Nga Agron Gurabardhi
Në studiot televizive të Shqipërisë po ndodh një krim po aq i rëndë sa vjedhja e tenderave, vrasja e moralit publik.
Mbrëmë, Batoni Haxhiu na tregoi se për të mbrojtur pushtetin, logjika mund të hidhet në koshin e plehrave pa asnjë mëdyshje.
Baton Haxhiu nuk është naiv, ai është një mjeshtër i sofistikuar i “normalizimit të vjedhjes”. Kur ai thotë se të kërkosh një qeveri të ndershme është “romantizëm”, ai në fakt po u thotë shqiptarëve, “Pranojeni se jeni të dënuar të vidheni, sepse kështu funksionon bota”.
Cinizmi me të cilin Batoni e quajti “romantik” atë që kërkoi një qeveri të ndershme, është maja e dashakeqësisë. Të thuash që “çdo qeveri ka hajna” për të justifikuar miliardat që avullojnë në Shqipëri, është njësoj si t’i thuash një të sëmuri me kancer se “çdo njeri ka mikrobe, prandaj mos u ankoni”.
Kjo nuk është analizë, është anestezi publike. Batoni kërkon që ne ta pranojmë korrupsionin si një “taksë natyrore” që duhet t’ia paguajmë Sulltanit.
Për Batonin, urdhri i Belinda Ballukut për të anuluar dhe paracaktuar fituesit e tenderave nuk është korrupsion. Sipas tij, deri sa të dalë pranga, personi është i virgjër, por faktet që dolën nga dosjet e SPAK (mesazhet e famshme) tregojnë një shtet që funksionon si pronë private.
Kur një ministër dikton fituesin, ai ka vrarë garën, ka vrarë ligjin dhe ka vjedhur bukën e shqiptarëve. Të thuash se kjo nuk është arsye për dorëheqje, do të thotë të jesh avokat i krimit shtetëror dhe jo analist i pavarur.
Batoni është vërtet i zgjuar, por inteligjenca pa moral është thjesht një mjet për manipulim. Ai e di shumë mirë se në çdo vend demokratik, vetëm dyshimi për 50 milionë euro të Tunelit të Llogarasë do të rrëzonte qeverinë brenda natës, por Batoni zgjedh të mos “besojë”.
Ai zgjedh të bëjë të paditurin, sepse e di që mbijetesa e tij mediatike dhe ekonomike është e lidhur me mbijetesën e Edi Ramës.
Këta individë janë më të rrezikshëm se vetë ministrat e korruptuar. Ministri vjedh, por Analisti i “sahanit” e paketon vjedhjen si “zhvillim”, si “domosdoshmëri” apo si “standard botëror”.
Kur dëgjoni Batonin të mbrojë Belindën apo Ramën, mos mendoni se po dëgjoni një mendim ndryshe. Po dëgjoni zhurmën e lugës në pjatën e pushtetit.
Nëse për këta “Vip-a” të studios, korrupsioni është thjesht një detaj romantik, për shqiptarët ai është arsyeja pse spitalet s’kanë barna dhe pse rinia ikën nga sytë këmbët.
Për të plotësuar panoramën e këtij teatri absurd, nuk mund të lihet jashtë “regjisori” i kësaj shfaqjeje që luhet çdo natë në ekranin më të ndjekur të shqiptarëve. “Olimpi” i Fevziut. Aty ku Krimi Shitet si Opinion
Nëse Baton Haxhiu është avokati i pushtetit, Blendi Fevziu është tregtari që u shet shqiptarëve “helmin” e paketuar si debat elitar. Prej dekadash, studioja e tij është shndërruar në një “lavatriçe” ku pastrohen figurat më të përfolura dhe ku hajdutëria e shtetit trajtohet si një temë thashethemesh kafeje.
Fevziu ka një talent të veçantë, ai i fton këta “sahanlëpirës” çdo natë, duke u dhënë peshën e “analistëve të mëdhenj”.
Duke i ulur në ato karrige, ai e legjitimon mashtrimin. Kur Fevziu e lejon Batonin të thotë se “vjedhja është normale” pa e ndalur dhe pa i treguar derën si armik të moralit publik, ai bëhet bashkëpunëtor në manipulim.
Kjo nuk është gazetari, është një strategji për ta lodhur popullin, që në fund të thotë, “Të gjithë njësoj janë, asgjë nuk merret vesh”.
Pse i fton çdo natë? Përgjigjja është e thjeshtë, interesi i dyanshëm. Fevziut i duhen këta “personazhe” që mbrojnë të pambrojtshmen sepse prodhojnë sherre dhe audiencë, ndërsa pushtetit i duhet Fevziu që t’u japë zë zëdhënësve të tij.
Është një simbiozë ku fitojnë të gjithë, moderatori merr shikueshmëri, analisti merr shpërblimin nga pushteti, ndërsa i vetmi që humbet është qytetari që ushqehet me mashtrime.
Blendi Fevziu nuk mund të fshihet më pas petkut të “pavarësisë”. Duke u dhënë tribunë çdo natë mbrojtësve të korrupsionit galopant, ai po ndihmon në betonimin e këtij regjimi.
A nuk mendoni se ka ardhur koha që publiku të bojkotojë këto studio që tallen me djersën e tyre, duke i lënë “Vipat” e korrupsionit të flasin vetëm me veten?



