Kur kanë mbetur rreth një muaj që aleati i tij të heqë kostumin e presidentit, ish-kryeministri Sali Berisha bën thirrje për krijimin e një fronti opozitar për t’iu kundërvënë qeverisë aktuale që, sipas tij, e ka kthyer vendin në një monizëm.
Në konferencën e përjavshme, ish-kryeministri Sali Berisha akuzoi kryeministrin Rama se ka zaptuar çdo pushtet në vend.
“Zgjidhja është sot më shumë se kurrë në duart e vetë qytetarëve shqiptarë, të atyre të cilët e duan këtë vend, e konsiderojnë lirinë dhe dinjitetin e qytetarëve shqiptarë si premisën më jetike për zhvillimin e tyre dhe të vendit të tyre. Shembja e sistemit të kalbur monist arrihet me guxim, vendosmëri, organizim dhe krijimin e një fronti opozitar si një lëvizje e fuqishme shpëtimtare për Shqipërinë.
Në këtë kontekst, Partia Demokratike konsideron jetike krijimin në këtë moment kritik, të një Fronti Opozitar për shpëtimin e Shqipërisë, të përbërë nga të gjitha forcat politike të vërteta opozitare, shoqëria civile, personalitete dhe individë, kundërshtarë të regjimit, grupe interesi, sindikatat, rrethi akademik, të gatshëm për t’u përballur me regjimin monist të Edi Ramës”, tha Berisha ndërsa u bëri thirrje edhe partnerëve ndërkombëtarë që të mos mbështesin kryeministrin Rama.
“Partia Demokratike u bën thirrje miqve të Shqipërisë, shqiptarëve dhe demokracisë së tyre në Europë dhe SHBA, e kudo në çdo vend të lirë, të ndërpresin menjëherë çdo mbështetje për regjimin monist të Edi Ramës, si një kontribut për rivendosjen e sistemit demokratik kushtetues të kontrollit dhe balancës së pushteteve në këtë vend”, vijoi Berisha.
Protestat
Situata e vështirë ekonomike në vend dhe kriza e rritjes së çmimeve, sipas liderit historik të PD-së, ka ngjallur një zemërim të madh te qytetarët, të cilët, sipas tij, kërkojnë protestë.
Në këtë pikë, Berisha bëri edhe autokritikë, por tha se protesta mund të ketë para se shqiptarët të marrin pushimet.
“Unë jam i vonuar në artikulimin tim, pasi zemrat e njerëzve po zien, revolta në shpirtin dhe zemrën e njerëzve po zien anë e kënd vendit. Lëvizjet janë shumë interesante, nganjëherë i udhëheq ti, i prin, herët e tjera të udhëheqin ato. Ua them juve që kërkesa për protestë është universale sot. Dhe Partia Demokratike është e vonuar. I kemi grupet, i kemi qytetarët, e kemi anëtarësinë, grupet e interesit, janë të gjithë para nesh. Nuk ka asnjë diskutim që do të jemi në lartësinë e detyrimeve tona ndaj tyre”, tha ish-Kryeministri.
Por teksa u pyet nëse do të dilnin në rrugë në shtator, ai u shpreh: “Shpresoj edhe më herët, qytetarët e kanë të vështirë të presin deri në shtator”.
Reformat
Sakaq, dy ditë më parë në Parlament u miratuan përbërjet e Komisioneve të Posaçme për Reformën Territoriale dhe atë Zgjedhore. Por Berisha nuk ia njeh atributin Alibeajt për të negociuar për reformat, ndaj e akuzoi atë se po bën lojën e qeverisë dhe paralajmëroi se nuk do të marrë pjesë.
Ndërkohë hodhi poshtë akuzat e Bardhit në seancë plenare se ka urdhëruar deputetët që të mos miratojnë ngritjen e komisionit hetimor për investimet strategjike.
“Të besosh trillimet e Gazment Bashës është njëlloj si të besosh Lulzim Bashën. Asnjë iniciativë nuk bllokojmë ne, por dua t’ju them se Alibasha dhe Gazbasha po i shërbejnë me besnikëri të neveritshme Lulzim Bashës. Dhe të jeni të sigurt, mbajeni mend këtë që po ju them. S’do jetë e largët dita kur do të publikohen arsyet si për atë që iku dhe për këta të dy, se çfarë i shtyn këta. Ne nuk marrim pjesë në farsa të organizuara nga Edi Rama dhe nga të keqshfrytëzuarit e tij pseudo-opozitarë. Nuk marrim pjesë”, tha Berisha.
Aksioni politik, Berisha mbledh sot kryetarët e degëve
Ish-Kryeministri Sali Berisha do të takohet sot në orën 12:00 në selinë e Partisë Demokratike me kryetarët e zgjedhur të degëve. Kjo është mbledhja e parë e kryetarëve të degëve, çka do të shënojë edhe konstituimin.
Mbledhja e parë do të drejtohet nga ishKryeministri Berisha dhe mësohet se diskutimet do të fokusohen tek organizimi i partisë.
Kujtojmë që ditën e enjte Berisha nisi një tur takimesh, i cili do të shërbejë për të hapur dhe për të përthithur figura të reja në PD. Vetë Berisha tha dje se kryetarët e degëve do të marrin detyrat dhe do të flasin për përgatitjen për protesta.
“Mbledhja e parë është shumë e rëndësishme, mbledhja e parë e kësaj natyre në të cilën ata do marrin detyra për drejtimet e punës së PD–së në periudhën që vjen. Nuk mund të ketë dyshim që protestat do të jenë temë e një diskutimi shumë të rëndësishëm. PD duhet të bëjë gjithçka për të shpëtuar Shqipërinë nga sistemi monist dhe vetëm shqiptarët mund ta bëjnë atë”, u shpreh ish-kryeministri.
Ndërkohë, më pas do të vijohet me organizimin e sekretariateve dhe bordeve në qendër dhe më pas e njëjta skemë do të shpërhapet në çdo degë të PD-së.
Mësohet sekretariate dhe departamente do të ketë çdo degë e PD-së në Shqipëri, të cilat do të merren me problematikat e ndryshme të qeverisjes aktuale dhe njëkohësisht do të shërbejë edhe për ringritjen e PD-së që drejtohet nga Berisha.