Nga Deada Hyka
Industria e koncerteve në Shqipëri ka pasur rritje të dukshme në vitet e fundit, me artistë ndërkombëtarë dhe vendas që organizojnë koncerte.
Pandemia e ndali dhe dobësoi këtë industri kudo në botë, por duket se 2023 premton të rikthehet në nivelet parapandemike. Një numër i madh i koncerteve të organizuara në Shqipëri kanë treguar një kërkesë të lartë në mesin e publikut, e nisur që vitin e shkuar.
Por cila është mënyra më e mirë për të konkurruar në një industri në zhvillim, që nuk do të kthehet kurrë në mënyrën si ishte?
Edhe pse kompanitë e organizimit të eventeve, shitjeve të biletave, por edhe promovuesit e shfaqjeve janë ende duke gjetur metodat që të nxisin këtë industri, sidomos me zhvillimet teknologjike, rezultatet duken të kënaqshme. Në vitin 2023, shqiptarët rezervojnë dhe blejnë masivisht bileta online dhe pak syresh shkojnë drejt qendrave fizike të blerjes së biletave.
Në fillim të sezonit tradicional të festivaleve të muzikës verore dhe me shtimin e koncerteve, fansat po e bëjnë të qartë se janë gati për më shumë përvoja emocionuese.
Dhe uria po shfaqet në llogaritë bankare të operatorëve të ambienteve dhe artistëve.
Industria e koncerteve në Shqipëri ka pasur rritje të dukshme gjatë viteve të fundit, me artistë ndërkombëtarë dhe vendas që organizojnë koncerte në vend. Një numër i madh i koncerteve të organizuara në Shqipëri kanë treguar një kërkesë të lartë në mesin e publikut.
Sipas të dhënave të marra në treg dhe hulumtimet për organizimet e këtij viti, aktorët që mund të ndikojnë kërkesën për koncerte në Shqipëri përfshijnë popullaritetin e artistit, reputacionin e vendit për të organizuar koncerte, përkrahjen e sponsorëve, përfshirjen e influencuesve në fushatat marketuese, infrastrukturën për organizimin e koncerteve, si dhe interesin dhe aftësinë e publikut për të blerë bileta dhe për të marrë pjesë në ngjarje të tilla.
“Shi” në të ardhura biletash
Çmimi i biletave për koncerte në Shqipëri varet shumë nga artisti, reputacioni i tij, madhësia e vendit të koncertit, kërkesa e publikut etj.
Megjithatë, në përgjithësi, çmimet e biletave për koncerte në Shqipëri mund të ndryshojnë nga disa mijë lekë për koncerte më të vegjël e të pavarur, deri në disa dhjetëra mijë lekë për koncerte të mëdha dhe artistë të famshëm ndërkombëtarë.
Çmimet e biletave mund të ndryshojnë gjithashtu në varësi të vendndodhjes në arenën e koncertit (VIP, zonë e parë, zonë e dytë, etj.), dhe nga çmimet e vendosura nga organizatori, ose promovuesi.
A mund të flasim për biznes të mirëfilltë biletash në Shqipëri?
Xhani Demika, menaxher artistësh për koncerte e net live, thotë se çmimi i biletave për koncerte në Shqipëri varet shumë nga artisti, reputacioni i tij, kapaciteti i vendit ku do zhvillohet koncerti, si dhe nga faktorë të tjerë si lloji i koncertit dhe kërkesa e publikut.
Megjithatë, sipas tij, çmimet e biletave për koncerte në Shqipëri mund të ndryshojnë nga 1500-2000 lekë për koncerte më të vegjël e të pavarur, deri në disa dhjetëra mijë lekë për koncerte të mëdha dhe artistë të famshëm ndërkombëtarë.
Çmimet e biletave mund të ndryshojnë gjithashtu në varësi të vendndodhjes në arenën e koncertit (Vip, Zonë e parë, Zonë e dytë, etj.), dhe nga çmimet e vendosura nga organizatori ose promovuesi.
Nga MyTicket, kompani që vepron prej disa vitesh në fushën e shitjes së biletave online në vendin tonë, pohohet që tendenca e shqiptarëve për të rezervuar dhe për të blerë online është rritur vit pas viti. Nëse do t’u referohemi sidomos koncerteve që kanë një target grup të rinjsh kryesisht, atëherë nuk hasen më problematika, as me mendësinë e blerjeve online dhe as me mundësinë e pajisjet për ta bërë këtë.
Një panoramë krejt tjetër duket për mosha më të mëdha, të cilët kanë pak ose aspak njohuri për lundrimin online dhe blerjet online. Për këtë arsye, raportohet se thuajse për çdo event në Tiranë (përveç koncertit të Elvana Gjata) është mundësuar një sportel fizik për të blerë bileta dorazi.
Biletat këtu dhe në Europë
Çmimet e biletave të koncerteve për të njëjtin këngëtar ndryshojnë sipas vendeve. Në fakt, ka shumë faktorë që ndikojnë në çmimet e biletave të koncerteve.
Disa nga faktorët që mund të ndikojnë në ndryshimet e çmimeve të biletave për të njëjtin këngëtar në vende të ndryshme përfshijnë:
a) Ekonomia vendase: Niveli i ardhurave dhe fuqia blerëse e vendit ku zhvillohet koncerti mund të ndikojë në përcaktimin e çmimeve të biletave. Në vende me ekonomi më të zhvilluara pritet që çmimet e biletave të jenë më të larta krahasuar me vende me ekonomi më të ulët.
Sipas Xhani Demika, kur një këngëtar i përmasave botërore pranon të mbajë koncerte në një vend më të vogël, shpesh nën potencialin e tij, kostot e këngëtarit mbulohen nga sponsorë.
b) Niveli i kërkesës: Niveli i kërkesës për biletat e koncerteve për të njëjtin këngëtar ndryshon sipas vendit.
Në disa vende, ku artisti gëzon popullaritet të madh dhe ka një bazë të madhe fansash, kërkesa për biletat mund të jetë shumë e lartë, duke e bërë atë tërheqëse për organizatorët që të rrisin çmimet e biletave.
Por kjo panoramë nuk duket në Shqipëri. Biletat për koncertin e Elvana Gjata kanë nisur me 2000 lekë, ndonëse është një nga këngëtaret më të dashura për publikun shqiptar.
c) Vendi dhe madhësia e arenës: Çmimet e biletave për të njëjtin këngëtar mund të ndryshojnë edhe në varësi të vendndodhjes dhe madhësisë së arenës së koncertit.
Arenat më të mëdha dhe prestigjioze zakonisht kanë bileta më të shtrenjta krahasuar me vende të mëdha të tjera.
Në këtë rast, në vendin tonë, arena e vetme është ajo e Air Albania, organizimet e tjera janë bërë kryesisht në ambiente të hapura si Sheshi Nënë Tereza, Skënderbej etj.
d) Politikat vendore dhe taksat: Politikat vendore dhe taksat mbi shitjen e biletave mund të ndryshojnë nga vend në vend. Në disa vende, taksat dhe tarifat shtesë mund të shtohen në çmimin e biletave, duke i bërë ato më të larta për publikun.
E nisëm me Nikos Vertis
Nikos Vertis është këngëtari i vetëm grek, i cili arriti të realizonte një koncert në Dolby Theatre.
Kënga e tij “Thelo na me noises” sot shënon 195 milionë klikime në YouTube, duke u bërë kënga greke më e dëgjuar ndonjëherë.
Vitin e shkuar, lajmi që bëri xhiron e botës ishte çmimi i tavolinës në ishullin luksoz Mykonos, gjatë koncertit treorësh të këngëtarit. Jo pak, por 15 mijë euro.
Sukseset për artistin nuk kanë fund, në mbarë botën me shfaqjet më të shitura në Izrael, Bullgari, Rumani, Turqi, Serbi, Qipro, SHBA, Kanada, Australi.
Këtë vit, këngëtari grek Nikos Vertis hapi siparin e koncerteve në dimensione të mëdha, në “Air Albania”, ku interesi ishte i lartë për ndjekjen e këtij koncerti.
Nisi rreth orës 9:00 të mbrëmjes dhe kapaciteti i stadiumit ishte i shitur tërësisht. Çmimi i biletave për këtë koncert niste me 3000 lekë dhe arrinte 100 euro në zonën VIP, më të afërt me skenën.
“Notre Dame” në Tiranë
“Notre Dame de Paris” është një nga shfaqjet më të njohura dhe më të suksesshme në nivel ndërkombëtar. Ajo është shfaqur në shumë vende dhe ka fituar vlerësime pozitive nga publiku dhe kritikët. Shfaqja njihet për muzikën e saj tërheqëse dhe historinë emocionuese.
Si çdo shfaqje, suksesi i saj në Tiranë varet nga faktorë si reklamimi i mirë, interesimi i publikut, cilësia e performancës, si dhe përshtatshmëria e vendit ku zhvillohet shfaqja. Në përgjithësi, shfaqjet e njohura dhe tërheqëse si “Notre Dame de Paris” kanë tendencë të marrin vëmendje të madhe dhe të jenë tërheqëse për publikun.
Kjo shfaqje ishte produksion i organizuar nga kantautori i mirënjohur italian Riccardo Cocciante.
Me trupa artistësh shumëkombësh dhe soliste këngëtaren Elhaida Dani, shfaqja e organizuar në stadiumin “Air Albania” mori zemrat dhe “paratë” e shqiptarëve. Biletat nisën me 2500 lekë deri në 10 mijë lekë zona VIP më afër skenës. I gjithë kapaciteti i stadiumit ishte shitur tërësisht.
Elvana Gjata
Elvana Gjata është një nga artistet më të suksesshme dhe të dashura në industrinë muzikore shqiptare. Ajo ka popullaritet të madh në Shqipëri dhe në rajon për shkak të talentit, stilit të muzikës dhe prezencës në skenë. Dashuria dhe përkrahja ndaj saj shfaqet përmes pjesëmarrjes së publikut në koncerte dhe mbështetjes së tyre në rrjet.
Por kësaj here, i pari në këtë dimension, koncerti i saj u organizua në stadiumin “Air Albania”. Sipas të dhënave të website që administron shitjen e biletave, çmimi i tyre nisi nga 2000 lekë dhe arriti 10 mijë lekë në tribunat VIP.
Biletat ishin të gjitha të shitura tre ditë përpara shfaqjes e cila gëzoi suksesin e pritshëm edhe falë stafit menaxherial dhe marketingut në rrjete sociale të vetë këngëtares dhe të bashkëpunëtorëve e miqve të saj të ngushtë.
Jo çdo koncert mund të ketë sukses sipas Xhani Demika. Ai thotë ka shumë rëndësi kualiteti i këngëtarit po aq sa menaxhimi që i bëhet.
Në rastin e Elvana Gjatës, sipas tij i hapet rruga shumë këngëtarëve që në vijim të organizojmë koncerte edhe më të mëdha, për të rritur popullaritetin e për të konkurruar fshehtas mes tyre.
Sipas tij, gara në klikime është bërë “e mërzitshme”, live do të marrë më shumë jehonë vitet e ardhshme. Për të, live do të diferencojë këngëtarët dhe sukseset e tyre.
Emra botërorë – Enrique Iglesias, Ricky Martin, Plácido Domingo
Lajm i cili çuditi ditët e fundit shqiptarët ishte padyshim njoftimi për koncerte të dy këngëtarëve me famë botërore Ricky Martin dhe Enrique Iglesias.
Koncerti i Ricky Martin do të mbahet në datën 20 korrik në Sheshin “Skënderbej”. Sipas informacioneve të marra në website backstage.al, biletat nisin nga 42 euro dhe arrijnë 139 euro, në varësi të administrimit të vendeve, afërsisë nga skena etj.
Të dy këta këngëtarë kanë koncerte të përmasave gjigante, me administrim nga kompanitë më në zë të fushës në botë dhe çmimet e biletave në Shqipëri janë rreth 30% më lirë se sa një koncert në Spanjë apo Zvicër.
Një tjetër artist, Placido Domingo, ndonëse jo për herë të parë në Tiranë, rikthehet për një tjetër shfaqje. Tenori dhe dirigjenti do të shoqërohet në këtë koncert nga artistët Jenifer Rowey, Jonatan Antoine dhe Christina Ramos.
Takimi me këtë legjendë të muzikës operistike është 7 shtatori. Çmimi i biletave, sipas Backstage, luhatet nga 50 deri në 250 euro, duke qenë artisti më i shtrenjtë në këtë sezon në Shqipëri.
Në një komunikim me organizuesit e eventit për të dy këngëtarët, Login Production, pohohet se Enrique Iglesias dhe Ricky Martin janë dy artistë të shquar ndërkombëtarë që gëzojnë një bazë të gjerë fansash në të gjithë botën. Ata kanë karriera të suksesshme dhe kanë sjellë koncerte të mëdha dhe tërheqëse në shumë vende.
“Kemi pritshmëri të larta për këto koncerte, Ministria e Kulturës dhe Bashkia e Tiranës janë aleatët tanë që ta bëjmë sa më të dashur për publikun. Presim të kenë pritje dhe sukses të madh, duke marrë parasysh popullaritetin e tyre global dhe reputacionin e krijuar nëpër skena koncertesh.
Shqiptarët kanë treguar interes të madh për koncerte të artistëve të njohur ndërkombëtarë, kështu që pritshmëria për sukses të tillë është e lartë”, – pohojnë nga Login Production.
Për sa i përket suksesit të tyre në Tiranë, kjo varet nga disa faktorë si popullariteti i tyre në Shqipëri, reklamimi i mirë, vendndodhja e koncertit, përkrahja e sponsorëve dhe interesimi dhe aftësia e publikut për të blerë bileta dhe për të marrë pjesë në koncerte të tyre.
Ekipet e të tre artistëve ndërkombëtarë për koncertet e tyre kanë nisur punën. Mbrëmjet festive do të marrin jetë në sheshin “Skënderbej”, që ndonëse i hapur, do të jetë në një pjesë të tij i rezervuar për të gjithë ata që duan ta ndjekin nga afër secilin prej këngëtarëve. Ricky Martin do të jetë i shoqëruar nga instrumentistët me të cilët bashkëpunon prej vitesh.



