Përgjimi i Taulant Ballës me vendim gjykate në vitin 2016 dhe më pas fshirja e këtij përgjimi po me vendim gjykate, ka trazuar opinionin publik.
Artan Hoxha, i ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ka zbuluar disa detaje nga kjo ngjarje.
Hoxha tha se prokurorët e kuptuan se kishin bërë gabim me vendosjen e Ballës në përgjim, një deputeti me imunitet, kur kuptuan se ai po fliste në telefon me Edi Ramën. Ky është momenti, sipas Hoxhës, kur është kërkuar me urgjencë ndalimi i përgjimit dhe më pas asgjësimi i tij.
Hoxha tha se CD me përgjimet nuk është zbardhur asnjëherë dhe është e paqartë se për çfarë kanë folur.
Lidhur me arsyet e vendosjes së Ballës në përgjim, Hoxha tha se ai ka bërë një telefonatë me Ardjan Çapjan pas masakrës me tre të vrarë në Elbasan, ku ai ka ofruar ndihmë dhe se me gjasë kjo është arsyeja pse numri i Ballës është vendosur në përgjim.
“Telefoni që është përgjuar, është telefoni i Taulant Ballës. Kjo është e provuar në vendimin e gjykatës, numër 115. Në 3 shkurt 2016, janë vrarë tre vetë në një atentat në Elbasan. Objekt i sulmit ishin Çapjat, një familje e cila për gati dy dekada, ka qenë familja kryesore që ka komanduar në Elbasan. Ata kanë qenë mbështetës të opozitës.
Të nesërmen ka patur një telefonatë, drejt telefonit të Ardjan Çapjas, nga Taulant Balla dhe i është thënë, për çfarë ke nevojë, sepse diskutohej që mund të kishte edhe viktima të tjera. Ne kemi parë helikopterin e Forcave të Armatosura, që ka sjellë të plagosurit.
Në datën 4 shkurt, oficerët e policisë gjyqësore, kanë bërë një filtrim të të dhënave dhe i kanë kërkuar prokurorisë të vënë në përgjim një numër personash, që mund të kishin dijeni. Mes numrave, ka qenë numri i Çapjas dhe shtetasit Taulant.
Prokurori e ka marrë shkresën dhe ka vajtur në gjykatë dhe ka kërkuar që të lejojë përgjimin e telefonave, përfshirë edhe numrin e qytetarit me emrin Taulant. Ai e ka çuar me idenë, që ky komunikon me Çapjan dhe ne nuk e dimë kush është Taulanti. Nga data 4 shkurt 2016, deri në datën 6 shkurt 2016, telefoni i Taulant Ballës ka qenë në përgjim me vendim gjykate.
Papritur, prokurori në Tiranë, kur sheh numrat i del që ky numri po fliste me kryeministrin. Duke përgjuar numrin e Taulantit, doli se me kë fliste Taulanti. Me urgjencë pastaj prokurori kërkon të bëhet shkresë tjetër, për të ndërprerë përgjimin.
Sa u mor vesh që po fliste “i madhi”, u ndërpre. Këto biseda kanë qenë të dokumentuara në pajisjen që bëhet përgjimi dhe në CD. Nuk i kanë zbardhur por kanë kërkuar menjëherë që të ndërpritet përgjimi. Kur shkuan për së dyti, gjykatës i kanë thënë ne kemi bërë një lapsus dhe duhet ndërprerë.
Për të mbuluar atë që ka ndodhur, pas dy javësh, i kanë thënë gjykatës, që kjo CD ku është biseda, duhet të asgjësohet. Biseda nuk është zbardhur. Atë e di vetëm operatori dhe të tjerët nuk e kanë zbardhur.
Gjykata thotë jo vetë, të asgjësohet përgjimi, por të mos e marrë vesh as personi që është përgjuar dhe as asgjësimi.
Balla sot thotë, ku e dinë këta që unë jam përgjuar dhe pse pikërisht e nxjerrin tani?
Vijmë te pjesa tjetër, ndalimi i përgjimit nuk është bërë se po përgjohej Taulanti, por po përgjohej kryeministri.
Taulanti thotë kam bërë kallëzim. Ky si përgjim nuk është më provë, është asgjësuar, nuk dimë cfarë është folur. Çështja nuk ekziston fare si çështje. Nuk ka lidhje me vrasjen e Ravik Gurrës. Pra, kjo është çështje krejt tjetër. Pse del tani kjo?”, tha Hoxha.