Protothema, një nga mediat më të mëdha në Greqi, i ka bërë jehonë shpalljes së gazetarit shqiptar Artan Hoxha, person “non-grata” në vendin helenik, duke pretenduar se ka zbuluar dhe arsyen se përse autoritetet kanë marrë këtë vendim.
Media greke e nis shkrimin e pamjet e publikuara, kur ai shkon në Doganën e Kakavijës dhe aty njoftohet për vendimin e palës greke, si dhe urdhrin për t’u kthyer pas, pasi kishte një ndalim hyrje të përjetshëm.
“Gjatë kontrollit, autoritetet greke e informuan atë se ndaj tij ishte vendosur një ndalim hyrjeje për jetë, pasi ai konsiderohet një “kërcënim për rendin publik dhe sigurinë e brendshme”. Hoxha më parë ka qenë shqetësues për shërbimet greke për shkak të qëndrimeve të tij nacionaliste dhe promovimit sistematik të idesë së “Shqipërisë së Madhe”, thotë artikulli.
Protothema.gr shkruan se një incident tipik ishte vizita e tij në vitin 2024 në Konicë, kur ai kishte protestuar publikisht për mungesën e një flamuri shqiptar. Sipas medias greke, veç të tjerash, vizita e tij e fundit në fshatin Konicë të Janinës është bërë shkak për shpalljen “non-grata”.
Postimi i Hoxhës në vitin 2024, sipas Protothema
Në janar të vitit 2024, Artan Hoxha udhëtoi për në Greqi dhe kaloi pushimet në Konicë. Atje, ai qëndroi nën një vend në urën historike ku është vendosur flamuri grek dhe bëri me duart e tij simbolin e Shqipërisë së Madhe.
“Në mungesë të një flamuri të kuq në urën 150-vjeçare prej guri… unë bëra shqiponjën me dy koka…” tha ai në një postim të lidhur.
Sipas një dokumenti zyrtar që i është dorëzuar gazetarit dhe që mban vulën e autoriteteve kufitare të Kakavijës, arsyeja e ndalimit është se “kërcënon sigurinë e brendshme të BE-së ose të një shteti anëtar” dhe nuk jepen detaje të mëtejshme.
Konica ndodhet jo më shumë se 54 kilometra nga qyteti i Përmetit dhe rreth 18 kilometra nga pika kufitare e Tre Urave që lidh këtë zonë të Shqipërisë me Greqinë. Dikur kjo zonë jetohej nga fiset ilire të Mollosëve dhe më pas ishte pjesë e Sanxhakut të Janinës, fuqinë më të madhe e mori gjatë drejtimit të Ali Pashë Tepelenës.
Nëna e tij, Hankoja, ishte nga Konica. Mjafton kaq për të kuptuar se sa të fortë e ka lidhjen me historinë kjo zonë. Po nga fshati Konicë, ka qenë edhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të lëvizjes kombëtare, studiuesi Faik Konica.



