Sali Berisha, ka akuzuar mazhorancën se ka shkelur rëndë Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit, duke e cilësuar këtë si një tjetër dëshmi të përqendrimit të pushtetit dhe shtypjes së pluralizmit politik.
Në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PD-së, Berisha u shpreh se shteti ligjor është zëvendësuar me një narko-shtet, ndërsa Shqipëria, sipas tij, nuk i plotëson asnjë nga standardet për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian.
“Në parlament u shkel rëndë Kushtetuta dhe Rregullorja. Dënoj me forcë shkeljen e Kushtetutës së vendit.
Shteti ligjor është zëvendësuar me narko-shtetin. Shqipëria nuk plotëson asnjë standard për të qenë në BE, përveç pozicionit gjeo-strategjik.
Pushteti është përqendruar në një dorë. Mazhoranca përdor institucionet për të shtypur pluralizmin.
Nuk ka standard një vend që zhvillon farsën elektorale, nuk ka asnjë standard një vend që është bërë epiqendër e trafikut të drogave të forta,” tha Berisha.
Ai shtoi se opozita mbështet procesin e integrimit europian, por nënvizoi se aktualisht Shqipëria nuk i përmbush kriteret e anëtarësimit.
“Ne e mbështesim plotësisht procesin e integrimit, por deklarojmë se Shqipëria nuk plotëson asnjë standard, përpos pozicionit gjeo-strategjik të saj, që e ka pasur që kur është formuar bota,” u shpreh kreu i PD-së.