Nga Esi Dervishi
Para dy javesh nisa te shihja sezonin e ri te “Sex and the city”. I rebranduar tashme quhet “And just like that” dhe deri tani eshte po aq jo-emocionues sa titulli.
Eshte viti 2021 dhe Carry ka nje podcast (domosdo. Kush shkruan me blogje pra?), po te pakten eshte martuar me Mr. Big dhe nuk duan te na bindin qe arrin te bleje Jimmy Choos me leket e podcastit.
Qe ne episodin e pare Carry perballet me veshtiresine per te folur per masturbimin ne podcastin e vete. CFARE?!
Nuk eshte ky vazhdimi i showt ku Samantha ishte duke u masturbuar ne cdo 3 episode? Eshte liria qe solli ne perditshmeri per te folur mbi jetimin e seksualitetit te grave ajo cka e beri aq popullor ne fillim te viteve 2000 dhe kaq ikonik akoma. Po pertej indinjimit me hartuesit e serialit, me beri te mendoj: Sa pak flitet per seksin ne Tirane!
Ne kryeqytetin e qiellgervishteseve luksoze dhe qytetareve dixhitale, por pa furnizim me uje te pijshem dhe pagesa me karte, nuk ka seks.
Tirana eshte nje metafore e gjalle e njerezve qe e popullojne: zhvillimi eshte vetem fasade.
Nje veshtrim kalimthi i qytetit mund te te binde se jemi qender zhvillimi ekonomik e social: restorante luksoze, makina te shtrenjta, shume gjalleri, shume bare, ambiente plot me vajza te veshura ekstravagante qe nuk druhen nga lakuriqesia e tyre, por si ne kengen LDN te Lilly Allen qe tregon kontrastin mes idese mbi Londren dhe Londres se vertete, shume shpejt fillon te veresh qe koshat e mbeturinave jane duke u zbrazur ne mes te rruges, njerezit nuk dine t’i japin makines, dhe ajo vajza me dekolte qe po shihje ne club, ne momentin qe i afrohesh per t’i folur te injoron plotesisht, dhe jo detyrimisht sepse nuk i pelqeve.
Nga njera ane jemi te bombarduar me imazhe pothuajse soft-core te grave dhe vajzave ne rrjete sociale, ne televizion, por dhe ne jeten publike, nga tekste kengesh qe flasin per q*rje (Hah! ironia qe kam nisur ta perdor si fjale shume vone, dhe ende shume rralle, se turp) e djem qe diskutojne mes tyre per kapje e seks te fuqishem, dhe ana tjeter ka nje ndrydhje e mbyllje pothuajse totale ndaj seksualitetit. Sepse seksi ne Tirane (hej po flas per Tiranen, se nese flas per qytetet e tjere nuk eshte me problem i botes se pare) jepet dhe kembehet, nuk jetohet.
Seksi eshte dicka qe gruaja i jep burrit, dhe mund te zgjedhojme lirisht foljen “le” si pjese e zhargonit popullor: ma la, s’ma la, do ma lere, ia la, ia ka lene, kur do ma lesh. Theksoj nderkohe qe po i referohem vetem dinamikes heteroseksuale, nuk kam informacion si funksionon ne raportet homoseksuale, po paragjykoj qe jane me mire.
Keshtu grate dhe burrat reduktohen ne karikatura te vetes, qe nuk njohin veten mbi te gjitha e pastaj as palen tjeter, e vishen me karakteristika te ngurta te rolit qe u takon te luajne ne kete tregun e shkembimit.
Nuk ka vend te flitet per masturbim te vajzave per sa kohe akti nuk i sherben raportit me nje burre. Dhe masturbimi i burrave shihet si shfryrje primitive qe grate duhet ta tolerojne, njesoj sic tolerohen qente. Raporti tipik eshte problematik keshtu dhe ne nivel emocional. Burrat shihen aq shume si kafshe ne kete aspekt, sa eshte gati e pakonceptueshme te mos duan seks. Kur degjon per raste te frikshme perdhunimesh ne vend, masivisht ka thirrje per hapje te shtepive publike, pikerisht nga bindja se burrat kane nevoje per seks, dhe u duhet dhene ne ndonje lloj menyre, cka nga ana tjeter thekson serish pozicionin e grave si dhenese te seksit e jo perfituese.
Do thoja se ka nje thyerje te komunikimit mes sekseve ne Shqiperi, por e verteta eshte se nuk eshte ndertuar kurre. As nuk guxoj te hyj te analizoj raportet e brezave te meparshem. Prinderit tane ne mase nuk njohin veten, nuk kishin asnje mundesi te na mesonin me mire, por ne ama jetojme ne momentin me te mire historik te njerezimit per aksesin ne informacion e edukim.
Rinia shqiptare sot eshte si kullat moderne qe ngrihen mbi rrenojat e shtepive te vjetra ne Tirane: mendojme se po shembim gjithcka qe morem nga prinderit tane per te ndertuar me mire, por jemi te paafte te permiresohemi ne nivel vlerash. Jemi serish keq, vetem se kete here me fasada xhami dhe profile vanitoze ne instagram.