0.5 C
Tirana
E diel, 28 Dhjetor, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    “As në rininë time ‘Xhulietës s’i kam shkuar mbrapa si Albin Kurtit”

    “As në rininë time, nuk i kam shkuar mbrapa një ‘Xhuliete’ indiferente me aq shumë kërkesa sa i kam bërë personalisht Albinit [Kurti] për këtë takim dhe takimin e mëparshëm gjatë të cilës unë doja të jepja një ndihmë”.

    Kështu e komentoi përpjekjen e tij Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, për t’u takuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, pas refuzimeve të njëpasnjëshme të këtij të fundit ndaj homologut të tij nga Shqipëria.

    Rama në kuadër të turit të tij në Ballkan, të enjten, pikë ndalese e pati fillimisht Maqedoninë e Veriut, pastaj Kosovën.

    Në Kosovë, kreu i ekzekutivit shqiptar takoi presidenten Vjosa Osmani, kryeparlamentarin Glauk Konjufca, si dhe ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Jeff Hovenier, por jo edhe homologun e tij Albin Kurti.

    Kurti refuzoi ta takonte Ramën. Shkak, sipas tij, ishte anulimi i mbledhjeve të dy qeverive që ishte paraparë që të mbahej më 14 qershor, në qytetin e Gjakovës.

    Siç thoshte, Rama, kjo mbledhje ishte anuluar si pasojë e zhvillimeve në Veri të Kosovës, dhe në formatin e paraparë do të ishte e pakuptimtë që të mbahej, prandaj ai kishte propozuar një format tjetër, më të ngushtë, përgjigjja e Kurtit ishte negative.

    Përgjigje negative, kryeministri kosovar do të kishte edhe për kërkesën tjetër të Ramës, në kuadër të turit të tij ballkanik.

    Përkundër se Kurti refuzoi të mërkurën takimin me Ramën, ai edhe të enjten, pak para se të vinte në Prishtinë, insistoi për ta takuar homologun e tij kosovar, madje përdori edhe një shprehje të së drejtës zakonore shqiptare që mban vulën e një personaliteti të shquar të historisë shqiptare – të cilat për një kohë të gjatë kishin funksionuar si “ligje” që kishin rregulluar funksionimin e shoqërisë shqiptare – Kanuni i Lekë Dukagjinit.

    “Albini nuk e ka harruar akoma kanunin që kur vjen në shtëpi edhe hasmit i hapet dera dhe është e ndaluar të nxjerrë deri kur ai të mbarojë fjalën”, tha Rama gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij nga Maqedonia e Veriut, Dimitar Kovacevski.

    Edhe kjo thirrje hasi në “vesh të shurdhër”. Kurti nuk pranoi takimin me Ramën.

    Më kënd u takua Rama në Kosovë dhe çfarë u tha?

    Pasi përfundoi vizitën e tij në Maqedoninë e Veriut, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, pasditen e së enjtes mbërriti në Kosovë, ku u prit në aeroport nga ambasadori shqiptar në Prishtinë, Qemal Minxhozi, për të vazhduar drejt zyrave të presidencës, ku e priste për tu takuar presidentja Vjosa Osmani.

    Në llogarinë e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, presidentja Osmani, shkroi vetëm se me Kryeministrin e Shqipërisë, diskutoi për samitin e NATO-s e për Procesin e Berlinit, por në njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, bëhet e ditur se ishte edhe çështja e Veriut të vendit, pas tensioneve të krijuara atje.

    “Me Kryeministrin Edi Rama diskutuam sot proceset e ardhshme në agjendën ndërkombëtare, me fokus në Samitin e NATO-s dhe Samitin e Procesit të Berlinit. Forcimi i mëtejmë i bashkëpunimit në mes të dy shteteve tona është në të mirë të qytetarëve tanë dhe në të mirë të së ardhmes sonë të përbashkët euroatlantike”.

    Në njoftimin zyrtar të Presidencës së Kosovës, megjithëse se në fund të fjalisë, bëhet me dije se dyshja kanë diskutuar edhe për tensionet në pjesën veriore të Kosovës të banuar me serbë etnikë dhe për planin tre-pikësh të Bashkimit Evropian për relaksimin e gjendjen së tendosur në terren.

    “Në raport me situatën e sigurisë në Veri, Presidentja Osmani theksoi se Kosova ka demonstruar vullnet për de-eskalim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës”, thuhet në njoftimin e lëshuar për media të enjten.

    Takimi mes Presidentes Osmani dhe Kryeministrit Rama – nuk ka pasur konferencë të përbashkët për media.

    Ndërsa, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një prononcim para gazetarëve pas takimit me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, ka mohuar të ketë “acarim” të marrëdhënieve në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Shqipërisë, por ka thënë se megjithatë, janë “lënduar” nga anulimi i mbledhjes së dy qeverive.

    Kryekuvendari Konjufca theksoi se akoma nuk ka ardhur momenti që krerët e dy qeverive të mos takohen fare.

    “Nuk është acarim i raporteve – ashtu siç po e quani ju – aq sa të mos takohen fare. Unë do të kisha përdor shprehjen lëndim – kur të lëndon dikush. Ne kemi qenë të lënduar prej anulimit të mbledhjes së qeverive. Por jo edhe aq të lënduar sa të mos e presim fare kryeministrin Rama”, ka thënë Konjufca.

    Ai ndër të tjera shtoi se me kreun e ekzekutivit shqiptar kanë biseduar për situatën politike dhe të sigurisë në pjesën Veriore të Kosovës dhe për ndihmën që presin nga Shqipëria – anëtare e NATO-s.

    “Kosova gjithmonë ka bërë hapa gjigantë në kauzën e vet, në çdo kohë, për sa kohë që Shqipëria i ka qëndruar prapa. Mua më kujtohen vetëm 2-3 momente nga vitet ’90, edhe gjatë kohës së presidentit [Ibrahim] Rugova, ku Shqipëria i ka dalë kundër Kosovës. Ato kanë qenë raste shumë të rralla”, deklaroi ai.

    Kryekuvendari Konjufca ka renditur tri momente kur autoritetet kosovare, sipas tij, janë “lënduar” nga shteti shqiptar: ideja për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë, iniciativa rajonale “Open Balkan” dhe mos-kuptueshmëria e shtetit shqiptar për të kuptuar përpjekjet e Kosovës për shtrirjen e sovranitetit në Veri.

    Takimet me Osmanin dhe Konjufcën ishin parlajëmruar më herët nga Rama, mirëpo agjendës së takimeve iu shtua edhe një tjetër; ajo me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeff Hovenier.

    Fillimisht, për takimin raportoi përmes burimeve të veta Albanian Post, të cilat u konfirmuan nga vetë kryeministri Rama.

    Në një intervistë për televizionin “Klan Kosova”, kryeministri shqiptar ka thënë se takimi është realizuar me kërkesën e vetë ambasadorit Hovenier, meqenëse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, përjashtoi kategorikisht mundësinë e një takimi me homologun e tij.

    “Ambasadori Hovenier më kërkoi vetë takim. Nëse do të takoja kryeministrin s’do kisha kohë, por meqenëse nuk e takova kryeministrin, takova ambasadorin. Unë do të takojë edhe ambasadorin e Palestinës po të më kërkonte… takimi është gjëja më e mirë që ndodhë në jetën e njerëzve”, tha kryeministri Rama.

    Mesazhet e Ramës për Kurtin

    Të shumta ishin edhe mesazhet e Ramës në adresë të homologut kosovar Albin Kurti, takimi me të cilin nuk u mundësua të enjten e 6 korrikut.

    Ai i bëri një ftesë Kurtit duke i kujtuar se “njerëzit duhet të flasin për më tepër kur kanë qëndrime të ndryshme”.

    “Unë nuk kam ardhur të interpretoj qëndrimin e Albinit. Gjëja më e rëndësishme sot është që njerëzit të takohen, njerëzit të flasin dhe për më tepër kur kanë qëndrime të ndryshme. Duke u takuar dhe duke folur e kuptojnë dhe lexojnë më mirë qëndrimin e njëri-tjetrit”, u shpreh kreu i Qeverisë.

    Rama shtoi se palët kanë komunikuar natyrisht, ose më saktë Rama ishte përpjekur të komunikonte me Kurtin.

    “Ka qenë e vështirë, është një moment i tillë dhe unë nuk dua të jap gjykime”, shtoi kryeministri shqiptar.

    Madje në një moment ai e krahasoi kërkesën për takim me Kurtin me atë të “një Xhuliete indiferente”.

    “As në rininë time, nuk i kam shkuar mbrapa një ‘Xhuliete’ indiferente me aq shumë kërkesa sa i kam bërë personalisht Albinit për këtë takim dhe takimin e mëparshëm gjatë të cilës unë doja të jepja një ndihmë”.

    Ai shtoi se ndryshe nga takimi i mëparshëm i kërkuar më Kurtin, për këtë takim, Kosova është aty si një nga gjashtë vendet, sqaroi kreu i Qeverisë.

    “Unë nuk e konceptoja dot që në raportin që ne do të bëjmë për Berlin-in ne do të shkruajmë që nga Kosova s’kemi ndonjë material, s’kemi ndonjë kërkesë, s’kemi ndonjë propozim sepse nuk kemi arritur të kontaktojmë. Kjo është absurde”, theksoi ai.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit