Ben Blushi ka nxitur sërisht reagime të forta me botimin e tij më të ri “Jam Mysliman”. Ai ka sjellë tek lexuesi një rrëfim ironik dhe filozofik mbi përplasjen mes fesë dhe shtetit laik në Shqipërinë moderne. Në prani të miqve, kolegëve dhe politikanëve, shkrimtari prezantoi librin e tij i cili ka në qendër të romanit historinë e një shkrimtari.
“I gjithë romani është një metaforë për njeriun që kërkon shpëtim në fe, pasi ka humbur besimin tek shoqeria dhe jo një luftë kundër islamit. Unë jetoj me një myslimane, gjyshja ime ka qenë myslimane. Si mund të jem kundër myslimanëve? ‘Jam Mysliman’ është shkruar për të treguar se po na cenohen të drejtat, jo për të sulmuar fenë”, tha Ben Blushi.
“Duke lexuar çdo ditë reagimet në rrjetet sociale, kuptoj në çfarë dhune jetoj, një dhunë që vjen nga një pakicë njerëzish që më gjykojnë për atë që nuk jam: racist apo ksenofob. Ky libër është shkruar pikërisht për këtë arsye”, shtoi ai.
Në lidhje me idenë e librit autori rrëfeu se i lindi nga një fotografi që e shtyu të reflektojë mbi identitetin, fenë dhe mënyrën se si shoqëria shqiptare po i përjeton këto tema. “Jam Mysliman” është botimi i dymbëdhjetë në karrierën letrare të Ben Blushit, pas sukseseve të veprave të njohura si “Të jetosh në ishull”, “Otello”, “Arapi i Vlorës”, “Kandidati” dhe “Komploti”.



