6.5 C
Tirana
E premte, 15 Nëntor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Atentati në Vlorë pasojë e vendimeve të drejtësisë, si e liroi gjyqtarja Arbana Selmanaj nga burgu Shpati Lenën me 2 akuza të rënda

    Nga Adriatik Doçi

    Segmente të drejtësisë shqiptare vijojnë të kontribuojnë me vendimet e tyre të dyshimta, në atentatet mafioze që po organizohen dhe finalizohen në rrugët e Shqipërisë, duke lënë pas një numër të frikshëm viktimash. Edhe atentati i sotëm në autostradën Fier-Vlorë, ku u vranë me breshëri kallashnikovi në makinë Shpati Lena dhe Hakim Xhezo, është pasojë e vendimeve të dyshimta atë gjykatave.

    Shpati Lena, i cili dyshohet se ka qenë edhe objektivi kryesor i atentatit për shkak të të kaluarës së tij kriminale, është arrestuar për herë të fundit nga policia në 22 mars të vitit 2022, pra 5 muaj më parë, në zonën e Ujit të Ftohtë, me automjet të blinduar dhe armë.

    Tre ditë më vonë, gjyqtarja e Vlorës, Arbana Selmanaj, ka urdhëruar lirimin e menjëhershëm të Shpati Lenës nga burgu, duke i dhënë masën ‘detyrim paraqitje’. Rrethanat në të cilat është liruar Lena nga burgu e bëjnë vendimin e gjyqtares Selmanaj tepër të dyshimtë.

    Së pari, Shpati Lena ishte dënuar më parë për armëmbajtje pa leje, pra ishte një personazh me precedentë kriminal.

    Së dyti, Shpati Lena, ishte i dyshuar për ngjarjen e ndodhur në 4 gusht 2019 në Plazhin e Vjetër, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre.

    Së treti, Shpati Lena akuzohej për armëmbajtje pa leje dhe moskallëzim krimi, dy akuza të rënda, ku vetëm për armëmbajtje pa leje si përsëritës, rrezikonte deri në 15 vite burg.

    Në makinën ku ndodhej Shpati Lena janë gjetur dy armë të tipit pistoletë dhe municione. Ariel Kingji dhe Kristo Drolli kanë deklaruar se armët u përkisnin atyre, një manovër kjo për të shpëtuar Shpati Lenën, i cili ia hodhi edhe një herë drejtësisë, por jo armiqve të tij.

    Në këto rrethana, Shpati Lenës do t’i mbetej vetëm akuza e moskallëzimit të krimit, vepër e cila dënohet me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet burg. Mbetet mister se si Shpati Lena i shpëtoi drejtësisë në lidhje me ngjarjen e 4 gushtit 2019, ku mbeti i vrarë Arben Beqiraj dhe u plagosur djali i tij dhe një i afërm i tyre, pas sherri për një kalë.

    Në ngjarje kanë marrë pjesë Ermal Xhezo, vëllai i Hakim Xhezos që u vra sot, Shpati Lena, Ariel Kingji dhe Kristi Dolli. Dy të fundit u kapën me armë me Shpati Lenën tek Uji i Ftohtë në mars 2022. Për këtë ngjarje policia arrestoi Ariel Kingji, Kristi Dolli dhe Shpati Lena u arrestuan nga policia, por më pas u liruan, ndërsa në burg mbeti Ermal Xhezo.

    Kush është Arbana Selmanaj, kaloi Vettingun

    Arbana Selmanaj i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe pas një periudhe stazhi në Gjykatën e Durrësit, u emërua gjyqtare në Gjykatën e Pukës. Prej vitit 2011, Selmanaj e ushtron funksionin pranë Gjykatës së Rrethit Vlorë.

    Arbana Selmanaj është konfirmuar në detyrë nga Komisioni i Vetingut në dhjetor të vitit 2021. Procesi i Vetingut për gjyqtaren Selmanaj u krye nga Brunilda Bekteshi, Suela Zhegun dhe Firdes Shulin. Gjyqtarja u vlerësua pozitivisht për të tre kriteret; pasurinë, profesionalizimin dhe figurën.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit