Analisti Baton Haxhiu është treguar tejet i ashpër me kryeministrin Albin Kurti, në një shkrim të publikuar në portalin e tij “Albania Post”.
Haxhiu e akuzon Kurtin se është ai që po i fryn përçarjes së rrezikshme mes Kosovës dhe Shqipërisë, duke nisur nga veprimi i tij mbrëmjen e djeshme që zgjodhi i vetëm larg kryeministrit Edi Rama ta ndjekë ndeshjen Shqipëri -Çeki.
Ja çfarë thotë ai për Kurtin në një pjesë të shkrimit të tij:
Megalomania, populizmi, por dhe ligësia me të cilën Albin Kurti po injekton ndarjen mes Shqipërisë dhe Kosovës është tërësisht agjendë personale e tij, përçapje elektorale me synime malicioze.
Në këtë përpjekje Kurti prekë fundin dhe nuk kursen askënd, madje as djalin e Adem Jasharit. Gjithkush dhe çdo gjë në funksion të përdorimit edhe kur bëhet fjalë për një familje emblemë. I gjendur ngushtë nga fjalimi i Ramës në Kuvendin e Shqipërisë, i ekspozuar krejtësisht përmes fuqisë së shkronjave dhe i paftë për të prodhuar diskurs rivalizues në lartësinë e njëjtë, ai provoi ta vendosë Lulzimin e Jasharajve si pancirin që i mungon Policisë së Kosovës.
“Shihni kush është me mua”, është thirrja pa përmbajtje që prezantohet përmes fotografisë pa kuptim dhe naivitetit të pafajshëm të personazhit që po përdoret.
Madje, nuk u mjaftua vetëm me vizitën private ndarazi në stadium, por dhe me provokimet që tentonte të bënte me tifozët e quajtur “Plisat”, për të cilët u tha se ishin përgatitur edhe për parulla pro Albinit duke afshuar pas kësaj fjali patriotike të tipit “të luftojmë tradhtarët brenda vetes” “Mallkuar qoftë ai që nuk na do bashkë” etj.
Në fakt, njeriu që nuk e do bashkimin dhe po nxit ndarjen është dirigjenti i tyre dhe ishte ndarazi në stadium.



