20.5 C
Tirana
E enjte, 31 Tetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Ben Blushi: Zoti dhe kafshët

    Nga Ben Blushi

    Kur e shkrepa këtë foto në shëtitoren e Durrësit po mendoja nëse zogjtë që janë ulur në trotuar e kuptojnë dot se ku janë ulur. Mbi një pemë apo mbi hijen e saj ?

    Që zogjtë, kafshët, peshqit, zvarranikët dhe insektet kanë shqisa kjo është e dukshme. Një mace e dallon ndryshimin mes një kaucuku dhe një cope mish. Po ashtu një qefull e kupton nga përmasa që nuk mund të hajë dot një peshkaqen, sic e di një mushkonjë se mund të pijë gjak në lëkurën e një njeriu por jo në lëvozhgën e një palme. Po ashtu një krokodil e di se mund të hajë një dele që shef veten si narcisi në ujin e një lumi, ndërsa cdo zog e kupton se mund të ulet mbi një tjegull por asnjëherë mbi një oxhak të ndezur ose mbi një mangall me prush.

    Të gjitha këto lëvizje, kafshët, shpendët, peshqit dhe insektet i bëjnë pa asnjë gabim. Ata llogarisin me milimetra distancën nga preja, apo sa kohë ju duhet për të shpëtuar nëse ju afrohet ndonjë rrezik. Shpejtësia e tyre është pothuajse perfekte dhe ngjan me një veprim matematikor.

    Dhe pikërisht kjo është pyetja, a ka mendim pas këtyre lëvizjeve apo ka vetëm shqisa të përsosura deri në atë masë sa të shmangin gabimet?

    Pra kush i vë në lëvizje kafshët dhe specjet në përgjithësi, mendimi apo shqisa, arsyeja apo instikti?

    A mendojnë kafshët ? A kanë ato aftësinë të kuptojnë se kur diku ka tym ka dhe zjarr, se nëse në qielll ka re pas pak do fillojë shiu, se nëse një autobuz ndalon në stacion ai do niset përsëri ?

    Që kafshët kanë shqisa kjo është e provuar.

    Kafshët kanë shije sic kanë dhe njerëzit, kanë shikim sic kanë dhe njerëzit, kanë nuhatje sic kanë dhe njerëzit, kanë dëgjim sic kanë dhe njerëzit, kanë prekje sic kanë dhe njerëzit.

    Ne jemi mësuar dhe besojmë se specijet kanë shqisa por nuk kanë arsye, nuk kanë emocione dhe nuk kanë ndërgjgje.

    Me fjalë të tjera një qen që kafshon një fëmijë nuk ka vrarje ndërgjegje. Një luan nuk ka emocione kur shef që lind një këlysh dhe nuk qesh dhe as nuk qan. Një pallua nuk merr dot një penel për ti shtuar ylberit të vet ngjyrat që i mungojnë. Një milingonë që ushqehet me thërrime nuk bën dot një bukë. Një majmun që ha një banane nuk e hedh lëkurën e saj në kosh. Një pulë që bën një vezë nuk e gatuan atë. Një kanarine nuk i duhet të bjerë në dashuri që të këndojë gjithë ditën. Një gjel nuk qesh kur i afrohet një pule të bukur dhe një mace nuk qan kur ia marrin miun nga goja.

    Pra kafshët nuk kanë emocione, ndjenja dhe mendim cka është një fatkeqeësi e madhe për to në rradhë të parë por edhe për vetë njeriun.

    Imagjinoni sikur kafshët shtëpiake, me të cilat njeriu është lidhur kaq shumë, të kishin emocione, të qanin dhe të qeshnin duke pare telenovela ose të hidheshin nga divanet kur bëhet gol. Apo sa bukur do ishte sikur cdo mëngjes një kalë të conte fëmijët në shkollë dhe pastaj ti priste duke i sjellë shëndoshë e mirë në shtëpi. Ose, sa e dobishme do ishte sikur qentë të shkonin të blenin mish dhe ta sillnin atë në shtëpi pa e prekur.

    Jeta e njeriut do ishte shumë më e lehtë në shoqërinë e kafshëve puntore dhe përvecse vetë njeriu do kishte evoluar më shpejt, ai do ishte më pak mizor dhe ndoshta skllavëria e njeriut mbi njeriun nuk do kishte egzistuar. Shumë punë do ti kishin bërë kafshët që nga ndërtimet e grataciellave e deri tek ndërtimi i anijeve, pa harruar ato më të rëndësishmet, punët e shtëpisë.

    Njeriu nuk do kishte nevojë të bënte fare punë fizike, të cilat do ishin monopol i kafshëve i shpendëve, i peshqve dhe zvarranikëve, përfshi këtu mbjelljen e tokës që mund ta bënin kuajt bashkë me buajt, transportin që do ta bënin gomerët e mushkat bashkë me elefantët, mbledhjen e frutave që mund ta bënin gjirafat, pastrimin e shtëpive që do ishte një zanat i shkëlqyer për majmunët, pa folur pastaj për vezët që dihej kush do ti bënte dhe qumështin po ashtu megjithëse në kohën e lirë lopëve mund tu ngarkohej edhe ndonjë punë tjetër, pak më e komplikuar.

    Cfarë bote e mrekullueshme do ishte kjo. Kjo do ishte parajsa e vërtetë. Në këtë parajsë, në këtë Eden tokësor, detyrat do ishin të ndara qartë. Kafshët do bënin të gjitha punët fizike, ndërsa njeriu vetëm do mendonte, do urdhëronte, do shpikte teknologji dhe do bënte art, muzikë dhe sporte.

    Viti 2023 do i ngjante vitit 3478 në kuptimin e zhvillimit.

    Por fatkeqësisht nuk ka ndodhur kështu. Madje ka ndodhur e kundërta. Kafsha që ka punuar më shumë për transformimin e gjthë planetit dhe të vetë kafshëve është njeriu. Ai ka ndërtuar me duart e veta gjithshka, që nga luga deri tek anijet kozmike ndërkohë që kafshët rrinë e vështrojnë dhe nuk bëjnë pothuajse asnjë punë.

    Njeriu lumturohet kur shikon një kafshë që i jep pak dashuri dhe nuk le gjë pa bërë që ajo të jetë ngrohtë, mos sëmuret, të flejë, të zgjohet, të pastrohet, të hajë dhe të jetojë sa më gjatë.

    Lumturia e vetë kafshës është edhe lumturia e njeriut, ndërsa e kundërta nuk është aspak e vërtetë.

    Kafshët, jo vetëm që nuk mendojnë por ato nuk kanë emocione. Ato nuk e dallojnë dot lumturinë nga trishtimi, gëzimin nga hidhërimi, qeshjen nga e qara, triumfin nga dështimi.

    Një kalë gare nuk vrapon për të dalë i pari dhe as për kënaqësinë e madhe të kalorësit të vet por thjesht sepse ai është mësuar të vrapojë dhe nëse qëllon që është i fortë, i ri dhe ka pak fat del i pari. Por këtë triumf ai nuk e shijon, nuk merr kupën dhe nuk ka asnjë emocion. E kundërta ndodh me kalorësin fitues. Triumfi atë e bën të lumtur dhe madje e mban gjatë në këtë gjendje lumturije dhe fame. Por nëse të dy humbin garën, kali fle dhe ha njëlloj, kurse kalorësi trishtohet dhe mund të humbë karrierën dhe punën i poshtëruar.

    Lumturia e kafshëve është lumturia e njerëve, ndërsa e kundërta nuk është e vertëtë. Kafshët nuk duan tja dinë fare për humorin e njerëzve.

    Kush është me i lumtur, një pastor tedesk i cili gëzon të gjitha privilegjet e pronarit të vet të pasur apo vetë pronari i cili mund të jetë një grumbullues kryptosh, vlera e të cilave ulet aq shpesh sa mund të të rrënojë gjithë pasurinë brenda një pasditeje kur je duke shëtitur pastorin në park.

    Këtë humbje kolosale pronari e vuan,kurse pastori nuk e ndjen fare.Nëse nga kjo humbje pronari mbetet pa shtëpi ai do shkatërrohet dhe mund të vdesë kurse pastori do vazhdojë të jetojë si një qen i lirë rrugësh.

    Pra, të gjithë ata që besojnë në Zot, do ndjeheshin keq duke menduar se nga sa u tha më sipër duket sikur, jo vetëm kafshët nuk janë në shërbim të njeriut por përkundrazi njeriu është gjithmonë e më tepër në shërbim të kafshëve.

    Si mundet një besimtar ta pranojë që Zoti, që e krijoi njeriun sipas shëmbëlltyrës së vet dhe po ashtu krijoi kafshët, nuk i detyroi këto të dytat të jenë vazhmisht në funksion të njeriut ?

    Pse i bëri gjërat kaq mbrapsht pra Zoti, duke skllavëruar njeriun të cilit i duhet të punojë edhe për kafshët sepse që ta themi thjesht : njerëz që lajnë cdo ditë kafshët e tyre të dashura ka me miliona në gjithë botën, por askund nuk gjen një kafshë që tani po lan një njeri.

    Si ka mundësi? Cfarë është ky poshtërim? A mund të ulej njeriu më poshtë se kaq sa të pastronte cdo ditë qimet dhe derdhjet e miliona qenve, maceve dhe shpendëve ?

    Si e trajtoi kështu Zoti krijesën e vet më të dashur ?

    Por ka edhe më keq.

    Mendoni sa pak gjak do kishte derdhur njeriu sikur Zoti të kishte vendosur se luftërat nuk i bëjnë njerëzit, por vetëm kafshët. Pra kafshët e egra të një shteti luftojnë me kafshët e egra të një shteti tjetër dhe kush fiton atëherë ka pushtuar dhe atë shtet. Sa njerëz do kishin kursyer jetën e tyre dhe sa të kota do ishin shpikjet e armëve, nga shpatat deri tek bombat atomike për të cilat nejriu ka investuar më shumë mund, kohë dhe dije sesa për ilacet. Kafshët nuk do kishin nevojë për armë ato do luftonin vetëm me dhëmbët, muskujt e thonjtë e tyre. Lufta do ishte më e shpejtë dhe shumë më ekonomike.

    Nëse Zoti do ishte treguar pak më i dhimbsur dhe do e kishte marrë këtë vendim, pra që njeriu është një qenije që nuk lufton sepse këtë punë e bëjnë vetëm kafshët, historia do ishte ndryshe.

    Paqja mbi tokë do ishte vendosur shumë më herët dhe ndoshta sot nuk do kishim kaq shumë shtete që i kanë krijuar hartat e tyre duke derdhur gjak por vetëm një shtet të madh sa gjitha bota ku njerëzit do jetonin ne paqe dhe ku kafshët do bënin të gjitha punët e nevojshme.

    Si ka mundësi pra që Zoti kur e konceptoi botën dhe krijoi specijet përfshi humanët dhe kafshët nuk e mendoi këtë gjë?

    Nëse kafshët punojnë më pak dhe janë më të lumtura se njeriu, sa njerëz do donin të jetonin si kafshët nëse do u ishte dhënë mundësia të zgjidhnin?

    Jam i bindur që një duzinë grash shtëpiake të vetmuara që jetojnë me macet e tyre do zgjidhnin më mirë të ishin mace dembele sesa plaka të vetmuara dhe kjo vlen edhe për shumë kalorës që do donin të ishin kuaj, pa folur për sa e sa shërbëtorë të mjerë që do zgjidhnin të ishin luanë më mirë se varfanjakë të zgjebosur që merren me qira nga gjuetaërt e pashpirt.

    Nuk e di ctë them më gjatë dhe nuk e shpjegoj dot pse Zoti mori këto vedime kur bëri kafshët dhe njerëzit por më e pakta që mund të them, është se Zoti nuk është menduar aq sa duhet.

    Historia provon se vendimet e tij janë shumë të nxituara dhe nuk janë udhëhequr aspak nga dashuria për njerëzit por ndoshta nga dhimbsuria për kafshët. Ai ka qenë selektiv dhe kafshët i ka kursyer nga shumë tortura që e lodhin njeriun, duke nisur nga mendimi.

    Nëse Zoti nuk do ti donte kafshët ai do ti kishte detyruar ato të mendojnë. Por ai ia la këtë përgjegjësi të tmerrshme njeriut.

    Pra që mos zgjatem kam këtë pyetje për të gjithë ata që besojnë.

    Cfarë mendoi Zoti kur na krijoi? Pse nuk i bëri dhe kafshët të mendojnë, të ndjejnë të dashurojnë, të mërziten, të trishtohen, të qeshin të qajnë dhe të vallëzojnë?

    Unë sigurisht e di përgjigjen. Kafshët dhe jeta e tyre është një provë tjetër se Zoti nuk është dhe se njeriu dhe kafshët janë produkt i evolucionit dhe i përpjekjeve të veta për mbijetesë.

    Por të gjithë ata që nuk mendojnë si unë duhet tia bëjnë këtë pyetje vetes : pse Zoti nuk i dha kafshëve mendimin , emocionet dhe ndërgjegjen?

    Cfarëdo arsye të ketë patur mendoj se e ka patur gabim.

    Edhe ai vetë nëse do kishte mundësi do ishte bërë pishman.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit