Për herë të parë që nga hyrja e tij në shtëpinë e Big Brother VIP Albania 5, bashkëshortja e Rogertit ka folur publikisht për eksperiencën e tij në lojë. E ftuar në emisionin Big Brother Radio, Enxhi ndau këndvështrimin e saj mbi mënyrën si po paraqitet ai në ekran, duke zbuluar edhe anën e tij jashtë kamerave.
Rogerti është komentuar shpesh si një figurë antagoniste brenda shtëpisë shpesh herë dhe bullizues dhe ofendues nga banorët për qasjen dhe mënyrën e qëndrimit të tij të fortë dhe komunikimit të ashpër me banorët. Megjithatë, sipas bashkëshortes së tij, kjo është vetëm një pjesë e personalitetit që ai po shfaq në lojë, ndërsa në jetën e përditshme është krejt ndryshe.
Ajo tregoi edhe historinë e njohjes së tyre, të cilën e përshkroi si dashuri me shikim të parë.
“Historia jonë është e bukur do thoja unë. Është histori me dashuri me shikim të parë, ashtu siç edhe Rogerti e ka përmendur aty brenda. Jemi njohur në një rreth familjar, në një event familjar, ku kemi pasur ato kontaktet minimaliste në fillim. Pastaj Rogerti mori guximin të komunikonte nëpërmjet babit tim për të gjetur një urë lidhëse me mua. Tradicional.”
Gjatë intervistës u transmetua edhe një moment nga dasma e tyre, ku Rogerti i kishte dedikuar një poemë bashkëshortes. Sipas Enxhit, ky ishte një nga momentet më prekëse të ceremonisë, edhe pse emocionet e forta e kanë bërë të mos i kujtojë detajet e fjalimit.
Ajo shtoi se fakti që ai e përmend shpesh familjen brenda shtëpisë lidhet me nevojën për mbrojtje emocionale, duke u përpjekur të ruajë imazhin e një personi të fortë.
Çifti janë bashkë prej afro një dekade dhe kanë një djalë, Marlon, i cili po e ndjen shumë mungesën e babait. Enxhi u shpreh se përpiqet ta mbrojë fëmijën nga ekspozimi i tepërt ndaj emisionit, pasi ai e ka shumë të lidhur rutinën e përditshme me të atin sidomos momentet e mbrëmjes dhe rrëfimet para gjumit. Megjithatë, ka pasur edhe çaste prekëse kur djali e ka puthur babain në ekran pasi e ka dëgjuar duke i kënduar.
“E para njëherë është emision që nuk shihet nga fëmijët. Mundohem mos ta sikletos shumë të them të drejtën sepse Marlon i mungon Rogerti shumë. Rogerti është pjesë e rutinës së Marlon dhe gjëja më e bukur e rutinës së Marlon është koha e gjumit dhe ato rrëfimet e darkës i do vetëm me babin. I mungon shumë. Mundohet ta injorojë, sikur i mban inat nga televizori, por kam vetëm dy momente delikate kur ai e puth nga televizori se e dëgjoi që po i këndonte një këngë të tij. I mungon shumë. I mungon shtëpisë.”
Sipas saj, mungesa e Rogertit ndihet jo vetëm nga djali, por nga e gjithë familja, duke e bërë këtë eksperiencë televizive një sfidë emocionale edhe jashtë shtëpisë së famshme.



