Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi për mediat se aksioni opozitar do të vijojë me protesta, por dhe me mosbindje civile.
Ai u shpreh se nuk bëhet fjalë për dhunë, por mosbindja civile nuk është as “gudulisëse”.
Kryedemokrati tha se kanë marrëdhënie shumë të mira me Partinë e Lirisë dhe janë në sinkron.
Në një deklaratë nga selia e PD në Pogradec, Berisha tha se asgjë nuk e pengon opozitën nga fitorja, ndërsa paralajmëroi se Edi Rama i ka kohët të numëruara.
“Shumë të mira janë marrëdhëniet. Jemi në sintoni të plotë. Asgjë nuk e pengon këtë opozitë nga fitorja. Edi Rama do i ketë kohërat e numëruara, e shihni se si përpëlitet”, tha Berisha.
Në lidhje me hetimet që SPAK ka nisur për Metën, Berisha tha se gjithçka është në kuadrin e shndërrimit të këtij institucioni, SHISH-it dhe Autoritetit të Dosjeve, në anekse të zyrës së Ramës.
“Gjithçka është në kuadrin e shndërrimit të SPAK, shërbimit Informativ Kombëtar, komisionit të Dosjeve, në anekse të zyrës së Edi Ramës. Gjithçka zhvillohet në kuadrin e shtetit monist”, tha Berisha.