Në Partinë Demokratike janë duke u zhvilluar zgjedhje për krerët e degëve, proces i organizuar në mënyrë të njëanshme nga Komisioni i Rithemelimit i Berishës dhe që nuk njihen nga pala tjetër brenda partisë.
Berisha po zgjedh kryetar degësh mbështetësit e tij. Rasti është i kryetarit të Kamzës. Arjan Hoxha është zgjedhur disa ditë më parë kryetar i degës së PD në këtë bashki me 788 vota, ndërkohë që kishte përballë tre kandidatë të tjerë.
Hoxha, ish-shef i Sektorit të Krimit Ekonomiko-Financuar në pushtetin e Sali Berishës, me vartësi direkte nga Agron Kuliçaj. Ai është një besnik i Berishës pasi ishte një prej delegatëve që mori pjesë në Kuvendin e 11 dhjetorit, madje i përcaktuar në tribunën kryesore, shumë pranë ish-kryeministrit siç duket edhe në foto.
Emri i tij u bë i njohur, si një nga të prangosurit për ngjarjen e rëndë në Elbasan, ku 4 ditë para zgjedhjeve të 25 prillit, u vra nga grupi i armatosur i Partisë Demokratike Pjerin Xhuvani, mbështetës i Partisë Socialiste. Arjan Hoxha ishte përgjegjës i sigurisë për shtabin elektoral të Partisë Demokratike për qarkun Elbasan, pra kreu i grupit që vrau Xhuvanin.
Ai ka qenë gjithashtu i emëruar në vitin 2017 nga vetë Gazment Bardhi, kur u bë ministër Drejtësie, si Drejtor i Përgjithshëm i Burgjeve.
Çfarë ndodhi në Elbasan më 21 prill 2021
Ngjarja e rëndë u regjistrua më 21 prill pak ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, ku Xhuvani u qëllua me armë nga Arbër Paplekaj, shoqëruesi i kreut të listës së Partisë Demorkatike në këtë qytet, Gazmend Bardhi.
Të plagosur mbetën edhe katër persona të tjerë, Emiljan Prenga, Pavlo Vuksani, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota ( punonjëse e policisë). Paplekaj pranoi krimin dhe u vetëdorëzua në Repartin e Forcave RENEA në Tiranë duke thënë se qëlloi për vetëmbrojtje pasi u qëllua më parë nga persona që sipas tij po blinin vota.
Ngjarja zbuloi edhe skandalin e PD-së për ngritjen e një strukture të armatosur, të vetëshpallur Struktura për Mbrojtjen e Votës, ku një pjesë e mirë e anëtarëve të së cilës rezultuan persona të njohur edhe për strukturat ligjzbatuese në vend.