23.5 C
Tirana
E hënë, 13 Prill, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Berisha e gjen shpëtimin tek Chat GPT, por problemin e ka diku tjetër

    Duke marrë shkas nga fitorja e Peter Magyar në Hungari që dominoi krejtësisht rrjetet sociale në dy vitet e fundit, Sali Berisha i ka bërë thirrje krerëve të seksioneve dhe deputetëve të PD që të reagojnë vazhdimisht në rrjetet sociale dhe të jenë më aktivë me statuse dhe videot e tyre.

    Berisha tha se rrjetet sociale do të monitorohen për gjithësecilin, pasi antarët e PD kanë vënë re se shumë prej drejtuesve rrinë të heshtur dhe nuk reagojnë.

    “Duhet të tregoni trimërinë tuaj në rrjetet sociale” u shpreh Berisha, duke shtuar se gjithësecili duhet të mësojë të përdorë aplikacionet e inteligjencës artificiale.

    “Duhet të shkarkoni të gjitha aplikacionet IA. T’i keni në celular, Chat GPT, Grok dhe Gemini. Kanë një saktësi që rritet gjithnjë e më shumë. Ndonjëherë kanë halucionacione, por ama ndihma e tyre është e jashtëzakonshme, që të përgënjeshtroni propagandën e shpifur që po bën Edi Rama” u shpreh Berisha.

    Denoncimet e Peter Magyar në Hungari nuk ishin efektive thjesht në formë, por edhe në përmbajtje.

    Fituesi i zgjedhjeve atje denoncoi jo vetëm korrupsionin e ministrave të Viktor Orban, por edhe oligarkët përreth tij, duke përfshirë ata që kishin në pronësi mediat.

    Gjë që në Shqipëri, Sali Berisha dhe Partia Demokratike nuk e bëjnë dot.

    Kur keni dëgjuar fjala vjen, nga kjo opozitë, që të denoncojë ndonjë oligark me emër dhe mbiemër.

    Shikoni rastin e banorëve të Rrjollit, ku Bashkim Ulaj iu ka rrëmbyer tokën banorëve për të ndërtuar një resort turistik.

    Ai po mbrohet jo vetëm nga Qeveria, por dhe nga opozita, e cila nuk e hap gojën për të mbrojtur qytetarët.

    Kjo, sepse oligarkët i kanë bashkë.

    Ndaj dhe asnjë opozitar nuk guxon të thotë gjysëm fjale, kundër oligarkëve në Shqipëri, të cilët përfitojnë miliarda tendera nga Qeveria.

    Le të shkarkojnë dhe përdorin sa të duan Chat GPT, Grok dhe Gemini.

    Nëse nuk flasin për hallet e qytetarëve dhe me qytetarët, PD nuk mund të bëjë kurrë atë që bëri opozita në Hungari.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit