Baton Haxhiu përmes një analize kritike, ka thënë se SPAK, institucioni që dikur konsiderohej “oksigjeni moral” i sistemit,sipas tij, po rrezikon të devijojë nga standardet e drejtësisë si proces i ftohtë, serioz, i matur dhe i bazuar në prova.
Ai është shprehur se SPAK me mjete politike, me diskurs që devijon nga standardi i fakteve, po e kryen punën e opozitës së munguar prej vitesh. Teksa më tej ka shtuar se kreu i SPAK, Altin Dumani, duhet të qartësojë standartet, sepse drejtësia nuk fillon me spektakël dhe nuk përfundon me vulgaritet.
Sipas tij, reforma në drejtësi e ka nxjerrë SPAK-un jashtë çdo ndikimi politik, ndaj ky institucion ka sot më shumë se kurrë detyrimin të ruajë standardin, gjuhën dhe seriozitetin e drejtësisë së vërtetë.
Nga Baton Haxhiu
Që në ditën e parë kam qenë krah SPAK-ut. Jo si tifoz i radhës, por si qytetar që e ka parë këtë institucion si të vetmen shpresë në një vend ku opozita ka qenë pa frymë, pa ide dhe pa kapacitet për të prodhuar kontroll.
SPAK ka qenë, për një periudhë të gjatë, oksigjeni moral i sistemit. Dhe vazhdon të mbetet i domosdoshëm.
Tashmë e dimë sa i keq ka qenë vendimi për bojkot të institucioneve sepse askush nuk përfitoi nga lufta formale kundër korrupsionit nëse opozita kishte braktisur institucionet duke lënë Parlamentin dhe pushtetin vendor në dorë të një partie, duke hequr mekanizmat institucionale të kontrollit.
Dhe tash SPAK me mjete politike, me diskurs që devijon nga standardi i fakteve, po e kryen punën e opozitës së munguar prej vitesh. Sepse opozita s’ka as lider, as vizion.
Mbrëme isha panelist dhe ajo që u servua mbrëmë në “Opinion” nga dosja e prokurorit Dritan Premçi, dhe ajo që po lexoj prej muajsh në disa prej dosjeve, e detyron çdo njeri që beson tek drejtësia të ulë kokën dhe të pyesë veten.
Pse nuk ruan SPAK standardin dhe pse po rrëshqet në skenografinë e linçimit?
Altin Dumani duhet të qartësojë standardet, sepse drejtësia nuk fillon me spektakël dhe nuk përfundon me vulgaritet. Ajo është një proces serioz, i ftohtë, i matur dhe i bazuar vetëm në provë.
Por në disa prej dosjeve të fundit, SPAK nuk duket më se po flet vetëm me provë. Po Flet me atmosferë. Po Flet me imazh. Po Flet me material dytësor që nuk ka vlerë në gjykim, por ka shumë vlerë në opinion.
E para, SPAK po fut në dosje një sasi të madhe bisedash të përditshme që nuk kanë asnjë lidhje me thelbin e veprës penale.
“OK”, “Ku je?”, “Po vij”, “A more dokumentin?” – kjo nuk është gjuhë korrupsioni. Kjo është gjuhë rutine. Dhe futja e kësaj gjuhe nuk ndihmon gjykatën.
Vetëm ushqen publikun me elemente që krijojnë atmosferë, jo provë. Prokuroritë serioze e pastrojnë dosjen nga mbeturinat e komunikimit. Nuk e përdorin komunikimin për të krijuar portret negativ.
E dyta, ka një konfuzion të rrezikshëm të krijuar qëllimisht midis një parashikimi administrativ dhe një favorizimi penal.
Parashikimi i fituesit nuk është vepër penale. Nuk është as devijim etik.
Favorizimi është vepër penale, por kërkon provë të qëllimit dhe të përfitimit. Dhe kur provat mungojnë, nuk ke as vepër. SPAK nuk duhet të ngatërrojë parashikimin me fajësinë, sepse ligji nuk ngatërrohet kurrë, edhe kur e ngatërrojnë prokurorët.
E treta, masa e pezullimit të një ministri kërkon standard shumë më të lartë provues. Nuk pezullohen ministra me dyshime të paqarta. Nuk pezullohen me “OK”.
Pezullohen vetëm kur rrezikohet funksioni dhe kur ka indikacione serioze se posti po përdoret për të penguar hetimin. Edhe në dosjen e Veliajt, të Ahmetajt apo Ballukut, nuk ka gjurmë të këtij rreziku. Ka vetëm një mbushje të panevojshme me materiale që nuk e forcojnë dot dyshimin, prandaj e zgjerojnë narrativën.
E katërta, SPAK ka hyrë në territorin më të rrezikshëm: në rolin e ndërtimit të perceptimit publik. Publikimi i detajeve intime, banale, turpëruese, qoftë “palloshat”, qoftë “brekët”, qoftë “vibratorët” , nuk ndihmon asnjë prokuror të bindë gjykatën.
Ato ndihmojnë vetëm për të poshtëruar dikë para se të dalë para gjykatës. Kjo nuk është transparencë. Ky është instrument politik.
Dhe kur një organ drejtësie hyn në territorin e politikës, humbet besimin e publikut shumë më shpejt se sa e fiton.
E pesta, SPAK rrezikon vetë veten. Nëse dosjet bëhen roman, jo arsyetim; nëse argumentet mbështeten në atmosferë, jo në prova; nëse publiku informohet me detaje të panevojshme, jo me thelbin e shkeljes, atëherë SPAK do të perceptohet si një regji linçimi, jo si një organ i pavarur.
Drejtësia nuk ndërtohet mbi poshtërim. Ndërtohet mbi prova të forta dhe gjuhë të pastër institucionale. Dhe kur kjo gjuhë humbet, humbet edhe autoriteti.
Në fund të ditës, problemi nuk është Ahmetaj, as Veliaj, as Balluku. Problemi është se drejtësia po e përdor turpin si zëvendësim të provës. Dhe kjo është rruga më e sigurt për të minuar besimin tek një institucion që duhet të ishte shtylla e republikës.
Edhe diçka për termin grusht-shtet.
Unë e kam quajtur veprim me natyrë grushti shteti pikërisht momentin kur Prokuroria kërkon pezullimin e një zëvendëskryeministri apo të një ministreje, sepse ky akt nuk është masë sigurie, por ndërhyrje direkte në funksionimin e ekzekutivit.
Pezullimi i një anëtari të Qeverisë nuk është vendim teknik por është akt që ndryshon raportet e pushtetit pa votë, pa mandat dhe pa bazë të qartë kushtetuese.
Në çdo teori të ndarjes së pushteteve, kur një pushtet hyn përkohësisht në territorin e tjetrit dhe prodhon efekt politik, kjo quhet grusht kompetencash. Dhe unë, prej parimi, nuk kam ndryshuar qëndrim ndaj kësaj.
Dhe, prandaj, Prokuroria nuk mund ta luajë edhe rolin e drejtësisë, edhe të opozitës njëkohësisht.
Por që të jemi të drejtë me konceptet se grushtshtetin e vërtetë nuk e bën Gjykata me një vendim të diskutueshëm, por grushtshtetin e bën ekzekutivi kur tenton të kapë drejtësinë.
Ai moment kur qeveritë ndërhyjnë në karrierat e prokurorëve, kur çështjet zhvendosen për arsye politike, kur organet vartëse përdoren për intimidim të gjyqtarëve. Kjo është formula reale e grushtshtetit modern. Dhe kush e njeh këtë realitet, e kupton menjëherë që nuk ka asnjë lidhje me etiketimet ironike të artikujve që shtrembërojnë debatin.
Vazhdoj të qëndroj se Standardi dhe prova janë më të forta se çdo spektakël në rrëfim.
Institucionet nuk bien nga mungesa e provave, por nga tepria e spektaklit dhe nga humbja e gjuhës së drejtësisë. SPAK nuk ka luksin të gabojë në ton apo në kompetencë, sepse një organ që zëvendëson provën me perceptim e dobëson drejtësinë.
Edhe diçka!
Dhe ndërsa dikur shumëkush e quante reformën në drejtësi në funksion të dëshirave të Edi Ramës, sot është e qartë se SPAK nuk funksionon as si instrument i tij, as si zgjatim politik, por si produkt i asaj reforme që tashmë shihet qartë se ka dalë nga “duart” e çdo kryeministri.
Pikërisht për këtë arsye, standardi i tij duhet të jetë më i lartë se kurrë. Vetëm kështu reforma i shërben shtetit, jo spektaklit.



