Ministrja për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi i është përgjigjur Sali Berishës, pas një mesazhi të këtij të fundit se shkollat në Elbasan janë mbyllur për shkak të një takimi elektoral të Edi Ramës.
“Bufi Gënjeshtar na paska zbuluar “skandalin” e radhës – fëmijët që vizatojnë për Shtëpinë e Europës, paska vendosur t’i fusë në fushatë! Po, sepse kur nuk ke as ide, as mbështetje, të mbetet vetëm të trillosh komplotin e lapsave me ngjyra!
Turp s’të ka mbetur më, po as logjikë jo! Fëmijët s’kanë asnjë lidhje me Partinë Socialiste, dhe as me fushatën – po për të shpikur ndonjë gënjeshtër, ti s’pyet as për fëmijë, as për të vërtetën! Ama, fli pa merak, se në Elbasan të pret një disfatë që nuk vizatohet me lapsa me ngjyra, por vuloset me votë”, shkruan Bora Muzhaqi.
Ndërkohë, më herët Berisha publikoi atë që e quajti mesazh të qytetarit dixhital duke dhënë alarmin se administrata dhe shkollat do të jenë pushim, sepse atje do të jetë “burreci 2 metrosh”.
“Administrata ndërpret nesër punën, shkollat mbyllen për takimin elektoral të burrecit 2 metrosh”, shkruan Sali Berisha, teksa ndan më poshtë dhe mesazhin e “qytetarit dixhital”:
“Rama vjen neser ne Elbasan. E gjithe aminstrata me urdher te drejtoreve dhe kryetarit te bashkise eshte thirrur me dhune ne miting duke firmosur per pranine e tyre. Nxenesit e shkolles Jorgji Dilo neser nuk do te zhvillojne mesim dhe do i nxjerrin ne shesh ne ora 10.00 per shkak se vjen Rama.”