8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Biseda e Ben Blushit me një vajzë myslimane, që as dëgjon muzikë, as kërcen, se është e “papërshtatshme”

    Nga Ben Blushi

    Isha në Xhaminë e Shkodrës. Një vajzë e mbuluar u afrua te hyrja e grave.

    Të të bëj një fotografi, e pyeta?

    Nuk është e mundur, tha ajo.

    Fotografia ime nuk është për keq, i thashë.

    Ky është Ben Blushi, tha një grua tjetër, pranoje nuk ka problem.

    Për çfarë i bën këto foto, tha vajza?

    Dua të bëj një libër me njerëz të bukur, thashë unë.

    Mendon se jam e bukur?

    Shumë, i thashë.

    Mirë, por a mund të më nxjerrësh vetëm me kurriz, tha vajza?

    Të paktën në profil, i thashë.

    Sot jam pak e skuqur, tha vajza.

    Si quhesh, e pyeta?

    Sonada.

    Sonata?

    Ma ngatërrojnë shumë njerëz, Sonada jo Sonata.

    Kur je mbuluar?

    14 vjeç.

    Je e lumtur?

    Shumë e lumtur.

    Po mami është e mbuluar?

    Mami u mbulua 2 muaj përpara meje.

    Pra ti u mbulove nga mami?

    Unë u mbulova sepse e ndjeva.

    Po motra është mbuluar?

    Motra është praktikante, nuk është mbuluar, por mezi po pret.

    Dëgjon muzikë, e pyeta?

    Është e ndaluar, tha Sonada.

    Po si mund të jetosh pa muzikë, a ka gjë më të bukur, e pyeta?

    Është e provuar që muzika dëmton veshët, tha Sonada.

    Po në dasma shkon?

    Kam shkuar, tha Sonada.

    Nuk ke kërcyer asnjëherë?

    Pothuajse nuk kërcej, tha Sonada.

    Duhet të dëgjosh muzikë, i thashë, nuk ka asgjë të keqe.

    Këngët kanë shumë fjalë të papërshtatshme, tha Sonada.

    Sa vjeç je?

    19.

    Çfarë shkolle bën?

    Për infermieri.

    Të lejojnë në shkollë të mbuluar?

    Po aty ka dhe vajza të tjera si unë.

    Kur do martohesh?

    Kur ta vendosë Zoti.

    Po si do njihesh me dikë kur nuk del, nuk dëgjon muzikë, nuk shkon në disko dhe nuk të lejohet të takosh djem?

    Përmes lutjes, tha Sonada.

    Pra ti lutesh edhe për të gjetur një djalë, e pyeta?

    Unë kam përcaktuar karakteristikat e njeriut me të cilin dua të jetoj dhe lutem që ai të shfaqet.

    Po a gjendet burri duke u lutur?

    Edhe familja mund të ndihmojë, tha Sonada.

    Pra do fejohesh me mblesëri?

    Mblesëria nuk është e keqe, por familja nuk do bëjë asgjë pa më pyetur mua.

    Çfarë është Zoti për ty?

    Zoti është diçka kaq e madhe sa nuk përshkruhet dot me fjalë.

    A mund ta hedh foton tënde në instagram?

    Mund ta hedhësh.

    Je një vajzë shumë e mirë Sonada.

    Duhet të iki, tha Sonada.

    Do marrësh abdes, e pyeta?

    E mora abdesin, tani do lutem.

    Lutje të mbarë, thashë unë.

    Faleminderit, tha Sonada.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit