8.5 C
Tirana
E hënë, 23 Dhjetor, 2024
More
    spot_img
    spot_img

    Bizneset në hall. Punonjës nuk ka, të huajt nuk vijnë, pagat duhet t’i rrisin, fitimet po u bien, konsumi po ulet

    Dorina Azo
    Në krizën e shtrenjtimit të çmimeve të lëndëve të para në vitin 2022 pas sulmit të Rusisë në Ukrainë, si prodhuesit edhe ofruesit e shërbimeve ruajtën marzhet e fitimit, nëpërmjet rritjes së çmimeve.

    Me thellimin e dukurisë së mungesës së fuqisë punëtore, që në rastin e Shqipërisë, është e ndikuar më tepër nga emigracioni, lëvizjet demografike të brendshme dhe plakja e popullsisë në vite, bizneset nuk pritet t’i shtrenjtojnë çmimet, por pohojnë se do ta amortizojnë koston e rritjes së pagave për mbajtjen e punëtorëve me shkurtim fitimesh dhe investimesh.

    Prodhuesit mbeten më të prekurit në kosto nga ndryshimet e tregut të punës. Përpunuesit e peshkut të kompanisë “Coral Fish”, përveç goditjeve nga rënia e euros, nuk po arrijnë të gjejnë punonjës për të përballuar kërkesën e lartë për eksport drejt Spanjës dhe Italisë. Për këtë arsye, kanë nisur të reduktojnë prodhimin.

    “Kompania është e pranishme me eksport produktesh në rrjetet më të mëdha të supermarketeve në Spanjë dhe Itali. Kërkesa jashtë favorizon rritjen e mëtejshme të volumit të eksporteve, por këtë e bën të pamundur fuqia punëtore.

    Për këtë arsye, kemi reduktuar prodhimin”, pohoi për podcast-in “Business Plus”, Helidon Rruga, drejtuesi i “Coral Fish”.

    Rreth 45% e produkteve të peshkut të prodhuara nga kompania eksportohen, 55% e sasisë së prodhuar tregtohen në tregun vendas. Z. Rruga tha se mungesën e fuqisë punëtore tentoi ta zgjidhë me punësimin e të huajve, që rezultoi pjesërisht efikas.

    “Aktualisht kemi të punësuar 80 shtetas nga Egjipti për flotën e 13 anijeve të peshkimit, si dhe italianë dhe turq në sektorë të ndryshëm.

    Tentuam edhe punësimin në linjat e prodhimit në fabrikë të punëtorëve nga Bangladeshi, por pavarësisht monitorimit deri te mbajtja e pasaportave, gjithçka rezultoi e pasuksesshme, pasi të gjithë u larguan. Për një pjesë të tyre, Shqipëria është trampolinë për t’u larguar drejt vendeve të BE-së.

    Gjetja e punonjësve vendas është gjithnjë e më e vështirë. Në vitin 2008, kur përuruam fabrikën në Durrës, ka pasur fluks të lartë të njerëzve që kërkonin punë. Tashmë ky fluks nuk ekziston më.

    Edhe në fabrikën e ngritur në qytetin tim të lindjes, Kavajë, me qëllim zbutjen e papunësisë dhe problemave sociale, po përballemi me vështirësi në gjetjen e punonjësve. Kemi vënë në dispozicion mjete transporti për mbledhjen e punonjësve në shtëpitë e tyre, pasi nuk gjenden”.

    Ai tha se rritjet e herëpashershme të pagave për mbajtjen e fuqisë punëtore kanë qenë të përballueshme, por rënia e euros i ka shtuar problemet.

    “Niveli i pagave në vend nuk është si në vitet e mëparshme. Kostoja për shtimin e tyre është e përballueshme, por duhet theksuar se aktualisht, efektet e humbjes nga zhvlerësimi i euros janë të larta. Për eksportuesit, problematika më e madhe është rënia e monedhës europiane”.

    Dëmi nga ulja e konsumit

    Prej tre muajsh, prodhuesit e vegjël të lëngjeve të frutave dhe pijeve freskuese janë detyruar të pezullojnë përkohësisht prodhimin në fabrikën e zonës së Dropullit, pasi shpopullimi i lartë i zonave rurale ka pakësuar ndjeshëm konsumin.

    Nëse nuk do të kishte rënie të fuqisë blerëse, Kosta Bezhani, nga kompania “Fresh Co”, tha se do të arrinte të përballonte paga nga 700 deri në 1,000 euro/muaj.

    “Nga muaji dhjetor deri më sot, linjat e prodhimit në fabrikë janë vënë vetëm tre herë, pasi mungon tregu i shitjes. Nuk kemi kujt t’ia shesim prodhimin. Problematika kryesore është rënia drastike e konsumit. Krahasuar me vjet, konsumi pothuajse është zeruar prej emigrimit”.

    Drejtuesi i kompanisë “Fresh Co” tha se po shpenzon kursimet për të paguar punonjësit.

    “Punonjësit po i paguajmë me paga dyfish më të larta se pagesat që marrin në Greqi, por shumica e tyre nuk dëshirojnë të jetojnë dhe punojnë në Shqipëri.

    Çdo ditë largohen gjithnjë e më shumë. Ndërsa me të huajt, ne si kompani kemi eksperimentuar shumë vite më parë, pasi punësuam shtetas nga Kina.

    Rekrutimi i të huajve është i vështirë, pasi asnjë prej tyre nuk dëshiron të qëndrojë për një kohë të gjatë në Shqipëri. Por nëse do të kishte lëvizje konsumi, nëse do të kishte njerëz, situata mund të përmirësohej.

    Në këto kushte, ku jemi duke shpenzuar kursimet, nuk presim që aktiviteti të rimëkëmbet, përveçse ndonjë rritje e lehtë që do të vijë gjatë sezonit turistik”.

    Z. Bezhani shtoi se produktet vendase po humbin konkurrueshmërinë krahasuar me prodhimin e importit që po shitet më lirë.

    Rritja e pagave, e shoqëruar me rënie konsumi, po ndikon negativisht edhe te prodhuesit e vezëve. Lilo Seraj, nga stabilimenti i rritjes së shpendëve “Ovvital”, vlerëson se kjo situatë do të tkurrë shumë shpejt shpenzimet e investimeve.

    “Kompania jonë ka rritur dy herë pagat vitin e kaluar. Përmirësimi i kushteve dhe rritja e pagave të punonjësve ka ndikuar negativisht te kostot operative të ndërmarrjeve prodhuese të vezëve.

    Si fillim do të synohet të ruhen marzhet e fitimit, por është bërë shumë e vështirë, pasi fuqia blerëse është në nivelet më të ulëta ndër vite.

    Në këto kushte, bëhet e vështirë rritja e çmimeve dhe automatikisht kjo do të çojë në rënie të fitimeve të ndërmarrjeve. Dhe kjo më pas sjell mungesë të investimeve në inovacion teknologjik në përmirësim të standardeve të prodhimit”.

    Në vend, pjesa e mirë e fuqisë punëtore të kualifikuar ka emigruar. Në 20 vitet e fundit, përkatësisht për vitet 2002 deri 2022, sipas të dhënave të Eurostat, janë 604 mijë shqiptarë të pajisur me pasaportë të një vendi të Bashkimit Europian.

    Numri më i lartë i shtetësive të dhëna ishte në 2016, me 67 mijë, i ndjekur nga 2017-a, me 59 mijë.

    Shumë nga bizneset eksperimentuan marrjen e fuqisë së huaj punëtore nga shtetet aziatike, por skema rezultoi e pasuksesshme, pasi ata largoheshin, edhe pse u ofrohej pagë nga 600 deri në 800 euro/muaj, akomodim dhe ushqim, me qëllim mbajtjen e punëtorëve më të kualifikuar.

    Ndërsa zëvendësimi i fuqisë punëtore profesionale të larguar me të ardhurit nga rrethet dhe zonat rurale është i pamundur të garantohet pa kualifikime. Edhe kjo kategori priret t’i drejtohet tregut të huaj dhe pozicionet e punës mbeten sërish të lira pas pak muajsh sipas ekspertëve të agjencive të rekrutimit.

    Nga rritja e kostove dhe rënia e fuqisë blerëse, prodhuesit rrezikojnë uljen e fitimeve dhe investimeve

    Drejtuesi i Qendrës së Eksportuesve Shqiptarë, Alban Zusi, ngre shqetësimin se kjo situatë po ul fitimet investuese të kompanive për rinovim teknologjie dhe shtimin e linjave të prodhimit, pasi shpenzimi i kursimeve për rritje pagash, në periudhë rënie konsumi dhe të zhvlerësimit të kursit të këmbimit, vetëm sa shton agoninë e agropërpunuesve dhe eksportuesve për të mbijetuar.

    Z. Zusi tha se janë të shumta kompanitë shqiptare që nuk mund ta përballojnë shtimin e pagave për mbajtjen e fuqisë punëtore, pasi eksportuesit janë goditur në kosto nga zhvlerësimi prej 15% të euros, ndërsa përpunuesit kanë ulur prodhimin nga rënia e shitjeve, pasi mallrat e konsumit po importohen me kosto më të lirë.

    “Ulja e prodhimit do të thotë tkurrje fitimesh, jo për fitimet që prodhuesit fusin në xhep, por fitimet që investohen. Bizneset nuk kanë mundësi financiare për të shtuar fitimet investuese. Eksportuesit janë goditur në fitimet e tyre për investime nga rënia e euros.

    Zhvlerësimi i monedhave ka prekur edhe përpunuesit. Shumë prej tyre u janë ulur shitjet, pasi produktet e konsumit me rënien e euros po hyjnë më lirë në vend, pra po humbin konkurrueshmërinë”.

    Z. Zusi parashikon se me kostot më të larta nga rritja e pagave në këtë situatë, sipërmarrjeve shqiptare vetëm sa u zgjatet periudha e agonisë për të mbijetuar, ku brenda dy viteve do të qartësohet se cilët prej tyre do të mbijetojnë dhe falimentojnë. Falimentimet, sipas tyre do të vijnë, pasi shumë bizneseve do t’u hiqet fondi i investimeve nga rënia e fitimeve.

    Mbështetja e qeverisë me një tjetër garanci sovrane për bizneset eksportuese nuk shihet si një mundësi reale për rimëkëmbje nga z. Zusi, pasi nga kjo situatë nuk mund të dilet pa mbështetje të drejtpërdrejtë ndaj bizneseve.

    Në sezonin e turizmit, kostoja e pagave do të përballohet me rritje të çmimeve në bare dhe restorante dhe ulje fitimesh nga hoteleria

    Në zonat turistike është e pritshme që me fillimin e sezonit turistik të rriten ofertat e punës nga sektori HoReCa (Hotele-Restorante dhe Katering) deri në masën që bëhet e pamundur të plotësohen nga fuqia punëtore që banon në këto zona.

    Kjo gjë do të sjellë transferimin e përkohshëm të punëtorëve nga Tirana apo qytete të tjera. Në këtë periudhë krize për gjetjen e forcës së punës, pritshmëritë për shumë punonjës janë për rritje të lartë të pagave, e cila do të shoqërohet me rritje të çmimeve ose ulje të fitimeve të bizneseve.

    Henri Jahja, përfaqësuesi i Shoqatës së Bareve dhe Restoranteve, tha se gjatë periudhës së verës për profesionin e kuzhinierit, paga arrin deri në 3,500 euro/muaj dhe ndihmëskuzhinierit, deri në 2,000 euro/muaj. Sipas tij, kostoja e rritjes së pagave pa meritokraci do të përballohet nga rritja e çmimeve.

    Si domosdoshmëri për mbajtjen e punonjësve gjatë sezonit turistik, z. Jahja thotë se baret dhe restorantet do të vijojnë me rritjen e pagave pa eficiencë, por kjo pritet të sjellë kosto më të larta për bizneset që do të shoqërohet me rritje të çmimeve.

    “Skema me punëtorët e huaj do të vazhdojë të provohet më tepër për shkak të situatës dramatike sesa nga efikasiteti i saj.

    Situata paraqitet më e rëndë këtë vit se sa vitin e kaluar dhe kjo vështirësi do të vazhdojë dhe në vitet e ardhshme. Sivjet pagat që po kërkohen nga personeli i brendshëm janë dyfish më të larta se vitin e kaluar. Në nivel menaxherial dhe në nivel shef kuzhine, momentalisht ne jemi më lart në paga sesa Italia, Mali Zi, Kroacia, etj.

    Një shef kuzhine në periudhë sezoni në Shqipëri paguhet 3,000 deri në 3,500 euro në nivele të njëjta me një shef kuzhine në Romë, ndërsa ndihmëskuzhinieri 1,500 deri në 2,000 euro/muaj.

    Sivjet, rekrutimet kanë nisur që tani për në muajin maj kur pritet të fillojë sezoni. Dhe që në këtë moment po përballemi me vështirësi për të gjetur personel në çfarëdo pozicioni pune. Sot në Tiranë ka nevojë për çfarëdolloj personeli, imagjinoni se si do të jetë situata në maj.

    Ngado ta rrotullosh dhe ta mendosh skemën nuk ka një zgjidhje të saktë dhe efikase, përveçse do të rritet konkurrenca ndërmjet llojit dhe do të rriten pagat pa arsye dhe meritë, duke ulur standardin dhe duke marrë punonjës jo me standard dhe në reflektim me pagën e marrë.

    E gjithë skema do të krijojë amulli që, përveçse do të rrisë çmimet dhe do të ulë shërbimin, nuk do të sjellë asgjë të mirë në këtë industri”, pohon ai.

    Në vitin 2023, baret dhe restorantet kryesuan për numrin më të lartë të punësimeve të huajve, me rreth 2 mijë të tillë, ise 12% të totalit. Henri Jahja, nga Shoqata e Bareve dhe Restoranteve, e ngriti disa herë shqetësimin se punësimi i të huajve po rezulton humbje kohe, si për nga rendimenti i punës, edhe largimeve masive të tyre.

    Edhe sektori i hotelerisë po përballet me vështirësi për gjetjen e punonjësve. Drejtuesi i hoteleve “FAFA Hotels & Resorts”, një nga strukturat më të mëdha të hotelerisë në bregdetin e Durrësit, z. Fatos Çerinishti, më herët pohoi se të punësuarit nga Bangladeshi i kanë rezultuar të paqëndrueshëm, pasi janë larguar drejt ishujve të Greqisë.

    Për këtë arsye, hoteleria gjithashtu do të vijojë të rrisë pagat e vendasve dhe kostot për kualifikimin e të rinjve. Për strukturat më të mëdha akomoduese, ku 80% të paketave turistike të ofruara janë të prenotuara nga të huajt, sipas Fatos Çerenishtit, shpenzimet për fondin e rritjes së pagave do të përballohen me rënie fitimesh.

    “80% e klientëve tanë janë turistë të huaj. Nëse do të ndryshonim çmimet, ata do të largoheshin. Pavarësisht çdo kostoje, duke përfshirë edhe atë për rritjen e pagave dhe trajnimit të punonjësve të rinj, do ta përballojmë vetë me ulje fitimi”.

    Për shkak të specifikës së sektorit, ku punësimet janë kryesisht sezonale, strukturat e hotelerisë janë gjithmonë të detyruara të rrisin kostot për kualifikimet e punonjësve, veçanërisht të rinjve sipas z. Çerenishti.

    “Përparësia jonë e punësimeve janë vendasit, por tregu i punës po e vështirëson mundësinë për rekrutimet e tyre. Edhe këtë sezon, siç ka ndodhur vitet e kaluara do të vijojmë të punësojmë të rinjtë shqiptarë, duke investuar edhe te kualifikimi i tyre nëpërmjet trajnimeve”.

    A do të rriten çmimet e tjera?

    Vështirësitë nga rritja e shpenzimeve pritet të nisin edhe për prodhuesit e ujit të ambalazhuar. Pas luhatjeve të larta të çmimeve të lëndëve të para në pandemi dhe pas fillimit të luftës Rusi-Ukrainë, në tregjet e huaja, tarifat e lëndëve të parë po shtrenjtohen sërish.

    Rritja më e lartë ka nisur për lëndën e parë të plastikës.

    Administratori i fabrikës së ujit “Lajthiza”, z. Thanas Siveri, pohon se një tjetër shtrenjtim i lëndëve të para do të rrisë koston prodhuese. Z. Siveri nënvizon se nuk pritet të ketë rritje të çmimeve për konsumatorin dhe shtimi i kostove do të amortizohet me uljen e fitimeve të kompanisë.

    “Vitet e fundit është regjistruar rritje e lartë e çmimeve të lëndëve të para, si për plastikën, energjinë, naftën. Edhe sivjet, çmimet e lëndëve të para në tregjet e huaja kanë tendencë në rritje.

    Pavarësisht çfarëdolloj kostoje shtesë që do të kemi, çmimet e shitjes për konsumatorët nuk do të rriten. Kostoja shtesë do të përballohet me uljen e fitimeve”, u shpreh z. Siveri për podcast-in “Business Plus”.

    Ndërtuesit pohuan më herët se për të frenuar largimin e punonjësve vendas kanë rritur pagesat ditore në nivele 6,000 deri në 7,000 lekë/punëtor. Pritet që dy vitet e ardhshme, paga e tyre të arrijë 8,500 lekë dita (rritja e pagesave ditore/punëtor 20%).

    Për ndërtuesit, rritja e pagave për punëtorët nuk mund të shmangë rritje tjetër të çmimeve të shitjes së apartamenteve, duke përfshirë edhe rritjen e kostove që nisi nga vera e vitit të kaluar për taksën e ndikimit në infrastrukturës, pas ndryshimeve të çmimeve të referencës.

    Ndërtuesit pohuan se këtë vit janë prekur edhe te kostot fikse, pasi rritja e çmimeve të materialeve të ndërtimit krahasuar me vjet është 5%. Për periudhën pas pandemisë së Covid-19, deri tani, shtrenjtimi i materialeve arrin deri në 40% sipas ndërtuesve.

    Pse nuk funksionoi skema për marrjen e punonjësve të huaj

    Për vitin 2023, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtarë e Punësimit dhe Aftësive (AKPA) ishin 9,825 shtetas të huaj të pajisur me leje pune dhe vërtetime pune. Numri më i lartë i të punësuarve të huaj ishte në bare dhe restorante. Në sektorin e akomodimit dhe shërbimit ushqimor u punësuan 1,094 shtetas huaj.

    Në ndërtim pati 999 leje punësimi të miratuara, në aktivitete të tjera shërbimi u punësuan 985 të huaj, në sektorin e tregtisë me shumicë dhe pakicë 848 punësime dhe industritë te tjera përpunuese 788 të huaj të punësuar.

    Sipas AKPA, vjet kryesuan të ardhurit nga Turqia, të dytët ishin shtetasit nga Bangladeshi, Nepali, India dhe Itali. Ekspertët vlerësuan se numri i punësimeve të të huajve është i papërfillshëm krahasuar me kërkesat e bizneseve vendase për forcë punëtorë.

    Tendenca pritet të vijojë të jetë e tillë edhe gjatë 2024.

    Shumë drejtues të kompanive të prodhimit dhe ofrimit të shërbimeve pohuan se u tërhoqën nga marrja në punë e të huajve nga frika e largimit të tyre, pasi në shumë raste, Shqipëria përdoret si vend tranzit për t’u punësuar drejt shteteve të BE-së.

    Erald Pashaj, Drejtor Ekzekutiv në “EPPC Albania & Kosova”, një nga kompanitë më të mëdha të konsulencës për burime njerëzore, pohoi më herët për “Monitor” se mosfunksionimi i skemës erdhi nga parregullsitë që hasi zbatimi nga të dyja palët, si nga agjencitë e shteteve që ofrojnë punonjës të huaj, por edhe rekrutuesit shqiptarë.

    Ai theksoi edhe problemin me produktivitetin e punonjësve nga vendet e Azisë që mund të jetë i pranueshëm në rastet ku kompanitë marrin qindra punonjës.

    Në bizneset shqiptare, të cilët marrin 10 apo 20 punonjës me paga neto 400 USD në muaj, sipas tij, kjo tregon se produktiviteti dhe kualifikimi i të huajve është i ulët.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit