Rezultati i kutive të Fierit do të jetë padyshim një nga surprizat më të bukura për Partinë Socialiste dhe Edi Rama më gjasë do të rikthehet sërish për të falenderuar socialistët e qarkut që e meriton të quhet hambar votash për të majtën. Belinda Balluku është gati për një “tërmet” të fortë 11 ballësh që socialistët nuk e kishin “ndjerë” kurrë në bastionin e tyre historik.
Por kjo panoramë që serviret majtas, nuk është kaq e bukur dhe në krahun tjetër. Demokratët e Fierit, Lushnjës, Divjakës, Roskovecit, Patosit e Mallakastrës janë në një situatë që i ka lënë pa fjalë.
Ata presin një nga rezultatet më të dobëta dhe për “ngushëlllim” nuk kanë pranë as drejtuesin politik dhe as drejtuesit e tjerë të zonave respektive. Gazment Bardhi, të paktën është bërë “i gjallë” për herë të fundit mbrëmjen e 10 Majit kur bëri thirrje në rrjetet sociale për pjesëmarrje masive në votime.
“Gazi i Zegjinesë”, siç e quan kandidatja socialiste e Roskovecit që u kthye në një figurë popullore të këtyre zgjedhjeve për shkak të videove thumbuese që ndante herë pas herë për drejtuesin politik të PD në Fier, nuk duket gjëkundi.
Kjo është vënë re përpos qytetarëve, edhe nga gazetarët e Tiranës që zbarkuan prej ditës së djeshme në qarkun bastion të së majtës. Ata kanë raportuar se prej orëve të mëngjesit, ditën e votimit, por edhe në qendrat e numërimit, askush nuk e ka parë Gazment Bardhin.
Aq ra në sy zhdukja e drejtuesit të PD nga Fieri saqë edhe kundërshtarja e tij politike, vetë Belinda Balluku u shpreh në mesnatë teksa ndiqte nga afër procesin e numërimit, se nga Partia Demokratike as nuk kishin denjuar të shkonin aty.
Madje, ajo pyeti publikisht edhe nëse dikush e kishte parë Gazment Bardhin, sepse ai nuk kishte shkuar pranë komisionerëve të vet në respekt të procesit.
Por ky është vetëm një moment!
Gazment Bardhi është “zhdukur” edhe nga rrjetet sociale ku ishte shumë i zëshëm gjatë muajit të fushatës, duke shpërndarë njoftime, denoncime apo kur bënte thirrje në Facebook për autoritetet të hetonin atë që ai e quante “masakër” që po ndodhte në qarkun e Fierit.
Askush në Partinë Demokratike nuk e ka përmendur. As mediat opozitare që i kanë dhënë hapësirë çdo aktori të mundshëm nga PD dhe satelitët e saj, nuk e ka ftuar drejtuesin politik të PD. Ose, edhe mund ta kenë kërkuar, por deri pasditen e kësaj të hene, ai nuk ka qenë i arritshëm për askënd.
Bastionet historike të së djathtës dhe zonat ku këmba e një të dërguari socialist nuk kishte shkelur prej vitesh në Fier, i hapën derën Belinda Ballukut dhe siç ka gjasë të rezultojë kur të përfundojë numërimi, i kanë dhënë edhe votën.
Politikania e lartë socialiste është gati “të shkundë” jugun me një rezultat historik që do t’i sigurojë partisë plot 11 mandate, si asnjëherë më parë. Mbrëmjen e sotme ose maksimumi në orët e para të mëngjesit të 13 Majit, Fieri do “të ndjejë” lëkundjen e projektuar, por që pak e kishin besuar.
Belinda Balluku i provoi Edi Ramës se kur e ktheu për herë të parë gjithë Dibrën majtas dy vite më parë dhe mori të katërta bashkitë e qarkut, nuk kishte qenë absolutisht një rastësi. Sot, po e bën realitet dhe në Fier, duke treguar se dikush tjetër në PS “ia ka marrë dorën tërmeteve”! (Newsbomb.al)