Sali Berisha i bën thirrje deputetëve demokratë të përdorin masivish mediat sociale, si një përpjekje për të luftuar atë që ai e quan si propagandë dhe mashtrime të socialistëve.
Gjatë një takimi me demokratët e Tiranës, Berisha tha se populli opozitar duhet të përdorë masivisht Facebook, Instagram dhe TikTok, si një nevojë e jashtëzakonshme për revolucionin që ai ka deklaruar.
“Çfarë duhet të bëjmë ne? Përveç takimeve intensive duhet të përdorim mediat sociale, Facebook, Instagram, TikTok-un, çdo gjë që dimë, çdo shpjegim, duhet t’i hedhim. Pra populli opozitar duhet të jetë populli i mediave sociale. Revolucioni ka nevojë të jashtëzakonshme për to”, u shpreh Berisha.
Gjatë fjalës së tij, Berisha nuk kurseu edhe sulmet e forta ndaj ambasadores amerikane në Tiranë.
“Ka patur një aferë problematike me General Electric, një nga gjigantët e SHBA dhe Europës, kishte firmosur Fatos Nano një kontratë 100 milionë dollarë, që nuk shkonte më shumë se 10 milionë dollarë. E anullova. Jo i thashë, por kur mua më tha ke të drejtë ambasadori.
Kurse kjo na shkon dhe na bën vizitë atje si për ta paraqitur si një investim të madh të Amerikës, një investim korruptiv. Këto ditë do dëgjoni se Edi Rama do të zgjidhet sekretar i NATO-s, më një prill i tha ajo zonja. Nuk lanë gënjeshtër pa nxjerrë”, tha Berisha.