8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ben Blushi: Në studion e Zef Shoshit, me Zogun, Enverin dhe Mao Ce Dunin

    Nga Ben Blushi

    Zef Shoshi më kishte bërë një portret. Që para tre vitesh. Nuk e kisha parë. Shkova këtë javë

    Ja ku je, tha Zefi dhe më tregoi kavaletin

    Nuk jam unë, i thashë.

    Ti je, tha Zefi. Ja skica me laps. Ja ku je dhe me ngjyra, në kanavacë.

    Jo ky nuk jam unë, i thashë. Po mjekrrën ku e kam?

    Epo atëherë nuk kishe, tha Zefi. A do të të bëj me mjekërr?

    Po këtë xhaketë blu, i thashë, si më kë veshur kështu, si kryetar kooperative. Dukem si një komunist i ushqyer mirë.

    Po kështu erdhe kur pozove, tha Zefi, me këtë xhaketë.

    Atëherë merresha me politikë, thashë unë, isha i shëmtuar

    Ndoshta, tha Zefi

    I hoqa sytë nga vetja. Ngrita kokën në tavan

    Mos shif studion, tha, ra e gjitha nga tërmeti

    Ça tu prish, e pyeta

    Shumë punë u shkatërruan, dëm i madh

    Po ky portreti im pse shpëtoi, i thashë

    Ça do të pish, pyeti Zefi?

    Asgje, i thashë, dua të të bëj një fotografi

    Mirë, tha, ma bëj

    Erdha të më bësh ti një portret, po të bëj unë ty një portret, i thashë

    Ku të rri, pyeti Zefi

    Do rrish para asaj nudos aty,

    Kjo është nudo e vjetër, e kam bërë në Rusi, mund të këtë 65 vjet,

    Ajo gruaja do ketë vdekur, thashë unë

    Eh, tha Zefi, ku i dihet

    Bën më nudo tani?

    Bëra një para dy vitesh. Një mik më solli një modele

    Edhe u zhvesh?

    Po, u shtri te divani ku je ulur ti

    Lakuriq?

    Lakuriq,

    Ma trego, i thashë

    Zef Shoshi nxorri pikturën

    Trupin e ka të mirë, i thashë, fytyrën ç’ka. Sikur nuk shkon lakuriq me buzë të lyera me të kuq

    As mua smë pëlqen, tha Zefi, se si e kishte lëkurën, nuk më ngjiti

    Pse e preke?

    Jo Jo, tha Zefi nuk i prek unë modelet. Ma ka thënë Sali Shijaku që kur ishim në Leningrad, mos u ngatërro me modelet

    Po Saliu ngatërrohej me modelet?

    Kush e mban mend. Po ruset ishin shumë të lirshme

    Që kur vizaton Zef ?

    Që nëntë vjeç. Babai e kishte qejf vizatimin. Ai më detyronte të vizatoja pikturat e Leonardo da Vinçit

    Edhe babai ishte piktor?

    Nuk u bë dot, tha Zefi. Punoi në bankë. Në kohën e komunizmit bënte tabelat e emulacionit socialist

    Po pse nuk u bë piktor?

    Nuk i dha bursë Mbreti. Babai i bëri Zogut një portret dhe ia çoi në shtëpi që të fitonte bursën

    Epo s’duhet ti ketë pëlqyer Zogut vetja, njëlloj si mua

    Nuk e di, tha Zefi, po babait nuk i dha bursë

    Po ti ku ke punuar ?

    Deri në vitin 1976 bëja kopertina librash te shtëpia botuese Naim Frashëri. Pastaj bëra një portret të Enver Hoxhës dhe më nxorrën në profesion të lirë. E pëlqyen portretin tim

    Sa herë e ke vizatuar Enverin?

    Shumë herë, tha Zefi. Një herë e bëra Enverin në Tropojë, gju më gju me popullin.

    Shkove në Tropojë?

    Po tha Zefi. Por pasi iku Enveri. Pyeta njerëzit që e kishin takuar. Pastaj i bëja pikturat nga fotografitë e tij,

    Po Enveri pse nuk pozonte?

    Nuk pranonte. Një herë më thirrën në Ksamil. Ai kishte një takim me popull. Unë qëndrova rreth tre metra afër tij dhe hodha disa skica. Më lanë të punoja gati 15 minuta. Kaq ishte koha

    Të foli?

    Jo, tha Zefi, fare

    Kush i kontrollonte pikturat e Enverit?

    Ramiz Alia. Kur bëra portretin zyrtar të Enverit, ai erdhi në studio.

    Çfarë të tha Ramizi për Enverin?

    Më bëri një vërejtje për sytë. Ngaqë ai e njihte më mirë, se unë se kisha parë kurrë nga afër

    Ia ndryshove sytë Enverit?

    Nuk bëra asnjë ndryshim

    Po ndonjë rus ke vizatuar, Hrushovin ose Brezhnjevin?

    Kam vizatuar mbledhjen e 81 partive në Moskë. Para meje Guri Madhi e kishte vizatuar mbledhjen me Enverin dhe Mehmet Shehun. Unë e bëra pa Mehmetin sepse në atë kohë ai ishte shpallur armik dhe duhej të fshihej nga pikturat zyrtare. Kam vizatuar edhe Mao Ce Dunin.

    Po Mao Ce Dunin pse, e pyeta?

    Bëhej një ekspozitë e artit shqiptar në Kinë dhe duhej që një pikturë e Maos të rrinte afër me një pikturë të Enverit. Unë bëra Maon.

    Sa e madhe ishte puna e Maos?

    Katrore, tha Zefi. Ndoshta sa kjo nudoja.1.30 me 1.30

    Punon çdo ditë tani?

    Kur mundem po, tha Zefi

    Të dridhet dora?

    Nuk më dridhet por nuk kam shumë frymëzim

    Sa vjeç je, e pyeta?

    83, tha Zefi.

    Shumë gjatë jetoni ju piktorët, më gjatë se shkrimtarët, thashë unë.

    Ne punojmë në këmbë, tha Zefi, shkrimtarët rrinë ulur

    Ke të drejtë, i thashë, prandaj po bëhem fotograf

    Më trego foton time me nudon, tha Zefi.

    Ia tregova.

    Unë bëj pikturë nga fotografia, ti bën fotografi me piktura

    Të shofim si del bardhë e zi, i thashë, në studio nuk ka shumë dritë

    Po me portretin çdo bëjmë, pyeti Zefi

    Çtë bëjmë, i thashë, aty nuk jam unë

    Shiko, tha unë duhet të punoj. Mbaj dhe djalin që nuk punon dot. Për këtë portret kam harxhuar

    Sa duhet të të jap, e pyeta

    Ti e di vetë, tha Zefi

    Mirë, i thashë do vi prapë dhe rregullohemi, por me një kusht

    Më thuaj, tha Zefi.

    Zhduke këtë portretin tim.

    Flasim, tha Zefi.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit