Gazetari investigativ Artan Hoxha është shpallur “person i padëshiruar” nga autoritetet greke, pasi u ndalua në pikën kufitare të Kakavijës ditën e djeshme.
I kontaktuar nga Newsbomb, Hoxha u shpreh se vendimi lidhet drejtpërdrejt me aktivitetin e tij profesional dhe investigimet e zhvilluara gjatë 25 viteve të fundit.
Ai tregoi se gjithçka nisi në kontrollin rutinë në kufi, kur pasaporta e tij u verifikua në sistemin e policisë greke. Sipas gazetarit, një efektiv kufitar e pyeti për prindërit dhe profesionin, më pas e njoftoi se nuk mund të vazhdonte udhëtimin, duke e dërguar në një kontroll të dytë më të detajuar.
“Po kaloja kontrollin rutinë në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, kur polici grek i kufirit sapo kaloi pasaportën time në sistem, menjëherë më pyeti se kush ishin prindërit e mi dhe se çfarë profesioni bëja. Ai tha se nuk mund të vazhdoja më udhëtimin drejt Greqisë dhe se duhej të kaloja në vijën e dytë të kontrollit për një seancë pyetjesh më të detajuar”, tha Hoxha për Newsbomb, teksa më tej shtoi se u mbajt për gati një orë në ambientet e policisë së emigracionit grek, ku iu morën të dhënat personale, gjurmët e gishtave dhe fotografitë.
Ai u njoftua zyrtarisht vetëm me një formular, në të cilin thuhej se shpallej “i padëshiruar”, pa asnjë shpjegim të mëtejshëm për arsyet konkrete.
Nga mënyra e pyetjeve dhe qëndrimi i oficerëve, Hoxha thotë se kuptoi se vendimi lidhet me raportimet e tij të vazhdueshme mbi çështje që sipas tij, prekin interesat shqiptare dhe përplasen me qëndrimet e palës greke.
Hoxha e cilëson masën e autoriteteve greke si një “vendim skandaloz për një vend të Bashkimit Europian”, duke e krahasuar me rastin e gazetarit Marin Mema, i cili prej vitesh është gjithashtu i shpallur “non grata”.
Sipas tij, ky veprim përbën një formë presioni dhe intimidimi ndaj gazetarëve shqiptarë që kanë raportuar për çështje të ndjeshme lidhur me marrëdhëniet shqiptaro-greke.
Çfarë detajesh shtesë mund të na jepni mbi momentin e ndalimit?
Hoxha: Veprimi i fundit i shtetit grek vjen për shkak të qëndrimit tim si gazetar në 25 vitet e fundit, pasi si qytetar nuk kam pasur kurrë probleme në Greqi. Në fakt, unë kam publikuar me dhjetëra e dhjetëra artikuj në shtypin e shkruar dhe dokumentarë në mediat vizive, ku kam denoncuar veprime konkrete nga pala greke apo të organizatave ultranacionaliste të mbështetura nga politika dhe shteti grek, në dëm të interesave të shtetit dhe kombit shqiptar. Veprimi në fakt nuk ishte i papritur, duke pasur parasysh si kanë vepruar edhe në të shkuarën me kolegë gazetarë si Marin Mema, që kanë denoncuar veprimet antishqiptare të shtetit grek. Në fakt, nuk kam sulmuar shtetin apo interesat greke, por kam mbrojtur interesat e vendit tim dhe të qytetarëve shqiptarë.
Si nisi gjithçka në pikën kufitare?
Hoxha: Po kaloja kontrollin rutinë në pikën e kalimit kufitar në Kakavijë, kur polici grek i kufirit, sapo kaloi pasaportën time në sistem, menjëherë më pyeti se kush ishin prindërit e mi dhe se çfarë profesioni bëja. Ai tha se nuk mund të vazhdoja më udhëtimin drejt Greqisë dhe se duhej të kaloja në vijën e dytë të kontrollit për një seancë pyetjesh më të detajuar.
Sa kohë u mbajtët në ambientet e policisë greke dhe si u trajtuat gjatë kësaj periudhe?
Hoxha: Po, kam qëndruar afro një orë në stacionin e policisë së emigracionit grek. Fillimisht më morën gjeneralitetet, pastaj gjurmët e gishtave dhe fotografi. Pasi më pyetën për aktivitetin tim, më thanë se do të më jepnin një vendim të shtetit grek ku unë shpallesha “i padëshiruar”. Edhe pse kërkova motivin e këtij vendimi, më paraqitën vetëm formularin ku shpallesha i padëshiruar dhe më kërkuan të largohesha menjëherë nga territori grek.
A ju sqaruan menjëherë arsyen e ndalimit?
Hoxha: Jo, nuk dhanë arsye konkrete, përveç formularit me shkrim që më dorëzuan. Por, nga mënyra e pyetjeve që më bënë dhe qëndrimi arrogant i oficerit të emigracionit, u kuptua qartë se cili ishte motivi. Kam cenuar interesa greke ndërsa kam qenë duke mbrojtur interesat e vendit dhe kombit tim.
Si e cilësoni ju personalisht këtë vendim të autoriteteve greke për t’ju shpallur edhe ju “non grata”, pasi siç dihet më herët është shpallur edhe gazetari Marin Mema?
Hoxha: Ky është një vendim skandaloz, gati mesjetar për një vend europian, i cili tregon në fakt fytyrën e vërtetë të demokracisë së këtij vendi. Shteti grek, edhe pse është një vend i BE-së, vazhdon të ketë një qëndrim diskriminues ndaj gazetarëve shqiptarë, të cilët kanë denoncuar veprimet antishqiptare dhe projektet e greqizimit të jugut të Shqipërisë. Kjo nuk është hera e parë; kolegu Mema ka afro 13 vjet që është viktimë e një qëndrimi të tillë. Për fat të keq, nuk ka pasur asnjë veprim konkret nga qeveria shqiptare apo Ministria e Jashtme në mbrojtje të integritetit të qytetarëve të saj, për më tepër kur janë gazetarë që kanë mbrojtur interesat e vendit.
A e kishit marrë më parë ndonjë sinjal apo paralajmërim se mund të ishit në listë të zezë?
Hoxha: Po, jam paralajmëruar më herët, pas vitit 2009, pasi kisha publikuar shkrime dhe disa dokumentarë në emisionin “Xhungël”, në lidhje me marrëveshjen për delimitimin e kufirit detar. Pastaj, pas vitit 2018, kur publikova videon ku Konstandinos Kacifas shfaqej i armatosur me automatik kallashnikov dhe uniformë ushtarake të forcave speciale greke, duke qëlluar mbi policinë e paarmatosur të stacionit policor të Dropullit.
Në vitin 2019, pasi Prokuroria për Krime të Rënda nisi hetimin kundër Fredi Bejlerit në lidhje me Masakrën e Peshkëpisë në vitin 1994.
Denoncimet dhe publikimi i fakteve të reja për implikimin e Fredi Bejlerit në Masakrën e Peshkëpisë, apo ndërhyrja e tij për të liruar kriminelë shqiptarë nga burgjet greke, gjoja se ishin minoritarë grekë të persekutuar nga qeveritë shqiptare, mesa duket e mbushën gotën. Gjatë viteve 2023–2024 unë kam pasur disa procese gjyqësore në gjykatën penale në Tiranë, të inicuuara nga Fredi Bejleri, por nuk ia doli të më frikësojë për të heshtur.
Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet në Parlamentin Europian, ku Bejleri ishte kandidat i partisë në pushtet në Greqi, Demokracia e Re e kryeministrit Mitsotakis, kam bashkëpunuar me media të mëdha greke duke sjellë për ta informacione që tregonin para publikut grek të kaluarën problematike të Bejlerit. Mesa duket, të gjitha këto ndikuan që shteti grek të më identifikojë si një pengesë për planet dhe interesat e tij, për greqizimin e jugut të vendit.
Vendimi i fundit është një tentativë e pastër presioni dhe intimidimi për të hequr dorë nga denoncimi i interesave antishqiptare të mbështetura nga qarqe të caktuara politike dhe shteti grek.



