën e saj lidhet me faktin se është bashkëjetuesja e ish-zëvendëskryeministrit dhe lidhjeve që ka me të.
Ahmetaj po hetohet nga Prokuroria e Posaçme në lidhje me përfshirjen e tij në çështjen e inceneratorëve.
Pak ditë më parë, ai kundërshtoi kontrollet e ushtruara në banesën e bashkëjetueses së tij, si dhe në banesën e ish-gruas.
Në ankimim citohej se kontrollet janë në kundërshtim me Kushtetutën dhe cënojnë sovranitetin e Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.
Kontrolli u ushtrua në një vilë në zonën e Hamallajt, ku u sekuestruan 30 mijë euro dhe një sërë dokumentesh që lidhen me këtë vilë.
Ndërkohë në shtëpinë e ish-bashkëshortes u sekuestruan vetëm disa dokumente.