Një debat i ashpër u zhvillua në emisionin Log mes kandidatit për deputet të PD-së në Tiranë, Belind Këlliçi, dhe analistit Fitim Zekthi, mbi kontratën 6 milionë dollarë për lobimin e Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zekthi vlerësoi se kontrata është “ekstremisht e shtrenjtë” dhe ngriti pikëpyetje mbi burimin real të fondeve.
“Kontrata është 6 milionë dollarë për dy vite. Kjo shumë nuk është normale për një parti politike opozitare. Këto kontrata i bëjnë shtete si Arabia Saudite,” tha ai.
“Nuk kam asgjë parimisht me lobimin, për sa kohë bëhet për qëllime të ndershme. Por kjo shumë është jashtë çdo përmase realiste”, tha ai.
Në reagim, Këlliçi mohoi që kontrata të jetë iniciuar nga Partia Demokratike dhe theksoi se fondet janë dhuruar nga individë që e duan Shqipërinë.
“PD nuk është iniciatore. Janë para të patriotëve shqiptarë që duan ta çojnë të vërtetën për Shqipërinë tek ndërkombëtarët,” u shpreh Këlliçi.
“Kam letra, kam dokumente që tregojnë se janë fonde të dhuruara dhe çdo gjë është transparente”, vijoi ai.
Zekthi e ka kundërshtuar këtë pretendim.
“E kuptoj që mund të ketë patriotë, por për tërmetin u mblodhën 700 mijë dollarë. Këtu kemi të bëjmë me 6 milionë. Tek kjo shifër ka një problem serioz. Nuk më bind dot se janë vetëm individë”, tha Zekthi.
Këlliçi theksoi se qëllimi i lobimit është informimi i aleatëve ndërkombëtarë për situatën politike në vend.
“Ne duam që e vërteta të dëgjohet. Që ata të marrin vesh se çfarë ndodh realisht në Shqipëri,” tha ai.
Zekthi vuri në pikëpyetje qëndrimin e PD-së si palë e jashtme në këtë çështje.
“Ju vetë thatë se PD e dëshiron këtë lobim, për të çuar shqetësime. Kjo tregon se partia është e përfshirë drejtpërdrejt në këtë kontratë”, u shpreh Zekthi.