Ilir Meta ka folur në lidhje me akuzat që Sali Berisha, sot aleat në opozitë, i bëri në vitin 2015 për aferën CEZ-DIA, ku kërkonte dorëheqjen dhe hetimin e tij.
Meta u shpreh se Berisha lexonte atë çfarë i kishte thënë ish-kryedemokrati, Lulzim Basha.
Sipas Metës, kryeministri Edi Rama kishte stisur një deklaratë dhe përdori Bashën për ta shfaqur në publik.
“E ka trumbetuar sepse ka dëgjuar se çfarë i ka thënë Luli në atë kohë, sepse në atë kohë, këtë histori, Rama e stisi në publik përmes Lulit.
I kishte thënë Lulit të lexonte një deklaratë, bazuar në një shkrim spekulativ të BIRN-it, i cili spekulonte emrin që kishte dalë një ish-kryeministër që e kishte përfituar nga kjo kompania transferta, i cili ishte një emër tjetër që dilte nga procesi dhe nga letrat, u përpoqën ta lidhnin me emrin tim”, tha ai.
Vetëm se Meta nuk e zgjati më, për të shpjeguar nëse përgjigjia e tij për Shkëlzen Berishën, ishte e vërtetë a jo.
Meta ndërkohë tha se nuk e sheh si shqetësim apo problem, shpalljen “non grata” të Sali Berishës nga SHBA dhe Britania e Madhe.
Meta tha se shpallja “non grata” e Berishës është një vepër e kryeministrit Edi Rama.
Sipas Metës, ky vendim nuk e bën Berishën anti-amerikan.
“Për mua ky nuk është një shqetësim, për arsye sepse ju e dini që qëndrimi im, që kur është shpallur zoti Berisha “non grata”, ka qenë një qëndrim kundërshtues. E kam bërë të qartë që është një lojë e Edi Ramës dhe e përkrahësve të Edi Ramës.
Është një vendim që është marrë edhe prej tyre, që natyrisht është e drejta e tyre, por e kam të qartë që ky veprim është një histori McGonigal siç del qartë dhe do dalë më e qartë më mbrapa. Ky vendim nuk e bën Berishën anti-amerikan”, theksoi ai.