Sali Berisha duket se është tërbuar pse asnjë nga politikanët e rëndësishëm në Kosovë, nuk reagoi për goditjen e tij në protestën e 6 dhjetorit.
Ai ka vënë Çim Pekën të bëjë një shkrim, në të cilin iu kërkon llogari politikanëve të Kosovës, pse nuk reaguan për goditjen e Berishës.
“Kur Kosova ishte në fije të perit dhe rrezikohej territori i saj për shkak të pazareve të Thaçit, Ramës&CO, e vetmja rezistencë serioze dhe mbështetje e pakushtëzuar erdhi nga lideri historik i së djathtës shqiptare, Sali Berisha.
Ata pak politikanë kosovarë që guxuan t’i thonin “Jo” ndarjes, nxitonin të takoheshin me doktorin, sepse duhej një përkrahje në Shqipëri, ku kryeministri Rama nën ndikimin e presidentit të Serbisë i mëshonte fort skenarit të copëtimit të Kosovës.
Asnjëherë, me fatin e Kosovës, Berisha nuk bëri kompromis. Jo rastësisht, në opinionin kosovar respekti dhe mirënjohja, nderimi dhe mbështetja, dallonte dukshëm me secilin politikan tjetër.
Por, denoncimi i pazareve që bëheshin mbi kurrizin e Kosovës, e kishin edhe koston përkatëse.
Politikanët kosovarë shpesh duken naivë, megjithatë nuk janë aq, sa të mos e kuptojnë se “Non Grata”, tetë vjet pas largimit prej pushtetit nuk i mbërriti ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, për qeverisjen e tij, që u pasua nga narko-shteti dhe degradimi, mafia dhe shpopullimi.
Fatura e rëndë ndërlidhej pikërisht edhe me mosshitjen e interesit kombëtar përballë një plani monstruoz, që synonte zhbërjen e Republikës së Kosovës.
Sidoqoftë, ky qëndrim i palëkundur i liderit demokrat, me kosto të jashtëzakonshme politike, duket se nuk ka lënë gjurmë të mjaftueshme te politika kosovare, e zhytur në oportunizëm e nënshtrim, servilizëm e mediokritet.
As ata që e mbajnë veten si më guximtarët në politikë, nuk e hapën gojën kur udhëheqësi i opozitës shqiptare u përball me dhunën e porositur, me gjasë, nga pushteti i autokratit Rama, në panikun që e ka përfshirë këtë të fundit nga ringjallja e opozitës.
Politikanët e Kosovës nuk përtojnë edhe për ngjarje e personazhe pa peshë të reagojnë, të shprehin solidaritet e mbështetje, por në rastin e aktit të dhunshëm ndaj liderit opozitar, e qepën gojën.
E qepi Ramush Haradinaj. E mbylli Fatmir Limaj. Heshti Lumir Abdixhiku. S’iu dëgjua zëri Memli Krasniqit. Albini e Vjosa, dy qëndrestarë ndaj pazareve për ndarjen e Kosovës, e futën kryet në zall si struci.
E turpshme për politikanët kosovarë, kjo heshtje ndaj një akti barbar dhune që i bëhet udhëheqësit të opozitës shqiptare, i cili nuk ka pranuar kurrë të bëjë pazare mbi kurrizin e Kosovës, siç bën sot partneri i Vuçiqit, Edi Rama.
Në këtë rast, të ashtuquajturit politikanë kosovarë, treguan mjerimin e tyre në radhë të parë njerëzor, nivelin dëshpërues intelektual dhe mungesën e identitetit nacional e politik.
Ndonjëri edhe mund të kishte thënë diçka, qoftë një postim me dy – tre fjali në rrjetet sociale, por ka pasur frikë se mos ia ngreh veshin Rama.
Nën tutelën e frikës, kurrë nuk mund të jeni politikanë me integritet e aq më tepër burrështetas.
Ajo goditje burracake, ka lenë një shenjë në fytyrën e Sali Berishës, por edhe një njollë të pashlyeshme turpi në fytyrën e politikanëve të Kosovës”, thuhet në shkrimin e botuar në portalin e Berishës.