Deputeti demokrat Belind Këlliçi përgëzon publikisht prokurorin e SPAK, Dritan Prençi, menjëherë pas kërkesës që ai dërgoi në Kuvend dje dhe kërkoi heqjen e imunitetit të zëvendëskryeministres Belinda Balluku.
Belind Këlliçi e ka akuzuar për muaj me radhë prokurorin Dritan Prençi se “flinte mbi dosje” dhe “nuk kishte guxim” të hetonte Edi Ramën dhe Erion Velinë për inceneratorët. Tani, e përgëzon publikisht.
“Nuk besoj se ka politikan apo qytetar që ta ketë kritikuar publikisht Prokurorin Dritan Prenci më shumë se unë. Dhe kjo kritikë nuk ka qenë as impulsive, as personale, por mbështetur në një fakt kokëfortë: mos-hetimin deri në fund të aferës së inceneratorit të Tiranës dhe mosnxjerrjen para drejtësisë të dy pronarëve faktikë të kësaj grabitjeje monumentale, Edi Rama dhe Erion Veliaj.
Por për arsye se koha që kalon pa drejtësi sakaton kurrizin e stërmunduar të shqiptarëve dhe duke i qendruar besnik këtij parimi, sot dua ta përgëzoj prokurorin Prençi për profesionalizmin dhe guximin real në çuarjen e mega aferës “Balluku” para drejtësisë”, shkruan Belind Këlliçi.
Sipas deputetit demokrat, në një klimë presioni të jashtëzakonshëm nga vetë kryeministri, mediat e qeverisë dhe nga rrjete kriminale të afta të bëjnë gjithçka për ta heshtur të vërtetën, prokurori Dritan Prençi ka treguar profesionalizëm e guxim.
“Kërkesa për heqjen e imunitetit dhe lejimin e arrestimit të zv. Kryeministres, fill pas një vendimi skandaloz të Gjykatës Kushtetuese është akt kurajoje institucionale, përpos se akt korrekt procedurial. Një standard i munguar prej vitesh që shoqëria shqiptare e ka kërkuar me ngulm, shpesh duke u ndjerë e tradhtuar”, vijon Belind Këlliçi.
Ai thekson se respekti i sotëm për prokurorin, nuk e fshin detyrimin e nesërm të Dritan Prençit, që sipas deputetit demokrat, duhet të ruajë të njëjtin standard hetimi, të njëjtin guxim dhe të njëjtën pavarësi shqiptarët presin edhe për aferën e shekullit, inceneratorin inekzistent të Tiranës.
“Një fantazmë betoni dhe kontratash që deri më tani kanë djegur të paktën 180 milionë euro nga taksat tona. Drejtësia nuk matet me raste të izoluara, por me koherencë. Dhe koherenca është prova e vërtetë e integritetit”, përmbyllet reagimi.



