Gazetari Arjan Çani ka komentuar situatën në të cilën ndodhet Partia Demokratike. Çani tha se është e paprecedentë që Lulzim Basha në dokumente rezulton ende kryetari i PD-së.
Sipas Çanit, kjo është një situatë që mund të ndodhë rëndom në jetën e përditshme por kurrë në politikë.
“Kemi dëgjuar që dikush të lërë në përdorim shtëpinë apo makinën, por të lësh partinë në përdorim, kjo është e padëgjuar.
Kjo duhet të hyjë në Guiness. Nëse bëjmë një kërkim në Google nuk ka në botë. Jemi para një rasti të paprecedent.
Mendoj se Basha mund ta ketë lënë edhe për 2025, sepse niset nga parimi që tjetër gjë është gjuha politike tjetër ajo juridike”, tha Çani.
Gjithashtu, ai u shpreh se Edi Rama ka arritur në atë pikë që askush nuk mund t’i imponohet dhe është në rrugën e duhur drejt mandatit të katërt.
“Gjithë vendet që na ngjasojnë ne janë Turqia, Serbia, vendet e Amerikës Latine. Ka modele të tilla që Rama ka shumë dëshirë t’i imitojë dhe është në rrugën e duhur se unë nuk shoh barriera, nuk shoh që Rama të tërhiqet.
Pse mos të vendosë opozitën që do ai? Kush do ta pengojë? Rama do të shkojë në mandatin e katërt sa më i qetë. Këta faktorë që po e shqetësojnë të jenë sa më minimalistë dhe këtu po shkon”, tha Çani.