8.5 C
Tirana
E diel, 22 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Barbaria në fytyrën e një femre

    Nga Ilir Yzeiri

    Dje u shfaq një nga skenat më të zymta dhe më barbare në hapësirën publike. Në Komisionin hetimor për sterilizimin ishin ftuar për të dëshmuar bashkë me dy të ndaluarit e tjerë edhe ish-ministri i shëndetësisë, aktualisht i ndaluar, Ilir Beqja. Ardhja e tij në sallën e Kuvendit, me pranga në duar, ishte një skenë e trishtuar për fatin e tij, por edhe për cilindo që e shihte atë. Në perceptimin kolektiv dhe në doktrinat e moralit njerëzor, të burgosurit janë kategoria e dobët që ngjall keqardhje, dëshpërim e të bën të mendohesh thellë.

    Mirëpo, Albana Vokshi që drejton komisionin hetimor për sterilizimin u shfaq si simbol i barbarisë që kemi në nënvetëdije në shqiptarët. Ajo, më mirë se asnjë tjetër, na tregoi dje se, ne, shqiptarët, kemi të fshehur instiktet e kafshërisë dhe të barbarisë, se dhuna që kemi pësuar sidomos nga regjimi i egër komunist, në një pjesë të madhe, ka qenë edhe një anë e vetëdijes sonë kolektive. Parlamenti do të duhej të ishte institucioni ku do të duhej të shfaqej modeli i sjelljes së lartë kolektive, mënyra inteligjente e komunikimit dhe dialogut.

    Për fat të keq, nën nxitjen e kryebarbarit Sali Berisha që ulërin nga dritarja e katit të tetë, gjithë ambienti publik ku merr pjesë opozita është shndërruar në një vend tribal ku pjesëmarrësit e opozitës sillen si ata barbarët e kohëve parake që, në vend të heshtave e thikave, nxjerrin nga goja gjithë llumin e fyerjeve e sharjeve, vetëm e vetëm se babai i tyre shpirtëtror është shpallur hajdut dhe minues i demokracisë familjarisht. Po le të kthehemi në ditën kur Ilir Beqja, tani i burgosur, hyri në sallën e Komisionit.

    Në një rast të tillë, jo vetëm për atë, por edhe për të ndaluarit e tjerë, respekti do të duhej të ishte maksimal dhe salla do të duhej të binte në heshtje të thellë e të dëgjonte shpjegimet e atyre fatkeqëve që, në atë sallë, ishin më të pambrojturit. Mirëpo, në nënvetëdijen e egër të Vokshit e të ndonjë tjetre aty, është shuar ndjenja e mëshirës dhe e përvujtnisë, që janë thelbi i kulturës perëndimore e ngritur mbi kristianizmin.

    M’u kujtua Arianit Çela dhe gjyqet ushtarake, linçimet popullore dhe gjuha e urrejtjes, ndjenja e triumfit mbi armikun dhe thirrjet « Në Litar ! Në Litar ! ». Si mund të besohet një opozitë e tillë që e ka kthyer hapësirën publike në një arenë ku derdhen sharje, barbari dhe ku qytetërimi është larguar e është zhdukur. Si mund të jetë femër dhe nënë një grua që nuk ndien dhëmbshuri e përvujtni për një të burgosur që vjen të flasë dhe i mohon atij fjalën dhe e trajton atë si inkuizitorët e Mesjetës.

    Edhe nesër, nëse Sali Berisha do të zbresë me pranga në duar nga kati i tetë, nuk do të gëzohem, do të ndiej mëshirë. Edhe tani që ai është çmendur unë ndiej mëshirë, por nuk mund ta kuptoj se si barbaria që vjen prej çmendurisë së tij të bëhet formë ligjërimi e atyre që e ndjekin. Dua të përmend dy raste. Papa Françesku, por edhe papët e tjerë, në prag Krishtlindjesh dhe në ditën e Mizerikordës shkojnë e u lajnë këmbët të burgosurve për të shprehur ndjenjën e thellë të përvujtnisë mbi të pambrojturit, mbi ata që janë zhveshur nga çdo mundësi dhe marrëdhënie shoqërore, mbi më të dobtit.

    Një ngjarje tjetër po ashtu më ka tronditur. Para një viti një student vrau në mënyrë makabre të fejuarën e tij Xhulia Cechetin. Ajo ngjarje tronditi Italinë, sepse kuforma e saj u gjend e masakruar me 75 goditje thikash. Por babai i saj e ktheu gjithë këtë tragjedi në një manifestim tjetër. Ai, bashkë me miqtë e Xhulias, në dhimbjen e thellë, shqiptuan fjalën « falje » dhe kërkuan që kjo të mos ndodhë më. U bënë thirrje  të rinjve e të tjerëve që të largohen nga dhuna. Shkuan në kishë e ndoqën një meshë, pastaj manifestimet në heshtje. Pra një tragjedi e kthyer në një manifestim human duke e pranuar fatalitetitn, por duke u sjellë me dinjitetin e duhur. Ndërsa te ne edhe vdekja (ju kujtohet arkivoli Azem Hajdarit që u përdor për të goditur dyert e Kryeministrisë i nxitur nga Berisha), edhe fati i një të burgosuri nuk prekin zemrën e barbarëve të opozitës, por kthehen në histeri linçimi e triumfi.

    Kjo sindromë që vjen nga haxhiqamilzmi shqiptar e kë kthyer berishizmin dhe gjithë ndjekësit e tij në një virus që helmon ambientin publik dhe i ka bërë shqiptarët që të ndjehen të fyer e të papërfaqësura aty, i ka bërë shqiptarët që të kujtohen se barabaria që kemi në sjelljen tonë nuk është shuar ende dhe se komunizmin e egër dhe dhunën makabre mbi të burgosurit që manifestohej në diktaturë, i paskemi pasur si veti të nënvetëdijes sonë, jo si ushtrim ideologjik të diktaturës. Nuk kmund të shpjegohet ndryshe sjellja e Vokshit dhe e ndonjë tjetër femre aty ndaj tre të burgosurve.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit