19.5 C
Tirana
E premte, 4 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Babai ab*zoi me vajzën e tij, komentuesit kërkojnë dënimin me vdekje, Zhaklin Lekatari: Skandaloze! Si mund ta mendojnë?

    E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Zhaklin Lekatari, për të diskutuar më shumë mbi rastin tronditës në Fier, ku babai kishte abuzuar seksualisht me vajzën e tij të mitur…

    Pas bërjes publike të këtij rasti në media, shumë komente në rrjete sociale shprehnin mendimin e dënimit me vdekje. Lekatari e quajti ide skandaloze.

    Zhaklin Lekatari: Kjo ka qenë gjëja më skandaloze, nga këta njerëz të ngritur që kanë qenë të parët që kanë propozuar dënimin me vdekje. Dhe ajo që mua më shqetëson, është se si këta njerëz mund të mendojnë që nëse shteti merr të drejtën e dënimit me vdekje, a nuk e bën kjo shtetin të barabartë me vrasësin?

    Dhe që kur vrasja mund të pastrohet apo të zhbëhet me një vrasje tjetër? Dhe që kur ne mendojmë që drejtësia nuk është një ringritje morale, por është një shkatërrim dhe është një zhdukje e ekzistencës së personit, i cili gjithashtu ka kryer një krim? Ne jetojmë në një shtet demokratik, sekular.

    Dhe qëllimi i shtetit demokratik dhe sekular e një republike siç është Shqipëria, nuk është hapja e burgjeve dhe dendja e burgjeve, por është rekuperimi i këtyre njerëzve, pra parandalimi. Qoftë edhe institucioni i policisë. Institucioni i policisë, si qëllim nuk ka kapjen e kriminelit mbasi ka mbaruar krimi, por është parandalimi i krimit.

    Në momentin që policia parandalon krimin, atëherë quhet që ky institucion e ka kryer punën e vet me sukses. Mbasi ka ndodhur krimi dhe policia bën procedurat teknike të rastit që duhet të bëjë, unë këtë nuk e mendoj të suksesshme.

    Prandaj unë nuk besoj tek dënimi me vdekje, nuk besoj që një vend demokratik që synon demokracinë si Shqipëria, synon të jetë sovrane, që synon Bashkimin Evropian, ta çojë në paradhomën e mendjes së saj dënimin me vdekje.

    Më revolton jashtëzakonisht shumë kjo si mundësi, fakti që sa herë ne kemi ngjarje të tilla makabre, ne nuk mendojmë asnjëherë si ta parandalojmë këtë ngjarje, çfarë ka ndodhur, pse këta njerëz bëjnë ngjarje të tilla?

    Pse Shqipëria është kthyer në një kazan fenomenesh sociale makabre? Pse ne si zgjedhje gjejmë vetëm vdekjen? Pra për të parandaluar vdekjen, kemi vdekje!

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit