Lufta në Ukrainë e cila filloi në shkurt të 2022-shit, tronditi tregjet ndërkombëtare, efekte të cilat prekën edhe vendin tonë, kryesisht në produktet e shportës që vinin nga importi duke rritur në mënyrë të ndjeshme çmimet.
Për të marrë masa në mënyrë që qytetarët shqiptarë të mbroheshin nga abuzimet, përmes aktit normativ nr. 7, datë 18.03.2022 “Për transparencën dhe monitorimin e çmimit për disa produkte ushqimore bazë dhe produkte të tjera të lidhura me to, si pasojë e situatës së veçantë të krijuar në treg”, u vendos të ngrihej Bordi i Transparencës dhe Monitorimit të Çmimeve të Tregtimit me Shumicë/Pakicë të produkteve ushqimore bazë dhe produkteve të tjera të lidhura me to, i cili kishte në përbërje 12 anëtarë dhe kryesohej nga Ministrja e Financave Delina Ibrahimaj. Por le të bëjmë një analizë se sa efektiv ka qenë ky Bord.
Nëse do të marrim në konsideratë gjithë këtë periudhë 1-vjeçare që nga momenti i krijimit, Bordi i Transparencës së Ushqimeve është mbledhur gjithsej vetëm tre herë. Mbledhja e parë është bërë më 1 Prill 2022 kur situata me abuzimet ishte shumë e nxehtë, ku u përcaktuan çmimet maksimale të shitjes me shumicë dhe pakicë për vajin, sheqerin, orizin edhe miellin, duke qenë edhe si busull orientimi për konsumatorët në mënyrë që mos binin pre e abuzimeve.
Vendimi i bordit ishte i detyrueshëm për tu zbatuar nga të gjitha subjektet e tregtimit me shumicë/pakicë. Mbledhja e dytë e Bordit u zhvillua me 1 maj, dhe mbledhja e tretë dhe e fundit u mbajt më 9 shtator 2022.
Por sipas nenit 6 të aktit normativ në fuqi, lidhur me funksionimin e këtij organi, Bordi “çdo javë, monitoron vlerën e çmimit të produkteve, sipas listës së miratuar prej tij, dhe vendos marzhin e fitimit. Vlera e çmimit përbëhet: nga çmimi i dërguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, sipas origjinës së produkteve; nga marzhi i fitimit të përcaktuar nga Bordi, për subjektet e importit dhe prodhimit mbi çmimin e përllogaritur, në të cilin aplikohen dhe taksat e tarifat sipas legjislacionit në fuqi”.
Por në kundërshtim me aktin normativ, ky rregull nuk është zbatuar dhe pavarësisht luhatjeve të të vazhdueshme të çmimeve, konsumatorët janë lënë “zbuluar” duke bërë zgjedhjet e tyre në një treg të lirë dhe pa monitorimin e duhur.
Por thuajse pas një viti, Gjykata Kushtetuese ka vendosur shfuqizimin e Bordit të Ushqimeve, duke konsideruar se bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë.