10.5 C
Tirana
E shtunë, 21 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Arben Kraja, si mik i Ilir Metës, jo si kryetar i SPAK

    Kreu i Prokurorisë së Posaçme edhe për pak ditë, Arben Kraja foli në një intervistë televizive mbi ‘gjëmat’ e ‘bëmat’ që i ka bërë korrupsionit dhe krimit të organizuar në këto tre vite.

    Intervista ishte nga ato të rrallat para mediave e kreut të SPAK, por ajo nuk prodhoi asgjë të re. Risia e intervistës ishte përpjekja e Arben Krajës për të shitur si suksese dështimet dhe si paragjykime lidhjet me Ilir Metën.

    Kraja e ka pasur epror Ilir Metën në 2001-2002, kur në atë kohë kreu i Partisë së Lirisë drejtonte Shqipërinë si Kryeministër dhe Arben Kraja strukturën antikorrupsion në këtë qeveri.

    Se cilat kanë qenë arritjet e Krajës në krye të kësaj strukture, akuzat politike dhe vlerësimet e raporteve ndërkombëtare që e klasifikojnë qeverisjen ‘Meta’ si ndër më të korruptuarat e tregojnë më së miri.

    Dy dekada më vonë, bota është rrotulluar dhe tashmë nuk e ka Ilir Meta në dorë Arben Krajën, por Arben Kraja, Ilir Metën, me dosjet e dorëzuara në SPAK. Por, mëkatet e së shkuarës duket se nuk e lënë kreun e SPAK që të ecë përpara.

    I pyetur në intervistën e dhënë këtë të premte në lidhje me Ilir Metën, apo Ilir Metajn, Arben Kraja iu përgjigj duke përsëritur refrenin e zakonshëm ‘po hetojmë, po verifikojmë’, e të tjera si këto.

    Por, çfarë ka për të hetuar në një dosje ku provat për lobimin në SHBA të Ilir Metës janë sheshit dhe lehtësisht të aksesueshme në faqet zyrtare të autoriteteve amerikane? Kraja e di këtë.

    Rasti tjetër lidhet me hetimet ndaj Sali Berishës. Edhe për dosjet ndaj ish-kryeministrit tha se ‘po hetojmë’, duke harruar postulatin e bërë gjatë prezantimit të kandidaturës, apo tryezave me ndërkombëtarët se një prej parimeve që do të kishte parasysh në këtë detyrë do të ishte ‘të ndiqtë paratë’.

    Nëse do të ndiqeshin paratë dhe se ku ato shkojnë, apo ku ka dalë dhe si kanë dalë, dosjet ndaj Metës dhe Berishës do të ishin në një tjetër fazë sot. Në rastin e Berishës, mjafton të ndiqen paratë që u përfituan nga privatizimi i kompleksit ‘Partizani’? Kush ndërtoi aty? Kush përfitoi? Si dhe sa përfitoi?

    A ishte Sali Berisha pas përfituesve? Po familjarë, apo të afërm të tij?

    Në rastin e Ilir Metës mjafton gjurmimi i të gjitha gjetjeve që kanë bërë mediat austriake dhe ato shqiptare mbi shifrat e lobimit në SHBA në 2016-n dhe të padeklaruara në Shqipëri. Mediat ngrenë dyshimet se paratë kanë dalë nga xhepat e Ilir Metës dhe janë të përfituara nga afera korruptive.

    Për të dyja rastet, Arben Krajës i duhet t’i provojë ligjërisht dhe kjo bëhet duke marrë së pari në pyetje protagonistët e këtyre akuzave, pra Sali Berishën dhe Ilir Metajn. Por, kjo ende nuk ka ndodhur.

    Në një tjetër standard, kjo jo vetëm që ka ndodhur, por të akuzuarit mbahen edhe në qeli mbi bazën e akuzave të ngritura, që të quhen të provuara duhet të ketë një vendim përfundimtar të gjykatës. Bëhet fjalë për ish-ministrin e Mjedisit, Lefter Koka dhe ish-deputetin socialist, Alqi Bllako.

    Që të dy as janë marrë në pyetje para se të izoloheshin në qeli, por u veprua mbi bazën e gjyqit mediatik e akuzave publike, njësoj si gjyqet popullore në kohën e largqoftit.(Voxnews.al)

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit