Nga Adriatik Doçi
Beu i futbollit Armand Duka e sheh median me syrin e aleatit të tij të ri, Sali Berishës: Mediat argate që i bëjnë fresk dhe hapësirat raportuese mediatike armike, të cilat kanë pasqyruar perandorinë e aferave në FSHF.
Vendimi për të mos lejuar kolegun Ernest Koçi të Report Tv, për të ndjekur ndeshje Shqipëri-Gjeorgji si gazetar, është demostrim i hakmarrjes së verbër dhe i mentalitetit të trajtimit të futbollit si biznesin familjar të pularisë.
Akreditimi i gazetarëve për ndeshjet e kombëtares duhet të ishte thjeshtë një akt formal i FSHF-së. Refuzimi arbitrar konfirmon njësimin e FSHF-së dhe stadiumit me pularinë.
Një sjellje e tillë është tipike sovjetike dhe putiniste. Dhe meqë ra fjala, Armand Duka është një nga fijet gati të padukshme të oligarkëve të Putinit në Tiranë.
Armand Duka është pjesë e Këshillit Mbikëqyrës të OTP Bank në Shqipëri, e cila është degë e Grupit Hungarez OTP. Aksioner kryesor i Grupit Hungarez OTP dhe rrjedhimisht edhe i degës OTP në Tiranë është Megdet Rahimkulov, një oligark rus, i skeduar nga amerikanët për lidhje të forta me Putinin.
Rahimkulov ka qenë edhe drejtor ekzekutiv i Gazprom, i Panrusgaz dhe i disa bankave të nivelit të dytë, të cilat qarkullojnë para të dyshimta. Oligarku i listës së zezë së SHBA-ve ka tentuar që nga viti 2003 për të investuar në Shqipëri dhe ndoshta për të lëvizur disa fije të politikave të Putinit.
Megdet Rahimkulov, bankën të cilit e ‘mbikëqyr’ Armend Duka në Shqipëri, është në listën e sanksioneve të Departamentit të Thesarit të SHBA-së së bashku me dhjetëra oligarkë të afërt të Putinit.
Rahimkulov konsiderohet nga amerikanët mes 6 grupeve financiare më të fuqishëm në Rusinë e Vladimir Putin. Megdet Rahimkulov është identifikuar nga amerikanët si pjesë e fuqisë financiare dhe vepruese të Putinit për të ndërhyrë nëpër demokracitë në botë.
Ndaj nuk është për t’u çuditur nga fakti që Duka prej dy dekadash nuk i ka caktuar pagë vetes si kryetar i FSHF. Në disa rrethana paga mund të të prishë punë!