14.5 C
Tirana
E enjte, 5 Mars, 2026
More
    spot_img
    spot_img

    Boshti ruso-iranian i propagandës në Shqipëri: Nga “Kulti i Baalit” te skandali Epstein

    Platformat mediatike pro-iraniane dhe ato të mbështetura nga Kremlini kanë shënjestruar lexuesin shqipfolës me një fushatë të re dhe në dukje të sinkronizuar dezinformimi, duke shfrytëzuar bombardimet e fundit në Iran për të përhapur teori konspirative kundër Perëndimit.

    Nga Vladimir Kara

    Bombardimet e SHBA-së dhe Izraelit në Iran kanë shërbyer si një katalizator për një fushatë të re dezinformimi në gjuhën shqipe nga media ruse, iraniane dhe nga ato që riprodhojnë qëndrimet e këtyre të fundit.

    Një analizë e teksteve të publikuara së fundmi në rrjete të ndryshme tregon një shkrirje të narrativave të makinerisë shtetërore ruse, si rrjeti i dezinformimit “Pravda” në shqip apo ideologët e afërt me Kremlinin, dhe mediave të linjës iraniane që operojnë në gjuhën shqipe, si Gazeta Impakt apo Pars Shqip.

    Të dyja këto rryma po përdorin të njëjtën gjuhë apokaliptike, duke pikturuar Perëndimin në tërësi, si edhe SHBA-në dhe Izraelin, si “Antikrishti” apo “Baali” (një emër i përdorur për djallin). Ato e lidhin luftën në Iran me ekspozimin e dosjeve të Jeffrey Epstein, një financier amerikan i dënuar për ngritjen e një rrjeti të trafikimit seksual të të miturave, i cili shfrytëzoi lidhjet me elitat globale për të fshehur krimet e tij.

    Vdekja e tij në burg, kontaktet që ai kishte me një numër të madh personash me pushtet dhe mungesa e hetimeve të thelluara janë bërë një mjet i preferuar për makineritë e propagandës dhe teoritë konspirative që kërkojnë të godasin Perëndimin ose vlerat perëndimore.

    Kjo valë propagande vjen pasi Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli nisën një fushatë masive dhe të koordinuar sulmesh ushtarake kundër Iranit më 28 shkurt, me pretendimin se po godisnin infrastrukturën bërthamore, qendrat ushtarake dhe vetë udhëheqjen e lartë iraniane.

    Nga sulmet raportohet se u vra edhe Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ajatollah Ali Khamenei. SHBA-ja dhe Izraeli e justifikuan sulmin me dështimin e negociatave mbi programin bërthamor të Teheranit.

    Sulmet u pasuan nga një kundërpërgjigje e menjëhershme dhe e gjerë nga ana e Teheranit, i cili lëshoi qindra raketa balistike dhe dronë – jo vetëm drejt Izraelit, por edhe drejt bazave ushtarake amerikane të vendosura në vendet fqinje arabe si Emiratet e Bashkuara Arabe, Katari, Kuvajti dhe Bahreini.

    Në ditët e para të marsit, ky përshkallëzim i paprecedentë e ka zhytur Lindjen e Mesme në një luftë të hapur rajonale, me qindra viktima dhe hapësira ajrore të mbyllura.

     “Kulti i Baalit” dhe apokalipsi

    Tekstet e publikuara prej mesit të shkurtit dhe të intensifikuara pas sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit kundër Iranit janë një përpjekje për ta zhvendosur konfliktin nga rrafshi politik në atë fetar.

    Alexander Dugin, i njohur si arkitekti ideologjik i politikës së jashtme të Rusisë së Vladimir Putinit, në një shkrim të fundit e cilëson Perëndimin si “Qytetërimin e Baalit” – një referencë biblike për idhujtarinë dhe sakrificat njerëzore – dhe Iranin si rezistencën e fundit kundër djallit.

    Ai paralajmëron se rënia e Iranit do t’i hapte rrugë shkatërrimit të Rusisë, duke bërë thirrje për një luftë të shenjtë dhe radikale. Shkrimi i Dugin, i cili në këtë tekst vendos shenja barazimi mes bombardimeve në Iran dhe atyre kundër regjimit të Slobodan Millosheviçit gjatë luftës në Kosovë, u publikua në shqip nga Gazeta Impakt, një hapësirë e lidhur me Olsi Jazexhin, një historian i njohur për qëndrimet e tij pro Teheranit zyrtar dhe mbështetjen e qëndrimeve të Dugin.

    Si për të kthyer favorin, Dugin në faqen e tij në Facebook ndau një postim të Jazexhit, në të cilin pretendohej në mënyrë të rreme se Irani kishte bombarduar zyrat e qeverisë së Izraelit dhe se fati i kryeministrit Benjamin Netanyahu nuk dihej.

    Faqet e lidhura me Dugin, Gazeta Impakt dhe Jazexhi kanë publikuar gjithashtu karikatura të ngjashme në të cilat bëhet thirrje për një aleancë të krishterë dhe myslimane kundër “zionizmit”. Karikatura përpiqet të pikturojë Perëndimin si djallëzor, ndërsa skandali i Epstein përdoret si fytyra përfaqësuese e Perëndimit apo Izraelit.

    Një profil në X i faqes së radios së Iranit në Shqipëri ndau një mesazh të ngjashëm, duke këmbëngulur se bombardimi i një shkolle fillore vajzash në Minab më 28 shkurt (kur nisi edhe sulmi i SHBA-së ndaj Iranit), që raportohet se ka vrarë 175 nxënëse, ishte i qëllimtë dhe përbënte një “kurban” që SHBA-ja dhe Izraeli i bënin “Baalit”.

    Autoritetet amerikane ende nuk kanë një qëndrim zyrtar mbi bombardimin e shkollës, ndërsa organizatat e të drejtave të njeriut kanë kërkuar hetim, duke e cilësuar atë një krim lufte.

    Përdorimi i skandalit të Epstein

    Të dy linjat e propagandës dhe dezinformimit – qoftë ajo ruse e përkthyer automatikisht në shqip nga rrjeti Pravda, qoftë ajo iraniane përmes mediave Pars dhe Gazeta Impakt – i lidhin bombardimet me skandalin Epstein.

    Pravda, duke iu referuar kryesisht kanaleve afër Kremlinit në Telegram, këmbëngul se bombardimet janë një përpjekje e presidentit amerikan Donald Trump për të tërhequr vëmendjen nga lidhja e tij e pretenduar me Epstein.

    Në këtë përpjekje, publikimet e Pravda tërheqin paralele me bombardimin e regjimit të Millosheviçit nga NATO në përpjekje për të ndaluar gjenocidin në Kosovë, duke përsëritur një linjë të njohur propagande dhe lajmesh të rreme që i lidh bombardimet me skandalin e presidentit Bill Clinton dhe Monica Lewinsky.

    Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë në vitin 1999 u mbështet nga komuniteti ndërkombëtar dhe erdhi si përgjigje ndaj një krize humanitare të dokumentuar, pas dëbimit masiv të qindra mijëra shqiptarëve nga Kosova.

    Në të njëjtën linjë me mediat ruse, edhe Gazeta Impakt e etiketon ushtrinë e SHBA-së si “ushtria e Epstein”.

    “Çfarë do të ndodhte nëse ushtria e Epstein – e Trumpit – ka vrarë Khamenein?”, shkruhet në një artikull të publikuar më 1 mars, i cili e barazon Khamenein me Jezu Krishtin.

    Lideri iranian, i cili raportohet se u vra nga bombardimet e Izraelit në një bunker në Teheran, cilësohet nga organizatat e të drejtave të njeriut si përgjegjës për vrasjen e mijëra iranianëve të pafajshëm.

    spot_imgspot_img

    Lajmet e fundit