12.5 C
Tirana
E diel, 22 Shkurt, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Babi më ka ndërruar jetë, nënën e kam të sëmurë nga koka, pas shkolle dal dhe shes lajthi

    Në Pogradec, teksa shëtitorja buzë liqenit ishte e tejmbushur me fëmijë që luanin sot për Ditën e Verës e me prindër që kujdeseshin për çdo hap të tyre, përshtypje më bëri një djalë i vogël, me fytyrën e mërzitur, që po shiste lajthi.

    E pashë me bisht të syrit, por nuk e ndalova. Mendja më mbeti tek ai. Zoti (fati, natyra a rastësia) e solli afër meje përsëri, teksa po pija kafe. Shoku që isha ulur i kërkoi lajthi.

    — Si quhesh? — e pyes unë.

    — Eduard.

    — Sa vjeç je?

    — 13.

    — Sa kohë ke që shet lajthi?

    — Po kam nja dy-tre vite.

    — Po prindërit pse të lënë të punosh kaq i vogël? Nuk shkon në shkollë ti?

    — Babi më ka ndërruar jetë. Mamin e kam të sëmurë nga koka. Unë shkoj në shkollë e pas shkolle dal dhe shes lajthi. I çoj lekët mamit për ilaçe.

    — Mëson në shkollë?

    — Po mësoj. — (i turpshëm dhe ul kokën sikur do të ikë)

    Shoku im nxjerr gjithë lekët që kishte dhe ia jep, e Eduardi numëron lajthitë.

    — Nuk kam kaq shumë lajthi…

    — Mbaji, mbaji lekët, por mos ki turp që punon. Sepse nuk je fëmijë, je burrë, — thotë shoku im që vendos syzet për të mos u parë që i dolën lot nga sytë.

    Iku. Me një hap të lehtë. Me kokën ulur. Shok nuk kishte me vete. Në dorë mbante 5-6 qese lajthi që kushtonin një mijë lekë të vjetra e që nuk i haje dot. Më dukej vetja i paaftë për të ngrënë nga duart e atij heroi të vogël. Atij heroi burrë.

    Pogradec, 2025.

    Xhensil Shkëmbi

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit