Bordi i transparencës ka rritur ndjeshëm çmimin e naftës gjatë ditës së sotme, duke e çuar në 239 lekë për litër, nga 227 lekë që ishte deri tani, me rritje 12 lekë/litër. Kjo është rritja e tretë radhazi e çmimit, ndërkohë që ai nuk u al asnjëherë kur para dy javësh në bursa nafta ra në nivelet e para luftës.
Në bursa nafta është rritur, duke arritur në 100 dollarë për fuçi, nivel që Bordi e kishte reflektuar njëherë dy javë më parë.
Në bursa, treguesi Platts, referenca e naftës që importojnë kompanitë shqiptare ishte 1108 dollarë për ton. herën e fundit që nafta ishte në këto nivele në bursa (20 maj), çmimi tek ne ishte 229 lekë/litër, ose 10 lekë më pak sesa u vendos sot. Një faktor që ka ndikuar është forcimi i dollarit, që sot këmbehet me 117.8 lekë, nga 114 lekë në 20 maj.
Benzina u rrit me 3 lekë, në 205 lekë/litër
Sipas njoftimit zyrtar:
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gasoil i standardit SSH EN 590 të jetë jo më shumë se 239 lekë/litri, ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 227 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit benzinë e standardit SSH EN të jetë jo më shumë se 205 lekë/litri,ndërsa i shitjes me shumicë jo më shumë se 194 lekë/litër.
-Çmimi i shitjes me pakicë i nënproduktit gaz, të jetë 78 lekë/litri me pakicë dhe i shitjes me shumicë 66 lekë/litër për automjetet.
(Shënim: çmimi i shitjes për gazin e lëngshëm të automjeteve do të jetë çmimi i furnizimit në stacionet e furnizimit në pikat e karburanteve, ndërkohë që në pikat e tjera për konsumatorët familjarë dhe industrial çmimi nuk duhet të përfshijë akcizën).
🗓Çmimet e caktuara nga Bordi do të hynë në fuqi sot datë 23 Gusht ora 18.00 p.m dhe do të jenë të vlefshme deri në mbledhjen e ardhshme të bordit ku do të pasqyrohen ndryshimet e çmimeve të shitjes.
Bordi sqaron opinionin publik se zbaton me kujdesin e duhur aktin normativ në fuqi, duke synuar mbrojtjen e konsumatorëve në këto kushte të krizës botërore dhe paqëndrueshmërisë së çmimeve të nënprodukteve të naftës.
Në këtë kuadër Bordi thekson se:
Në mbledhjen e fundit, konkretisht rezulton se çmimi (FOB/MED $ Ton) i Benzinës është rritur 919 ( + 16 nga ai i dates 16.08.2022) $/ Ton, dhe çmimi i Gazoilit/Diesel është rritur 1108 (+ 86 nga data 16.08.2022) $/Ton. Kursi i këmbimit i BSH ka pesuar rritje 117.62 ( +1.62 nga data 16.08.2022) . Kursi i këmbimit të doganës 114.46. Për gazin e lëngshëm, referuar të dhënave të faturës tregtare (Commercial Invoice) të shitjes së produktit, nuk kemi ndryshim të cmimit nga ai i mbledhjes date 17.08.2022.
Nga Vendimi i fundit i Bordit, datës 17.8.2022, i cili i referohet të dhënave zyrtare të agjencisë ndërkombëtare “S&P Global Platts” në USD të datës 16.8.2022, lëvizja e çmimeve ka qënë si vijon:
Datë 17.08.2022: Benzina 10 ppm -3 USD/ton; Gazoili 10ppm +26 USD/ton
Datë 18.08.2022: Benzina 10 ppm + 26 USD/ton; Gazoili 10ppm + 58 USD/ton
Datë 19.08.2022: Benzina 10 ppm + 30 USD/ton; Gazoili 10ppm + 74 USD/ton
Datë 22.08.2022: Benzina 10 ppm + 2 USD/ton; Gazoili 10ppm +86 USD/ton
Kursi i këmbimit LEK/USD, i cili impakton gjithashtu çmimin përfundimtar të karburanteve, është rritur me +1,62 lekë, krahasuar me kursin zyrtar të përdorur në mbledhjen e fundit të Bordit.
Pra, pavarësisht se çmimet në bursë kanë pasur tendencë rritje, në javën e fundit, Bordi nuk ka marrë Vendim të menjëhershëm për rritjen e çmimit të nënprodukteve.