Ish-ministri i Financave, Arben Malaj, ka komentuar debatin e ashpër parlamentar lidhur me çështjen e ministres Belinda Balluku, duke theksuar se bllokimi i institucioneve nuk i shërben as opozitës dhe as procesit demokratik. Në një intervistë për televizionin A2, Malaj nënvizoi rëndësinë e respektimit të prezumimit të pafajësisë si një parim themelor i shtetit të së drejtës.
Sipas tij, fakti që një zyrtar merret i pandehur apo nën hetim nuk mund të konsiderohet automatikisht si fajësi. “Ne vetë diskutojmë për ndryshimet në Kodin Penal për t’i dhënë më shumë rëndësi prezumimit të pafajësisë. Në momentin që një individ merret i pandehur, kjo nuk do të thotë se është fajtor,” u shpreh Malaj, duke shtuar se nuk merr në mbrojtje askënd dhe nuk akuzon askënd personalisht.
Ai kritikoi mënyrën se si u ngrit debati parlamentar mbi çështjen Balluku, duke e konsideruar kërkesën e opozitës për arrestimin e saj si një qasje që “nuk i shton asgjë debatit politik dhe institucional”. Malaj solli në vëmendje shembullin e oponencës për inceneratorët, të udhëhequr nga Jorida Tabaku, të cilën e vlerësoi si “shumë profesionale”, duke nënkuptuar se edhe debatet aktuale duhet të ndjekin të njëjtin standard.
“Po sikur nesër një prokuror që ka fuqi të marrë në hetim një tjetër anëtar të mazhorancës apo të opozitës, çfarë do të ndodhë? A do të kërkohet automatikisht largimi i tij nga qeveria, parlamenti apo pushteti vendor? Kjo nuk është mënyra si duhet të funksionojë,” theksoi ai.
Malaj argumentoi se fokusi i seancës duhej të ishte buxheti dhe jo zhvendosja e vëmendjes te çështje të tjera, duke apeluar për mosmbingarkim të axhendës parlamentare me debate të cilat, sipas tij, nuk përshpejtojnë as drejtësinë dhe as reformimin e institucioneve.
“Diskutimi duhej të ishte vetëm për buxhetin. Nëse duan, nesër apo pasnesër mund të zhvillojnë debatet e tyre politike, por jo të bllokojnë punën e parlamentit,” përfundoi Malaj.



