30.5 C
Tirana
E shtunë, 12 Korrik, 2025
More
    spot_img
    spot_img

    Baxhellat e reja të politikës së vjetër

    Një nga paradokset më të mëdha të tranzicionit politik shqiptar është se, ndërsa vendi pret ndryshim, ai vazhdimisht përballet me riciklimin e të njëjtit banalitet, madje edhe kur ai vishet me rrobat e “politikës së re”.

    Në pamje të parë, të rinjtë që hyjnë në politikë shfaqen si një shpresë për të sjellë moral, bashkëpunim, dhe një frymë qytetare më të maturuar, por shpesh, realiteti është po aq i egër, po aq i mbyllur në mendësinë sektare, dhe, mbi të gjitha, më të paaftë për të negociuar edhe për gjërat më minimale që politika kërkon.

    Klasës së vjetër politike, me gjithë mëkatet që e shoqërojnë, nuk mund t’i mohohet një aftësi: ajo për të bërë kompromis. Jo kompromis moral, por kompromis politik për mbijetesë. Berisha dhe Meta janë ndoshta shembulli më i qartë. Pavarësisht se çfarë kanë thënë për njëri-tjetrin, sërish janë në të njëjtën llogore. E dinë mirë ç’është vota, ç’është llogaria politike, dhe se kur vjen puna te mbijetesa, armiku i përbashkët është më i rëndësishëm se armiqësia mes tyre.

    Nga ana tjetër, politika e ‘re’ po rezulton më shumë një karikaturë e vetvetes. Përfaqësuesit e saj – në vend që të ofrojnë një kulturë të re bashkëpunimi – bien në grackën e më të keqes: ego, inat personal, mungesë vizioni, dhe sidomos mungesë respekti për votën e qytetarit.

    E bënë para dhe gjatë fushate, po e vijojnë sërish me shembullin më të freskët të përplasjes mes Adriatik Lapajt dhe Endri Shabanit, lidhur me mandatin e kësaj force politike.

    Në fakt, kjo nuk është vetëm mungesë e përvojës politike, kjo është mungesë e karakterit njerëzor.

    Nga ana tjetër, vetë Lapaj ka shkaktuar shumë pakënaqësi në radhët e lëvizjes “Shqipëria Bëhet”, duke mos mbajtur drejtësi dhe duke mos respektuar parimet e vendosura më parë, por duke u bërë pjesë e garave brenda listës, siç ishte rasti i qarkut të Fierit, që rezultoi me largimin nga radhët e lëvizjes së kandidatit më të votuar në këtë qark.

    Një paaftësi për të treguar maturi dhe vizion, duke krijuar më shumë probleme se sa zgjidhje. Për të mos menduar pastaj se si do silleshin po të kishin gjë në dorë.

    Politika “e re ” shqiptare, nëse do donte të ishte vërtet e re, duhet të mësojë të mos sillet si kaposhi majë plehut.

    Sa për këtë lloj sjelljeje, mjaftojnë e teprojnë të vjetrit që kemi!

    Kjo analizë është shkruajtur nga Namir Lapardhaja, titulli redaksional

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit