Detaje të tjera janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në Largo të Floridas, ku shqiptari Renato Muhaj vrau ish-partneren e tij 32-vjeçare Suela Saliaj, po shqiptare, dhe më pas rrëmbeu të bijën 8-vjeçare.
Sipas mediave amerikane, vajza e vogël i tregoi policisë se e kishte parë 34-vjeçarin ta godiste të ëmën me thikë dhe dorezë hekuri disa herë, në dhomën e gjumit.
E vogla, gjithnjë sipas mediave amerikane, i tha policisë se e dinte që e ëma kishte vdekur dhe se e kishte pyetur të atin: “Përse e bëre këtë?”
Pasi vrau 32-vjeçaren, Muhaj e mori vajzën nga shtëpia duke e tërhequr me nxitim nga shkallët. Për pasojë ajo u rrëzua. Vajza tregoi se “ai e kishte tërhequr me forcë në makinë”. Gjatë kësaj kohe ajo kishte pësuar lëndime.
Në një deklaratë për mediat amerikane, kreu i Departamentit të Policisë së Largo dha detaje për ngjarjen e rëndë, media.
Kështu, sipas policisë, rreth orës 02:30 të natës, Renato Muhaj dhunoi fizikisht të dy prindërit e tij, në apartamentin ku jetonin dhe i kërcënoi me hanxhar.
Ai u mori dhe telefonat në mënyrë që të mos kërkonin ndihmë. Oficerët që po hetonin këtë sulm, kontaktuan me kolegët e tyre dhe u kërkuan që të bënin një kontroll në shtëpinë e ish-të dashurës së Muhajt, 32-vjeçares Suela Saliaj dhe vajzës së tyre 8-vjeçare.
Kur policia shkoi në adresën e së resë, jashtë apartamentit të saj pa shenja gjaku, së bashku me një thikë dhe doreza hekuri të mbuluara me gjak. Oficerët e gjetën Suelën të pajetë në dhomën e gjumit. Ajo ndodhej në dysheme, e mbuluar nga gjaku dhe me një plagë të madhe në fyt.



