Mbrëmjen e djeshme në emisionin “Top Story” me Grida Dumën, ka qenë e ftuar vajza e artistit të njohur të humorit Agron Llakaj, Alkida Llakaj. Përafërsisht një vit më parë nëna e saj ka humbur jetën nga përballja me kancerin, humbje të cilën Agron Llakaj nuk e ka kaluar ende.
E prekur, ajo rrëfeu dhimbjen e madhe që po kalojnë si familje dhe u shpreh se për më tepër për Agronin nuk është një dhimbje e lehtë. Alkid zbuloi edhe se aktori i njohur i humorit i çon çdo ditë lule në vendin ku bashkëshortja e tij prehet.
“Sa vite ka im atë në skenë unë i kam në jetë, pothuajse 40 vjet është dalja ime e parë televizive, isha shumë e dyzuar, unë s’isha emocionalisht mjaftueshëm e fortë për të folur për babin sepse e kam kudo të asociuar kudo me mamin, qoftë edhe në telefonin tim unë i kam të dy të pandashëm, ashtu dua t’i mbaj gjithmonë pranë zemrës sime.
Janë 3 vite që për ne kanë qenë një sfidë, ka qenë mes korriku ku ne morëm një diagnozë fatale të mamit dhe deri sot që flasim janë 3 vite pikëllim, për ne është si të jesh brenda një humnere për shkak të humbjes sonë, kemi humbur boshtin e familjes.
Postimet e babit nuk janë të hiperbolizuara, shkon përtej kësaj, prej ditës që mami është larguar nga jeta, babi e viziton çdo ditë, në rastet kur është dashur të jetë jashtë Tiranës më ka thënë Alkida tek mami, sigurisht unë shkoj edhe pa ma lënë porosi. Kam njohur një dimension të jashtëzakonshëm, human të tij…”