Nga Ben Blushi
Sot është dita jonë e Madhe e Pavarësisë që u arrit pas 500 vjet pushtimi barbar nga otomanët dhe platforma e tyre otomanizmi.
Po çfarë është otomanizmi?
Otomanizmi është një doktrinë fetare dhe racore për të asimiluar popujt e pushtuar.
Otomanizmi na hoqi dashurinë për punën, për artet, për gjuhën si dhe na krijoi një raport të shtrembër me kohën.
Otomanët na bindëm se vonesa nuk është diçka e keqe.
Një punë që nuk bëhet sot mund të bëhet nesër ose mund të mos bëhet fare.
Vonesa na u kthye në tipar kombëtar.
Kështu u vonuam 500 vjet.
Fat i madh i pasojave drithëruese të otomanizmit në Shqipëri është mungesa e fotografisë në shekujt 16, 17, 18 dhe 19.
Nëse do kishte pasur fotografi për të treguar mjerimin e shqiptarëve të asaj kohe shqiptarët e sotshëm do lebetiteshin.
Atyre që mbrojnë këtë mizori do u vinte turp, megjithëse mungesa e dëshmive nuk mund të jetë justifikim për ata që mbrojnë shfarosjen e kombit të tyre.
Në atë kohë rrugët e Shqipërisë ishin të mbushura me njerëz të leckosur, të paushqyer dhe të sëmurë.
Një e treta e vendit jetonte në kënetë.
Nuk kishte asnjë shkollë, asnjë spital, asnjë port, tokat nuk bonifikoheshin dhe këtu nuk kalonte asnjë hekurudhë.
Shqipëria ishte një territor i izoluar nga ku merreshin vetëm bagëti dhe ushtarë dhe ku nuk çohej asgjë veç armëve për të shtypur ata që nuk bindeshin.
Mjetet që u përdorën nga otomanët ishin dhuna, uria, malarja, vrasjet dhe taksat.
Por të gjitha tiparet e otomanizmit e klasifikojnë atë si një nga format më të egra të kolonializmit.
Ata që nuk e dinë çfarë është otomanizmi duhet të dinë se kjo perandori barbare i taksonte njerëzit sipas përkatësisë fetare.
Kush nuk ishte mysliman paguante taksë.
Kjo taksa mbi fenë quhej xhizve.
Shtetet vendosin taksa mbi pronën, mbi tokën, mbi punën, mbi fitimin dhe mbi tregtinë.
Perandoria Otomane vendosi dhe një taksë mbi shpirtin, prandaj ajo është më e pashpirt se të gjithë pushtuesit që na kanë rënë mbi shpinë.
Xhizve ishte një lloj xhezveje ku përvëlohej me ujë të ndenjur ndërgjegjja jonë kombëtare.
Kolonializimet janë gjithnjë të rënda, të dëmshme dhe shfarosëse megjithatë ka disa lloje kolonializmi.
Ne na ra ai më i keqi.
Në kohën kur spanjollët, portugezët dhe më pas anglezët dhe francezët morën detet për të pushtuar botën ne që ishim shumë afër tyre patëm fatin më të zi.
Turqit osmanë, pra otomanët që nuk kishin flota për të shkuar në Amerikë dhe Azi për të zbuluar Kinën, apo Afrikën iu sulën Ballkanit.
Në vitin 1492 kur Kristofor Kolombi shkoi në Amerikë, otomanët e pushtuan plotësisht Shqipërinë pas pothuajse 50 vjet përpjekje dhe rrethim të egër.
Skënderbeu kishte vdekur në vitin 1468 dhe Shkodra ishte pushtuar në vitin 1479.
Pas këtyre dy humbjeve nisi një fazë pushtimi brutal dhe fatkeqësia jonë është se ndryshe nga ajo e shumë popujve të tjerë u kolonizuam nga një popull më i pacivilizuar se ne.
Në çdo kuptim të fjalës otomanët e viteve 1400 ishin shumë më të pazhvilluar se shqiptarët.
Ata ishin fise të vogla që bënë një shtet duke na pushtuar, ne ishim shtete të vogla që u kthyem në fis duke u pushtuar.
Është cinike ta them, por ne patëm më pak fat se indianët e Amerikës, apo shumë popuj afrikanë që u pushtuan nga popuj më të zhvilluar se ata.
Ne ramë në një lagështirë morale që na kalbi për 500 vjet.
Prandaj Otomanizmi nuk ishte një pushtim por ishte një kolonializim.
Kur otomanët ikën nuk lanë asgjë pas.
Shqipëria post otomane doli si vendi më i varfër, më i grabitur, më i paditur, më i sëmurë, më i vogël dhe më i uritur në Evropë.
Asnjë armik nuk na ka trajtuar më keq se otomanët gjakatarë.
Ata na zhveshën nga nevoja për të punuar, për të ëndërruar dhe për të jetuar me drejtësi.
Ata na ndanë nga trungu dhe na lanë të kalbemi në moçalin e tyre thithës.
Pa pushtimin otoman historia jonë do ishte më e ndritur dhe sot do ishim një popull europian më i madh dhe plotësisht i integruar.
Prandaj përpjekja e Ismail Qemalit që duke kaluar mes baltrave të kohës arriti ta shpallë Shqipërinë të pavarur në 28 nëntor të vitit 1912 është ndoshta akti më kurajoz i historisë sonë.
Të gjitha të këqijat që kemi pësuar dhe po pësojmë ende dhe sot e kanë burimin atje.
Te ato 500 vjet errësirë, poshtërim dhe përulje kombëtare.
Otomanizmi është sëmundja jonë që duhet ta shërojmë deri në fund.
Jam i bindur se do t’ia dalim.
Do shërohemi.
Gëzuar të gjithëve.



