Flirti, aq i thjesht dhe kompleks në të njëjtën kohë, ka nevojë gjithmonë për këshilla që të mund të perfeksionohet.
Keni dalë për një gotë dhe jeni në “gjueti”, por flirti mund të mos jetë pika juaj e fortë, ndaj për të rregulluar aftësitë tuaja kemi disa këshilla që do iu vijnë në ndihmë.
Fillimisht, duhet të kuptojmë se një ‘fije e hollë’ ndan flirtin nga mirësjellja dhe ngatërrimi i këtyre të dyjave mund të sjellë mjaft probleme. Sinjalet e miksuara apo sinjalet që nuk deshifrohen siç duhet janë përgjithësisht problemet kryesore që ju bëjnë të dështoni në flirt.
Ndërsa zakonisht vajzat presin të “gjuhen”, djemtë janë gjithmonë në kërkim të “presë” së tyre. Të qenit ai që bën hapin e parë është e vështirë, por Arbër Çepani dhe vajzat e “Pa Manual” kanë disa këshilla për ju.
“Flirti në vetvete në kushte normale është e rëndësishme që njerëzit të ndihen mirë, të japin një energji të mirë, t’i bëjnë të tjerët të ndihen mirë. Kur ti bën një kompliment që ka njëfarë elegance brenda, përveç se bën publicitet, nuk ka asgjë tjetër.
Është shumë e rëndësishme që këtë ta kuptojnë sidomos meshkujt në Shqipëri sepse unë gjithmonë e them dhe mendoj që vajzat në Shqipëri janë 20 vite para meshkujve dhe meshkujt duhet të kuptojnë se ndahet shumë flirti apo komplimenti nga të pasurit një pronë private.
Mashkulli shqiptar bën një flirt, merr një kompliment dhe i duket sikur e ka pronë private atë”, këshillon Arbri.
Tre hapa për një flirt të suksesshëm
Krijo kontakt me sy. Kontakti me sy është gjëja më e thjeshtë dhe më e mirë që mund të bësh për të nisur flirtimin. Mund të shikosh thellë në sytë e personit, ndërkohë që herë pas here shmang kontaktin për të mos e bërë situatën shumë intensive.
Buzëqesh. Ndoshta do të buzëqeshësh automatikisht nëse po flet me dikë që të pëlqen, por mund ta përdorësh buzëqeshjen tënde edhe para se biseda të fillojë. Madje, mund t’i buzëqeshësh personit kur kaloni pranë njëri-tjetrit apo edhe nga largësia. Nuk ke nevojë të buzëqeshësh shumë; mjafton një buzëqeshje e thjeshtë dhe e lehtë për të bërë përshtypje.
Foli personit që të pëlqen. Prezantohu – ose ruaj misterin (opsionale). Nëse nuk e njeh personin me të cilin po flirton, një prezantim (ose mungesa e tij) mund të jetë një mënyrë e mirë për të ndërtuar flirtimin. Shmang tundimin për të përdorur fraza klishe. Një “Përshëndetje” e ndjekur nga një prezantim apo një pyetje e thjeshtë është shumë më efektive dhe natyrale.